Zyrtarët e lartë amerikanë e kinezë të mbrojtjes takohen në Singapor

Bota

Zyrtarët e lartë amerikanë e kinezë të mbrojtjes takohen në Singapor

Më: 18 tetor 2018 Në ora: 18:30
Jim Mattis dhe Wei Fëng

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Jim Mattis i tha homologut të tij kinez Wei Fëng-hë se përmirësimi i marrëdhënieve të nivelit të lartë midis dy vendeve do të ulë rrezikun e konfliktit të paqëllimtë.

Jim Mattis dhe gjenerali kinez Wei Fenghe u takuan gjatë një konference aziatike të sigurisë në Singapor, në përpjekje për të normalizuar marrëdhëniet ushtarake. Pas bisedimeve, zyrtarët amerikanë thanë se patën përshtypjen që marrëdhëniet me ushtrinë e Kinës u stabilizuan, ndonëse bisedimet nuk prodhuan marrëveshje të reja.

Marrëdhëniet ushtarake midis Uashingtonit dhe Pekinit u përkeqësuan gjatë javëve të fundit lidhur me luftën e hidhur tregtare, sanksionet e SHBA kundër ushtrisë së Kinës për blerjen e armëve nga Rusia dhe krijimin e avanposteve ushtarake të Pekinit në Detin e Kinës Jugore.

Zyrtari i Pentagonit Randall Schriver u tha gazetarëve se sekretari Mattis "përsëriti dëshirën amerikane për marrëdhënie të qëndrueshme që është një forcë stabilizuese në marrëdhënien e përgjithshme".

Sekretari Mattis planifikoi të takohej në Pekin me ministrin kinezWei disa javë më parë, por zyrtarët kinezë thanë se zoti Wei nuk ishte në dispozicion, një nga treguesit se tensionet në marrëdhëniet SHBA - Kinë ishin shtrirë edhe në fushën ushtarake.

Presidenti Donald Trump shpesh e ka kritikuar Kinën për politikat e saj ekonomike. Më parë këtë muaj, zëvendëspresidenti Mike Pence akuzoi Pekinin për përdorimin e praktikave tregtare "grabitqare" dhe agresion ushtarak.

Kina nuk ka komentuar për mediat amerikane pas takimit mes sekretarit Mattis dhe ministrit Wei gjatë konferencës së Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat