"Si evropianë të mendojmë në mënyrë më sovrane"

Bota

"Si evropianë të mendojmë në mënyrë më sovrane"

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 09:12
Donald Trump

Asnjëherë më parë zgjedhjet në SHBA, Midterms, nuk kanë tërhequr kaq shumë vëmendjen. Shumë evropianë shpresojnë që zgjedhjet e ndërmjetme ta frenojnë presidentin Donald Trump.

Gjermanëve u intereson, si edhe evropianëve të tjerë, në këto zgjedhje të ndërmjetme vetëm një gjë: ata duan të dinë a do ta ndryshojë kursin në politikën e jashtme Presidenti Donald Trump, po t'i fitojnë Midterms demokratët. Disa shkojnë edhe më larg dhe duan që kongresi të nisë një procedurë shkarkimi "impeachment" për largimin e Presidentit nga posti. Në 6 nëntor në SHBA do të zgjidhen nga e para të gjithë deputetët e Dhomës së Përfaqësuesve. Në dhomën e dytë, në senat, zgjidhet një e treta e vendeve. Në të dyja dhomat republikanët kanë për momentin shumicën.  

Më shumë kontroll për Presidentin e SHBA?

Historikisht në Midterms në SHBA është forcuar kampi opozitar. Këtë e shpreson edhe kryetari i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, Elmar Brok. Do të ishte mirë për Checks and Balances që demokratët të fitonin të paktën një nga dhomat, thotë ai. Por nga ana tjetër, rreziku është që në një rast të tillë "Presidenti Trumpi të përqendrohet plotësisht në marrëdhëniet me jashtë. Kjo mund të na bënte edhe më nervozë". Drejtimi i ri politikës tregtare të SHBA nën Trumpin ka shkaktuar përplasje të forta thuajse me të gjitha shtetet e industrializuara.

Luftë tregtare midis aleatëve

Image

Eksperti për SHBA në "Shoqërinë Gjermane për Politikën e Jashtme", Josef Braml nuk pret ndryshim në politikën tregtare në SHBA, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet e ndërmjetme. "Demokratët ka kohë që janë radikalizuar, përsa i përket tregtisë së lirë. Ata ka edhe më shumë kohë që kanë marrë qëndrim proteksionist. Ajo që është e re është që Trumpi u ka dhënë një zë edhe proteksionistëve te Republikanët". Madje një shumicë demokrate do ta bënte Trumpin që të miratonte me ta projekte miliardëshe për infrastrukturën e brendshme. Me këtë do të siguronte bazën për t'u rizgjedhur si President.

Përsa i përket variantit që Trumpi të largohet para kohe nga posti, në Berlin dhe në Bruksel dëgjohen tone të përmbajtura. Nëse hetuesi i posaçëm Mueller do të gjejë kundërpazare të dënueshme të Trumpit me Rusinë në fushatën elektorale, mund të nisë një procedurë shkarkimi e Trumpit. Një shumicë demokrate në Dhomën e Përfaqësuesve mund ta niste procedurën.

Por në kohën e vazhdimit të kësaj procedure, Trumpi mund ta kërkonte shpëtimin në një goditje ushtarake kundër Iranit ose Koresë së Veriut. Procedura e shkarkimit të tij do të kthehej atëherë shpejt në një lojë me zjarrin.

Si emërues i përbashkët mund të thuhet: pavarësisht si do të përfundojnë këto zgjedhje, nga pikëpamja evropiane nuk pritet të ndryshojnë shumë gjëra për mirë. "Ne duhet të mendojmë vetë, ne si evropianë duhet të mësojmë të mendojmë më sovrane", thotë Josef Braml. Ai e ka fjalën për një strategji më rezultative dhe të besueshme, me të cilën BE të përqendrohet në politikën botërore - pavarësisht nga ai që do të jetë në SHBA ose si do të venë Midterms./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat