Khashoggi e intervistoi më së shpeshti Bin Ladenin – gjithçka rreth vrasjes së tij

Bota

Khashoggi e intervistoi më së shpeshti Bin Ladenin – gjithçka rreth vrasjes së tij

Më: 24 tetor 2018 Në ora: 11:45
Jamal Khashoggi

Më 28 shtator, gazetari saudit me banim në Shtetet e Bashkuara, Jamal Khashoggi, ka hyrë në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll për të marrë disa dokumente që i duheshin për t’u martuar me të fejuarën e tij dhe nuk ka dalë më prej saj. E fejuara e ka pritur për orë të tëra dhe më pas i ka telefonuar policisë. Ditën kur duhej të martohej, Khashoggi nuk dukej akoma dhe kjo ishte e mjaftueshme që Reuters të jepte lajmin e zhdukjes së tij.

Ndërsa, Turqia thërriste ambasadorin saudit dhe Princin Trashëgimtar, Mohammed bin Salman shprehej i gatshëm për të bashkëpunuar me çfarëdolloj investigimi lidhur me këtë ngjarje dhe autoritetet saudite lëshuan një deklaratë zyrtare, ku sugjerohej se Khashoggi mund të ishte zhdukur pasi kishte lënë konsullatën, filluan të dalin lajme shqetësuese: sipas mediave turke, në ditën e zhdukjes së gazetarit, stafi turk i konsullatës saudite ishte njoftuar të rrinte në shtëpi dhe nga Riadi ka ardhur një avion privat me në bord 9 punonjës të inteligjencës së mbretërisë, që më pas do të shkonin në konsullatë.

Me kalimin e kohës ishte bërë gjithnjë e më e qartë se të dyja gjërat ishin të lidhura, derisa më 8 tetor një burim anonim i inteligjencës turke ka thënë për Washington Post se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës saudite. Në orët dhe në ditët në vazhdim kanë nisur të qarkullojnë zëra, janë bërë gjithnjë e më këmbëngulës dhe janë pasuruar me detaje: Khashoggi është prerë copa-copa dhe është nxjerrë nga konsullata me një furgon të zi, ekziston një video e torturimit dhe e vrasjes, ka qenë një tentativë rrëmbimi e përfunduar keq. Ka qenë atëherë që ajo që dukej si një gjë e ndërlikuar është transformuar në një aferë ndërkombëtare.

Fillimisht, nëpërmjet Ministrit të Brendshëm të saj, Arabia Saudite është pozicionuar, ka denoncuar “akuzat false që qarkullojnë nëpër media” kundër saj për zhdukjen e Khashoggi dhe i ka quajtur zërat për vrasjen e tij “gënjeshtra dhe akuza të pabaza kundër qeverisë së Mbretërisë”. Por më pas i është dashur t’u nënshtrohet presioneve ndërkombëtare sidomos të Turqisë dhe të Shteteve të Bashkuara: natën e 15 tetorit, policia turke ka kontrolluar konsullatën, duke zbuluar se brendësia e ndërtesës ishte e sapo lyer krejtësisht (dhe praktikisht një video e paraqitur nga al-Jazeera e xhiruar pak orë përpara tregon hyrjen në ndërtesë të një kompanie pastrimi). Ndërkaq, New York Times, pasi ka konsultuar burime të inteligjencës turke, ka shkruar se filmimet dhe audiot në posedim të turqve demonstronin se Khashoggi është torturuar, i janë prerë gishtat dhe më pas i është prerë koka dhe është bërë copa-copa.

Nga zhvillimet e fundit, duket praktikisht e sigurt se Khashoggi është vrarë brenda konsullatës saudite: në mënyrë mjaft elokuente, pasi ka dyshuar për rreth 20 ditë, Washington Post ka vendosur të botojë artikullin e fundit të shkruar nga gazetari për rubrikën që mbante aty. Derisa Trump që në fillim minimizonte duke thënë se, përderisa gazetari nuk ishte shtetas amerikan, nuk do t’ia ndërpriste furnizimet më armë Arabisë Saudite, i është dashur ta pranojë se Khashoggi duket pikërisht se ka vdekur dhe në rast se zbulohej se përgjegjësia është e sauditëve, atëherë ata do të kishin pasoja të rënda.

Ndërkohë, në gazetat perëndimore, narrativa që po përcillet e redukton gjithçka në vrasjen e një gazetari dhe disidenti saudit: një sintezë sipërfaqësore dhe e gabuar, që në bën ta keqkuptojmë shtrirjen e kësaj historie dhe atë çka po ndodh prapa kuintave.

Kush ishte Jamal Khashoggi?

Jamal Khashoggi ishte 60 vjeç dhe ishte gazetari më i famshëm i botës arabe. Kishte punuar për gazeta të ndryshme të botës arabe, por edhe si korrespondent nga jashtë. Ka qenë dy herë kryeredaktor i al-Watan, gazetë progresiste saudite dhe drejtor i televizionit al-Arab me qendër në Bahrein. Pjesë e reputacionit të tij është edhe fakti që në vitet ’90 ka qenë gazetari me kontaktin më të ngushtë me Osama bin Laden, që e ka ndjekur nga afër dhe e ka intervistuar disa herë si në Sudan, ashtu edhe në bastionin e tij të Tora Bora në Afganistan.

Për aktivitetet e tij, Khashoggi i është mbyllur shumë herë goja nga censura saudite.

Në vitin 2003 kishte humbur vendin e punës tek al-Watan prej një artikulli kritik ndaj Ibn Taymiyya, i konsideruar si babai themelues i wehabizmit. Në vitin 2016, pasi ka kritikuar Donald Trump, autoritetet saudite e kishin ndaluar që të shkruante nëpër gazeta dhe të shfaqej në televizion. Më së fundmi kishte kritikuar fushatën ushtarake kundër Jemenit dhe Princin Trashëgimtar mjaft të fuqishëm Mohammed bin Salman: në vijim të këtyre pozicioneve dhe duke u ndjerë i kërcënuar, kishte vendosur ta linte Arabinë Saudite për Uashingtonin.

Pavarësisht pozicioneve të tij mjaft kritike ndaj qeverisë saudite, Khashoggi mbetej megjithatë një anëtar i spikatur i elitës së Mbretërisë. Gjyshi i tij Muhammad Khashoggi, me origjinë turke, ishte mjeku personal i Mbretit Abdulaziz al-Saud, themelues i Arabisë Saudite. Xhaxhai i tij ishte shumë i famshmi dhe tregtari shumë i fuqishëm i armëve Adnan Khashoggi. Në vitet ’90 kishte bashkëpunuar me shërbimet sekrete saudite me detyrën që të provonte ta bindte Osama bin Ladenin të hiqte dorë nga dhuna dhe në vitet ‘2000 kishte qenë përgjegjës i komunikimeve të Princit Turki al-Faisal, ambasadorit saudit në Shtetet e Bashkuara.

Me pak fjalë, jo tamam disidenti dhe opozitari politik që paraqitet në shumë gazeta perëndimore. Dhe pikërisht për këtë arsye vrasja e tij është jashtëzakonisht e rëndësishme: është një mesazh drejtuar disidentëve të vërtetë për t’u thënë se në qoftë se një si Khashoggi eliminohet kështu, atëherë ata mund të shpresojnë vetëm për më keq akoma.

Çfarë po ndodh midis Shteteve të Bashkuara, Arabisë Saudite dhe Turqisë?

Edhe pse në dukje janë në konflikt, në realitet ajo që po zhvillohet midis Uashingtonit, Ankarasë dhe Riadit është një lojë komplekse diplomatike, qëllimi i së cilës është që t’u mundësojë të gjithëve ta ruajnë fytyrën e tyre. Asnjëri, në radhë të parë Shtetet e Bashkuara, nuk kanë dëshirë që të vihen vërtet kundër sauditëve, që janë një aleat strategjik për motive të ndryshme: nga furnizimet me naftë tek shitja e armëve, nga bazat ushtarake në qendër të një rrjeti diplomatik për të frenuar influencën iraniane në Lindje të Mesme. Aq sa fillimisht Trump ka thënë se, duke mos qenë Khashoggi shtetas amerikan, nuk ia ndjente aspak për zhdukjen e tij, por edhe kur e ka korrigjuar shënjestrën, ajo ka qenë për të akuzuar pjesë të devijuara të shërbimeve sekrete.

Sipas të përditshmes Foglio, është Turqia fituesja e vërtetë e kësaj historie. Sjellja e Turqisë që thotë se ka në dorë prova dërrmuese të përbëra nga filmime dhe regjistrime audio të bëra brenda konsullatës, që do të demonstronin se Khashoggi është torturuar dhe vrarë është ambige.

“E kanë ndërtuar rastin pa arritur tek skena finale, kanë moduluar rrjedhjen e lajmeve dhe, megjithatë, nuk e tregojnë videon vendimtare. Është sikur të kishin një armë të drejtuar tek sauditët dhe ka të ngjarë që t’u kenë bërë shumë kërkesa”, shkruan Foglio.

Në realitet, as ata nuk duhet të vihen kundër sauditëve: e gjitha është një balet diplomatik. Në fakt, është e qartë se cila është zgjidhja e përkryer për të tri palët e përfshirë: një investigim që të deklarojë se Khashoggi praktikisht është vrarë në konsullatë, por që shfajëson nivelet e larta të qeverisë saudite, duke ua veshur përgjegjësitë ndonjë koke turke, domethënë shërbimeve sekrete të devijuara për të cilat fliste Trump, për t’i mundësuar Turqisë dhe Shteteve të Bashkuara që të mos kalojnë nëpër vende që u lejojnë aleatëve të tyre t’i shkelin pafytyrësisht dhe pandëshkueshmërisht të drejtat e njeriut dhe të vrasin gazetarë në dritën e diellit, por edhe ta lejojnë qeverinë e Arabisë Saudite që të dalë relativisht e pastër, duke bërë ndonjë ndryshim në favor të Uashingtonit dhe Ankarasë.

Çfarë pasojash do të ketë gjithë kjo situatë?

Edhe sikur operacioni të dilte (dhe do të dalë) me sukses, zhdukja dhe vrasja e Khashoggi do të kenë një pasojë jetëgjatë: do të peshojë rëndë mbi imazhin e Mohammed bin Salman, Princit Trashëgimtar saudit.

Gjatë viteve të fundit, ky princ ka bërë përpjekje të mëdha për të ndërtuar imazhin e princit të ri “reformator” si në kuadrin ekonomik, ku ka lansuar Saudi Vision 2030, një program ambicioz me qëllim që ta shkëpusë ekonominë saudite nga nafta dhe të tërheqin investime ndërkombëtare, ashtu edhe në kuadrin social.

Vendimi për t’i lejuar gratë që të ngasin makinat dhe ajo e lejimit pas 35 vitesh e rihapjeve të kinemave në vend kanë qenë iniciativa të marra në këtë drejtim dhe për një periudhë edhe kanë funksionuar: praktikisht të gjithë gazetat perëndimore i kanë bërë jehonë propagandës së tij, duke folur për “pranverën” saudite në ardhje me princin e ri.

Në realitet, bëhej fjalë për operacione kozmetike që nuk e ndryshonin aspak situatën e të drejtave civile në Arabinë Saudite dhe që provonin që t’i paraqisnin si meritë e mendjehapjes së princit ato që në realitetin e fakteve ishin arritje e lëvizjeve të protestave saudite: për shembull, vendimi për lejimin e grave që të ngisnin makinat vinte pak kohë pas arrestimit të aktivisteve të ndryshme që prej kohësh luftonin për këtë objektiv.

Qysh nëntorin e kaluar, imazhi i princit të ri ishte dëmtuar, kur kishte ndërmarrë një operacion policor për të konsoliduar pushtetin e tij që kishte çuar në arrestimin e dhjetëra eksponentëve të elitës dhe të familjes mbretërore saudite në Ritz-Carlton Hotel të Riadit. Por, atëherë ia kishte kaluar duke folur për “masa antikorrupsion”.

Megjithatë, kësaj radhe princi duket se e ka ekzagjeruar dhe vrasja e një gazetari të njohur dhe gjithsesi pak të rrezikshëm si Khashoggi, sidomos prej brutalitetit dhe prej modaliteteve të sipërpërmendura: viktima është tërhequr në kurth në një përfaqësi diplomatike në një vend të tretë, sigurisht se do të jenë një njollë në imazhin prej reformatori, të cilit princi i ka kushtuar kaq shumë për ta ndërtuar.

Jo vetëm kaq, por mund t’i kushtojë shumë më tepër se reputacionin. Shpejt do të nisë Future Investment Initiative, një samit ekonomik i organizuar nga princi dhe i mbiquajtur “Davosi i shkretëtirës”, por sponsorë, media partnere të ndryshme si Financial Times e New York Times dhe të ftuar të ndryshëm si CEO e JP Morgan Chase, Ford, Uber dhe Virgin Group kanë njoftuar tashmë se nuk do të marrin pjesë në shenjë proteste për zhdukjen dhe vrasjen e Khashoggit. Madje orët e fundit ka zëra që i kërkojnë Mbretit saudit Salman që ta zëvendësojë dhe të emërojë një trashëgimtar tjetër në vend të tij.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat