Pakot-bomba në SHBA, analistët: Asnjë precedent në histori

Bota

Pakot-bomba në SHBA, analistët: Asnjë precedent në histori

Më: 26 tetor 2018 Në ora: 14:13
Foto

Asnjë nga pakot bombë që u janë dërguar disa prej kritikëve më të ashpër të presidentit amerikan, Donald Trump, nuk ka shpërthyer, por sidoqoftë ato e kanë bërë dëmin.

Disa nga historianët më në zë të Shteteve të Bashkuara e quajnë vënien në shënjestër të armiqve politikë të Trumpit, nga një terrorist në dukje, një zhvillim të paprecedentë, e thonë se vet presidenti mban një pjesë të fajit në këtë valë të re terrori.

“Presidenti e ka inkurajuar këtë lloj sjelljeje që në Charlottesville, kur ai nuk guxoi të dënonte grupet e djathta për dhunën apo ideologjinë e tyre raciste”, thotë Thomas Whalen, nga Universiteti i Bostonit.

Shtetet e Bashkuara, sigurisht që nuk kanë qenë imunë ndaj dhunës politike apo bombave në historinë e vendit. Në vitet 1960-1970, radikalët e majtë vendosën bomba për të protestuar kundër luftës së Vjetnamit, apo për të treguar mosbindjen e tyre.

Në vitet 1980-1990, një anarkist i zhgënjyer me emrin Ted Kaczynski terrorizoi vendin me pako bomba, ndërsa u bë i njohur si “Unabomber”. Kaczynski vrau 3 persona dhe plagosi 23 të tjerë, para se të kapej në vitin 1996 në kabinën e tij në Montana.

Por, ajo që ndodhi këtë javë, kur të paktën 10 pako bomba iu dërguan ish-presidentit Barack Obama, ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton, si dhe kritikëve të tjerë të zëshëm të Trumpit, është krejt tjetër.

Vet historianët nuk munden të gjejnë një shembull tjetër, kur terrorizmi është përdorur në mbështetje të një presidenti. Ka pasur vrasje dhe përpjekje për vrasje të kandidatëve, që tentonin të zinin vendin e një presidenti në detyrë, por asnjëherë bomba për kritikët e një presidenti në detyrë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat