Turqia thirrje Arabisë për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit

Bota

Turqia thirrje Arabisë për zbardhjen e vrasjes së Khashoggit

Më: 30 tetor 2018 Në ora: 06:18
Khashoggi, një kolumnist i Uashington Post dhe një kritik i princit de facto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, u vra brenda konsullatës

Turqia bëri thirrje të hënën për të zbuluar të vërtetën e plotë rreth vrasjes së gazetarit saudit Jamal Khashoggi, pasi prokurori publik i Arabisë Saudite ishte në Stamboll, për të zhvilluar bisedime me autoritetet vendase.

Vdekja e Khashoggit në konsullatën saudite në Stamboll gati katër javë më parë ka përshkallëzuar një krizë për eksportuesin më të madh të naftës në botë, i cili fillimisht mohoi të kishte dijeni apo rol në vdekjen e tij.

Prokurori publik Saudit Saud Al Mojeb arriti në Stamboll natën e kaluar, disa ditë pasi ai kundërshtoi deklaratat saudite duke thënë se vrasja e Khashoggit ishte e paramenduar. Të hënën, ai u takua me kryeprokurorin e Stambollit.

“E gjithë e vërteta duhet të zbulohet”, tha ministri i jashtëm turk Mevlut Cavusoglu në një konferencë shtypi. “Ne besojmë se kjo vizitë është e rëndësishme për të dalë këto të vërteta”.

Khashoggi, një kolumnist i Uashington Post dhe një kritik i princit de facto të Arabisë Saudite, Princit të Kurorës Mohammed bin Salman, u vra brenda konsullatës pasi shkoi atje për të marrë dokumente për martesën e tij të ardhshme.

Transmetuesi shtetëror i Turqisë, TRT Haber tha se zyrtarët sauditë në takimin e së hënës kërkuan që dosja e hetimit, duke përfshirë dëshmitë, deklaratat dhe pamjet, t’u jepej atyre. TRT tha se kërkesa saudite ishte mohuar.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat