BE dhe Irani zotohen se do t'i përmbahen paktit bërthamor

Bota

BE dhe Irani zotohen se do t'i përmbahen paktit bërthamor

Më: 26 nëntor 2018 Në ora: 13:26
Foto ilustrim

Bashkimi Evropian dhe Irani shprehën mbështetjen e tyre për marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe thanë se do ta mbajnë "të gjallë", pavarësisht vendimit të presidentit amerikan, Donald Trump, për t'u tërhequr nga pakti.

Përpara bisedimeve BE-Iran mbi bashkëpunimin civil bërthamor, që mbahen sot në Bruksel, komisionari për energji i BE-së, Arias Canete, tha se marrëveshja është "vendimtare për sigurinë e Evropës, të rajonit dhe të gjithë botës".

Ai tha se marrëveshja, që kufizon ambiciet bërthamore të Iranit, është duke funksionuar.

"Ne nuk shohim ndonjë alternativë të besueshme paqësore", shtoi Canete.

Nënpresidenti i Iranit, Ali Akbar Salehi, tha se nëse marrëveshja prishet, "do të ishte shumë keq, situata do të ishte e paparashikueshme".

Trump ka vendosur të tërhiqet nga marrëveshja e vitit 2015 në muajin maj, duke thënë se ajo nuk e parandalon Iranin që të bëhet fuqi bërthamore.

Për rrjedhojë, ai i ka rikthyer sanksionet kundër Republikës Islamike, duke goditur sektorët e saj kryesorë ekonomikë. Nënshkrues të marrëveshjes janë edhe Britania, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat