Margaret MacMillan:Si kanë ndryshuar luftërat 2 shekujt e fundit, dhe si mund të shmanget një luftë e re botërore

Bota

Margaret MacMillan:Si kanë ndryshuar luftërat 2 shekujt e fundit, dhe si mund të shmanget një luftë e re botërore

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 00:26
Foto ilustrim

Jeni shprehur se duhet të dimë se çfarë do të thotë luftë. A mos ndoshta e kemi harruar domethënien e saj?

Ne shohim filma rreth luftës, ose luajmë video-lojëra rreth luftës, dhe ekziston rreziku që ne ta shohim atë me simpati. Unë mendoj se njerëzit nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë që njerëzit të lëndohen, vriten, dhe që shtëpitë e tyre të shkatërrohen. Unë gjithashtu mendoj se ka një prirje, për të parë luftën si diçka që është gjithnjë e më hi-tech dhe e largët. Sot ka mundësi që nga Arizona dikush të komandojë dronët, që bombardojnë në Afganistan apo Somali ose kudo.

A duhet të flasim për përfitimet e padëshiruara nga lufta? Luftërat e shekullit XX-të përparuan shkencën dhe teknologjinë, nxitën ndryshimet sociale dhe në disa raste ndihmuan në një organizim më të mirë të shoqërisë…

Pasojat e paqëllimshme të luftës, mund të sjellin ndryshime të dobishme. Është një paradoks:lufta nuk është një gjë e mirë, por mund të sjellë rezultate efikase. Ndryshimet në pozicionet e grupeve të caktuara sociale, janë nxitur shpesh nga lufta.

Pas Luftës së Parë Botërore, përfituan më shumë të drejta gratë dhe klasat e punëtorëve.  Pra, luftërat mund të tregojnë se grupet e margjinalizuara më herët, janë të vlefshme për shoqërinë në luftë. Askush nuk e nis një luftë, me synimin për t’i bërë këto gjëra, por ndonjëherë ato janë pasoja të paqëllimshme.

Në një nga leksionet tuaja, ju flisni mbi natyrën në ndryshim të asaj që ishte dikur, dhe që është sot të qenit një ushtar…

Në Perëndim, nga ku mora shumicën e shembujve të mi (por unë mendoj se ndoshta ishte e vërtetë në mbarë botën), deri në shekullin XVIII-të, oficerët vinin nga klasat e larta, dhe prej tyre pritej të ishin të guximshëm në betejë. Kjo ishte thjesht pjesë e etikës. Por njerëzit e zakonshëm nuk dëshironin të shkonin në ushtri.

Dhe në fakt, qeveritë nuk donin të rekrutonin njerëz të zellshëm produktivë si bujqit ose artizanët, pasi kjo do të ishte një humbje. Natyra e luftës, varet shumë nga stërvitjet dhe nga bindja e pakuptueshme. Ndaj ushtarët e thjeshtë vinin shpesh nga segmentet e shoqërisë, për të cilat njerëzit mendonin se nuk kishin çfarë të jepnin në një fushë tjetër.

Për shembull, shpesh kriminelëve do t’u jepet mundësia të zgjidhnin nëse do të shkonin në burg, apo të bëheshin pjesë e ushtrisë dhe niseshin në frontin e luftës. Ajo që ndryshoi më pas, ishte se me Revolucionin Francez, njerëzit filluan të kishin një interes më të madh ndaj qeverisë së tyre, dhe nisën të mendonin se kishin një pjesë në të.

Në një farë kuptimi, ata e zotëronin atë. Kështu që njerëzit u shndërruan nga subjekte të një sunduesi, në qytetarë të diçkaje të quajtur komb. Dhe nëse je qytetar, kombi të përket edhe ty. Por në njëfarë mënyre edhe ju i përkisni atij, dhe keni një detyrim ndaj tij.

Revolucioni Francez, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve francezë, duke përfshirë gratë, të rinjtë dhe të moshuarit, që të viheshin në mbrojtje të revolucionit, pasi ishte revolucioni i tyre. Dhe kështu kemi lindjen e një lloj ushtari ndryshe. Revolucioni Industrial, bëri ndërkohë të mundur ngritjen e ushtrive shumë më të mëdha.

Ajo për të cilën kanë nevojë ushtritë dhe qeveritë, është fuqia punëtore – ata kanë nevojë për sa më shumë njerëz. Dhe kështu ata nisën të stërvisin llojet e njerëzve, me të cilët nuk do të ishin marrë më herët. Ata fillojnë të përdorin rekrutimin (jo britanikët, por ushtritë kontinentale) për të trajnuar njerëzit që punojnë, të cilët janë anëtarë produktivë të shoqërisë. Dhe kështu rekrutimi bëhet një pjesë shumë e rëndësishme, e ndërtimit të marrëdhënieve midis individëve dhe vendeve të tyre.

Sot shumë njerëz flasin me frikë për ngritjen e nacionalizmit dhe patriotizmit. Disa madje duket se besojnë, se ne mund të shkojmë drejt një lufte tjetër. A mund të rikthehemi në të njëjtën situatë ku ishim 100 vjet më parë?

Kjo varet shumë nga rrethanat. Para vitit 1914, kishte shumë njerëz që ishin tejet kritikë ndaj qeverisë dhe politikave të saj. Ata thoshin se nuk do të luftonin, edhe nëse shkonin në luftë, por pastaj filloi lufta, dhe papritmas gjërat dukeshin ndryshe. Mendoj se është shumë e vështirë të parashikohet se si reagojmë.

Unë jam kanadeze. Nëse mendoj që Kanadaja do të gjendet nën ndonjë kërcënim, unë mund të reagoj në mënyra që do të më befasonin edhe vetë. Sa për t’ju dhënë një shembull të vogël:Kanadezët priren të jenë shumë paqësorë, dhe ne e dimë se duhet të vazhdojmë të mbajmë raporte me mira me SHBA-në.

Por në vend ka një farë zemërimi, me mënyrën se si presidenti amerikan Donald Trump i ka trajtuar kanadezët, duke na etiketuar si një kërcënim për sigurinë ndaj SHBA. Dhe unë jam befasuar nga reagimi i kanadezëve. Shumë prej tyre thonë tani, se nuk do të vizitojnë më SHBA-në.

Unë gjithashtu mendoj se me kalimin e kohës, shoqëritë ndryshojnë. Shihni shoqëritë që kanë qenë shumë nacionaliste dhe militariste. Sot, 200 vjet më vonë, ato janë mjaft ndryshe. Në shekullin XVII, suedezët ishin tmerri i Evropës – ata ishin brutalë dhe shumë efikasë në luftë. Sot, Suedia është një vend paqësor. Në histori, asgjë nuk zgjat përgjithmonë.

A ekziston realisht “një luftë e drejtë”? A është tepër subjektive, dhe për këtë arsye e pamundur, të mendosh një arsye “të drejtë” për të shkuar në luftë?

Mendoj se ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi të përballemi me realitetin e luftës. Dhe nëse je një pacifist 24-karatësh, që beson se lufta mund të zhduket plotësisht, shumica prej nesh e pranojnë se lufta do të vazhdojë të ekzistojë në këtë botë. Çështja është si të përpiqemi t’i formësojnë dhe kontrollojmë këto luftëra.

Argumenti i “luftës së drejtë” është i vjetër, nga koha e Shën Agustininit dhe madje edhe para tij në kohën e Romës së Lashtë. Përpjekja për t’u thënë njerëzve:Shikoni, është në rregull të luftojmë nën këto dhe jo ato rrethana, mund të duket e kotë, por mendoj që ne duhet të vazhdojmë të përpiqemi ta bëjmë këtë.

Ne duhet të kufizojmë atë që mund të bëjmë në luftë. Duhet të themi, se nuk mund të shkojmë në një luftë dhe të vrasim civilë. Luftërat e agresionit – kur dikush dëshiron të pushtojë territorin e fqinjit- kemi tentuar gjithmonë të mos i miratojmë. Ne themi se duhet të ketë një arsye të fortë për të shkuar në luftë, dhe arsyeja më e mirë është vetëmbrojtja.

Ne kemi pasur shumë pak luftëra që nga viti 1945, ku njerëzit thjesht kanë thënë se dua ta rrëmbej atë territor. Kur e kanë bërë këtë, janë denoncuar nga të gjithë. Kur Iraku nën Sadam Huseinin pushtoi Kuvajtin në vitin 1990, pati një reagim shumë të fortë si në opinionin publik, ashtu edhe nga fuqitë botërore. Dhe mendoj se ka bërë një ndryshim.

Kombet do të bëjnë shumë për njëri-tjetrin, por nuk kemi pasur luftëra të plota të agresionit (ose, të paktën, jo shumë) për shumë dekada, çka në një lloj bilanci, duhet të konsiderohet një hap para.

Marrë me shkurtime nga “Spiked Review” – Bota.al

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat