Compact with Africa: Gjermania fonde miliardash për Afrikën

Bota

Compact with Africa: Gjermania fonde miliardash për Afrikën

Më: 31 tetor 2018 Në ora: 11:03
Pamje nga samiti për Afrikën në Berlin

Në samitin për Afrikën në Berlin, kancelarja Angela Merkel u premtoi firmave gjermane më shumë mbështetje për bizneset në Afrikë. Planet mirëpriten, por çështjet thelbësore mbeten të hapura.

Stefan Liebing duket se nuk po mund ta besojë, atë  që sapo ka dëgjuar. "Zonja kancelare, ju po më nxirrni të papunë mua si përfaqësues i shoqatave", thotë shefi i shoqatës së ekonomisë gjermane për Afrikën. Në këtë rrjet që ai përfaqëson bëjnë pjesë mbi 500 shoqata, që janë aktive në Afrikë. Në fakt Liebing është një kritik i ashpër i politikës së jashtme të Gjermanisë ndaj Afrikës, pasi sipas tij, bëhet shumë pak për firmat. Tani ai madje as nuk arrin ta lëvdojë sa duhet kancelaren. Deklarata e saj është "pothuajse historike".

Merkel: "Ne duam të jemi më të shpejtë"

Ajo që Merkel sapo ka deklaruar, është sikur të ishte një dokument strategjie i shoqatës që Liebing përfaqëson. Nga samiti në Berlin duhet të dalë një sinjal gjerman, premton kancelarja. "Ne si europianë kemi një interes të madh, që shtetet e Afrikës të kenë perspektiva të mira ekonomike", theksoi Merkel. E që kjo të realizohet, qeveria federale do të investojë si duhet. Me një fond të ri synohet që t'u lehtësohen investimet sipërmarrësve të vegjël dhe të mesëm në Afrikë. Po ashtu synohen edhe sigurime më të mira për bizneset e firmave gjermane si dhe një nismë për kualifikimin profesional të të rinjve afrikanë. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i këtyre planeve është edhe marrëveshja për tatimin e dyfishtë mes Gjermanisë dhe të gjitha vendeve Afrikane, që marrin pjesë në nismën  Compact with Africa - në mënyrë që sipërmarrjet të mos tatohen dy herë. "Unë e di, që për ju të gjithë koha është e rëndësishme, sepse ju duhet të arrini shpejt diçka. Popullsia juaj pret përgjigje të shpejta prej jush dhe ne duam të përpiqemi, që të jemi më të shpejtë", premtoi Merkel duke iu adresuar kryetarëve të shteteve afrikane të pranishëm në samitin e Berlinit.

Image
Compact with Africa-Konferenz në Berlin

Më të shpejtë është fjala kyç, sepse kjo konferencë investimesh është si një ekspozitë shitjeje. Kryetarët e shteteve afrikane prezantohen veçmas dhe e vlerësojnë nismën Compact with Africa. "Ne e mbështesim padurimin e Merkelit për të parë suksese të prekshme dhe që mund të evaluohen", nënvizon presidenti i Ruandës, Paul Kagame. Njëmbëdhjetë vende afrikane janë aktualsiht pjesë e kësaj nisme. Ato marrin përsipër të realizojnë reformat e politikave ekonomike. Partnerët perëndimorë venë në dispozicion ekspertizën teknike dhe ndihmojnë në tërheqjen e investitorëve. "Partneriteti mes Afrikës dhe vendeve të grupit G20 ka potencial të madh, për ta ndryshuar jetën e njerëzve dhe gjendjen ekonomike në këto vende", thotë presidenti i Afrikës së Jugut Cyril Ramaphosa. Drejtuesit e firmave gjermane vlerësojnë shanset e mëdha që ofrojnë tregjet afrikane. Përpara kamerave të medias, u nënshkruan premtime investimesh në vlera milionash. Moderatorja në këtë konferencë përmend me zë vlerën e secilit investim, sikur kjo të ishte oferta e fundit në një ankand.

Image
Angela Merkel

Kritika për mungesë efikasiteti

Konferenca duhet të dërgojë një sinjal të qartë: Compact with Africa funksionon. Por në realitet bilanci është i dobët. Ndonëse vendet e nismës Compact i zbatojnë reformat, investimet nuk janë rritur. Edhe numri i firmave gjermane, që investojnë në Afrikë, po rritet ngadalë. Ekspertët janë të një mendimi, se efektet e nismave të tilla mund të jenë të prekshme pas disa vitesh.

Kritikët gjithashtu mendojnë, se është e diskutueshme nëse masat e qeverisë gjermane vërtetë do të ndihmojnë për ta luftuar varfërinë në Afrikë. Ndër të tjera ata nënvizojnë edhe faktin, që një sërë vendesh afrikane mbeten jashtë nismave të tilla, vetëm sepse ato nuk janë joshëse për investitorët./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat