NATO: Përpjekje për shpëtimin e marrëveshjes INF me Rusinë

Bota

NATO: Përpjekje për shpëtimin e marrëveshjes INF me Rusinë

Më: 2 nëntor 2018 Në ora: 09:16
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg

Rusia e ka shkelur marrëveshjen INF për kontrollin e armatimeve, si rrjedhojë SHBA do të dalë nga marrëveshja. Grindja ka të bëjë me raketat nukleare, konstruktimin dhe posedimin e të cilave e ndalon INF.

Gjatë një takimi të këshillit të NATO-s me Rusinë në Bruksel vendet anëtare të aleancës i bënë thirrje Rusisë, që t'u përgjigjet plotësisht detyrimeve të saj nga marrëveshja INF.  Marrëveshja mes SHBA-së dhe ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1987 ua ndalon të partnerëve ndërtimin dhe posedimin e raketave dhe kokave shpërthyese me një rreze nga 500 deri në 5500 kilometra. NATO është e gatshme të vazhdojë dialogun me Rusinë, por duhet edhe të ruajë sigurinë e vendeve anëtare, tha sekretari i përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg.

Rusia do të zhvillojë sistemin e ndaluar të raketave

Takimi në nivelin e ambasadorëve u zhvillua në kuartierin qendror të NATO-s në Bruksel. Ky ishte takimi i parë i Këshillit NATO-Rusi, qëkurse presidenti i SHBA-së Donald Trump deklaroi se do të dalë nga marrëveshja INF për shkak të mosrespektimit të saj prej Rusisë.

SHBA e akuzon Rusinë prej kohësh, se me zhvillimin e një sistemi raketash, që në Perëndim quhet SSC-8 dhe në Rusi 9M729, po shkel marrëveshjen. Gjermania dhe shumë vende të tjera europiane partnere të NATO-s e shohin me shumë kritikë deklarimin e Trumpit. Në verë aleatët ranë dakord, që të vazhdojnë të angazhohen "pa kufizim" për ruajtjen e  "marrëveshjes udhërrëfyese të kontrollit të armatimeve". Shkelja e marrëveshjes nga Rusia duhet të marrë fund e kjo duhet arritur përmes dialogut.

Stoltenberg pas takimit në Bruksel kritikoi, që Moska nuk arriti t'i shmangë rezervat që ekzistojnë lidhur me sistemin e raketave. SHBA dhe NATO mendojnë, që rrezja e veprimit të këtij sistemi e tejkalon normën e parashikuar në marrëveshje INF me distancat nga 500 deri në 5500 km. I dërguari rus në takimin e Brukselit i hodhi poshtë kritikat dhe deklaroi, se Moska do të vazhdojë t'i japë informaconet e kërkuara, mësohet nga qarqet diplomatike.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Ursula von der Leyen, kritikoi si SHBA edhe Rusinë. "Na vjen keq, që SHBA e vë në pikëpyetje marrëveshjen INF", tha ajo në kuadër të vizitës gjatë manovrës së NATO-s në Norvegji. Njëkohësisht ajo shprehu "keqardhjen, që Rusia nuk ishte në gjendje të dëshmonte bindshëm, se po e respekton marrëveshjen". Sipas saj, vendimtare është që të gjithë anëtarët e NATO-s të përfshihen në konsutimet për marrëveshjen INF. "Eshtë jashtëzakonisht e rëndësishme për kontrollin e armatimeve, por është e rëndësishme edhe për sigurinë e Europës", tha von der Leyen. Ajo theksoi, se duhet bërë gjithëka për ta shpëtuar marrëveshjen ose për ta ruajtur atë të modifikuar.

Këshilli NATO-Rusi është krijuar në vitin 2002 dhe konsideorhet si një forum i rëndësishëm për bisedimet mes Rusisë dhe aleancës ushtarake. Për shkak të konfliktit në Ukrainë që nga viti 2014 deri në prill 2016 ky forum u pezullua. Që nga ajo kohë deri në takimin e fundit (31.10) këshilli është mbledhur gjithsej tetë herë./DW/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat