Paqartësi për statusin e marrëdhënieve tregëtare SHBA-Kinë

Bota

Paqartësi për statusin e marrëdhënieve tregëtare SHBA-Kinë

Më: 6 dhjetor 2018 Në ora: 07:19
Mark Warner

Mesazhet kontradiktore nga Shtëpia e Bardhë lidhur me një përparim të mundshëm në mosmarrëveshjet tregëtare mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, lidhur me një heshtje relative nga ana e Pekinit, i kanë lënë shumë ligjvënës amerikanë të pasigurt se ku saktësisht qendrojnë këto marrëdhënie mes dy gjigantëve ekonomikë.

Për ditë të tëra, Presidenti Donald Trump ka ngritur lart marrëveshjet që ai tha se arriti me homologun e tij kinez, Xi Jinping, në takimin e nivelit të lartë të G 20-s në Argjentinë, nga një shtyrje prej 90 ditësh për shtimin e tarifave ndaj eksporteve të njëri-tjetrit, tek një angazhim kinez për të blerë prodhime bujqësore amerikane, e deri tek një pakësim taksash kineze ndaj automjeteve amerikane.

Senatori nga Virxhinia Mark Warner tha se nuk do të habitej nëse zoti Trump po i sajonte ato që thotë, thjesht për të gjeneruar për të paktën një ditë me lajme pozitive për të.

Kryekëshilltari ekonomik i Presidentit Trump, Larry Kudlow e mbështet pretendimin e presidentit për një marrëdhënie të mirë me presidentin Xi, por ai shton se përgatitjet janë bërë për marrëveshjen tregëtare mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara.

"Nuk dua t’ju shkurajoj, por Kina i diskutoi këto tema me Shtetet e Bashkuara shumë herë gjatë viteve dhe rezultatet nuk kanë qenë shumë pozitive. Këtë radhë, siç e thashë, kam shpresa se po bëjmë shumë më tepër se ç’është bërë ndonjëherë më parë. Ata po bashkëpunojnë më shumë se kurrë ndonjëherë më parë”, tha ai.

Zyrtarët kinezë nuk kanë konfirmuar detaje për ndonjë përparim lidhur me tregtinë dhe nuk kanë bërë deri tani komente publike./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat