Sanksione për Iranin: SHBA pa respekt për partnerin europian?

Bota

Sanksione për Iranin: SHBA pa respekt për partnerin europian?

Më: 5 nëntor 2018 Në ora: 11:52
Mike Pompeo

Nga kjo e hënë (05.11.) hyjnë në fuqi sanksionet e reja kundër Iranit. Sipërmarrjet që i injorojnë ato do të ndëshkohen. SHBA ka bërë disa përjashtime për disa vende, por jo për europianët.

Sanksione të reja masive kundër Iranit kanë hyrë në fuqi nga 5 Nëntori. SHBA i drejton ato kundër sektorit të naftës dhe atij financiar. Por të prekur janë edhe shtetet e treta që bëjnë biznese me Iranin. SHBA duan të detyrojnë Iranin që të rinegociojë marrëveshjen atomike të nënshkruar në vitin 2015 me SHBA, Kinën, Rusinë, Gjermaninë e Francën.

Rohani: Do t'i thyejmë sanksionet

Irani akuzon SHBA, se kërkon të gjunjëzojë këtë vend dhe se kërkon ndryshimin e regjimit. Presidenti iranian, Hasan Rohani pak para hyrjes në fuqi të sanksioneve u shpreh, se vendi i tij do t'i anashkalojë me krenari masat ndëshkuese ilegale amerikane që shkelin rregullat ndërkombëtare.

Qeveria amerikane kërkon të ndëshkojë fort sipërmarrjet që nuk i respektojnë sanksionet. Efekt kërcënues ka përjashtimi i sipërmarrjeve të tilla nga sistemi financiar amerikan, pasi ato nuk do mund të kryejnë biznesin në dollarë amerikanë. Të prekura janë edhe firmat gjermane.

"Pa respekt për partneritetin transatlantik"

Image

Sipas raportimeve në media, Uashingtoni kërkon të bëjë përjashtime për disa vende në importin e naftës. Importuesit më të mëdhenj të naftës iraniane, si Kina, India, Koreja e Jugut dhe Turqia përjashtohen nga sanksionet. Për europianët SHBA nuk do të bëjë asnjë përjashtim, bëri të ditur Sekretari i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo në televizionin, CBS.

Politikani i gjelbër gjerman, Omid Nouripour deklaroi se është e papërfytyrueshme, që firmat japoneze dhe turke me gjasë përjashtohen nga sanksionet, por jo ato europiane. "Kjo ofron një pamje dramatike për qëndrimin pa respekt të Shtëpisë së Bardhë ndaj partneritetit transatlantik", tha politikani gjerman. Presidenti Trump e shfuqizoi marrëveshjen atomike, për të cilën u deshën 12 vjet, një premtim elektoral i tij, pa marrë parasysh rëndimin e marrëdhënieve me aleatët europianë.

Për të mbajtur të paktën më këmbë një pjesë të marrëdhënieve ekonomike me Iranin, europianët po punojnë për krijimin e një shoqërie ekonomike të posaçme që do të mundësojë bizneset me Iranin në formën e shkëmbimit të mallit, pa derdhje parash. Se kur do të fillojë nga puna kjo shoqëri është e paqartë. Nga qarqet e BE-së bëhet e ditur, se ende duhen sqaruar çështje të rëndësishme teknike, juridike dhe politike. Ndërkohë në Iran mijëra vetë demonstruan kundër sanksioneve amerikane dhe presidentit amerikan, Donald Trump./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat