Shefi bërthamor i Iranit paralajmëron BE-në: Teheranit po i soset durimi!

Bota

Shefi bërthamor i Iranit paralajmëron BE-në: Teheranit po i soset durimi!

Më: 28 nëntor 2018 Në ora: 06:35
Ali Akbar Salehi

Shefi bërthamor i Iranit tha se kishte paralajmëruar diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, se durimi i Teheranit po mbaronte, në lidhje me zotimet e bllokut për të mbajtur të fortë tregtinë e naftës, pavarësisht sanksioneve të SHBA.

Ali Akbar Salehi, kreu i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, tha se Republika Islamike mund të rifillojë pasurimin e uraniumit në 20 për qind pastërti, nëse nuk arrin të shohë përfitimet ekonomike të 2015-ës, marrëveshje që frenoi programin e saj bërthamor.

“Nëse ne nuk mund ta shesim naftën tonë dhe nuk gëzojmë transaksione financiare, atëherë nuk mendoj se mbajtja gjallë e marrëveshjes, do të na sjellë dobi”, tha Salehi për Reuters përpara një takimi me shefen e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini në Bruksel.

“Unë do të kaloj me siguri një fjalë të kujdesshme ndaj saj (Mogherini): Mendoj se periudha e durimit për popullin tonë po bëhet më e kufizuar. Ne po presim edhe jashtë afatit kohor që ishte supozuar”, deklaroi Salehi.

Pas takimit, Mogherini tha se ajo dhe Salehi mbeten të angazhuar për të mbrojtur marrëveshjen bërthamore. “Ata shprehën gjithashtu vendosmërinë e tyre për të ruajtur marrëveshjen bërthamore si një çështje e respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare dhe një shtylle kryesore për sigurinë evropiane dhe rajonale”, tha zyra e Mogherinit në një deklaratë.

Nën marrëveshjen e vitit 2015 me fuqitë botërore, Irani e kufizoi programin e tij të pasurimit, që shihet gjerësisht në Perëndim, si një përpjekje e maskuar për të zhvilluar mjetet për të bërë bomba atomike, në shkëmbim të dhënies fund të sanksioneve ndërkombëtare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat