Alekseyeva vlerësohet si “gjigante” e lëvizjes për të drejtat e njeriut

Bota

Alekseyeva vlerësohet si “gjigante” e lëvizjes për të drejtat e njeriut

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 13:09
Lyudmila Alekseyeva

Aktivistët për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe diplomatë, kanë vlerësuar lartë figurën e Lyudmila Alekseyeva dhe përkushtimin e saj në luftën për drejtësi në Bashkimin Sovjetik dhe Rusi, duke e cilësuar atë si shembull inspirues.

Alekseyeva, një veterane e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, që sfidoi qeverinë sovjetike dhe presidentin Vladimir Putin, vdiq në Moskë më 9 dhjetor, njoftoi Këshilli presidencial për të Drejtat e Njeriut. Ajo ishte 91-vjeçe.

Ende nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes, por Këshilli tha se Aleksyeva, e cila vdiq në një spital të Moskës, është trajtuar disa herë për sëmundje të paspecifikuara.

“Është një humbje e madhe për gjithë lëvizjen për të drejtat e njeriut në Rusi”, citohet të ketë thënë kreu i këtij Këshilli, Mikhail Fedotov.

“Për shumë persona, ajo ishte dhe do të jetë shpirti i lëvizjes për të drejtat e njeriut, një shembull që ne duhet të ndjekim”, tha grupi i Helsinkit në Moskë.

Alekseyeva u bë aktiviste e të drejtave të njeriut në vitet e 50-a në Bashkimin Sovjetik, u largua në ekzil dhe më pas u kthye që të vazhdojë punën e saj në Rusi, pasi u shpërbë Bashkimi Sovjetik.

Ajo bashkëthemeloi për të drejtat e njeriut Grupit të Helsinkit në Moskë më 1976. Brenda një viti, anëtarët e këtij grupi ishin arrestuar dhe më pas ishin detyruar që të shkonin në ekzil.

Alekseyeva së bashku me familjen e saj ishte larguar për në Shtetet e Bashkuara më 1977, ku vazhdoi punën në avokimin për të drejtat e njeriut dhe punoi si kontribuuese për Radion Evropa e Lirë dhe Zërin e Amerikës, deri më 1993, kur dhe u kthye në Rusi.

Më pas ajo u shndërrua në figurën kryesore të lëvizjes për të drejtat e njeriut, duke denoncuar shkeljet në kohën e udhëheqjes së shtetit nga presidenti Boris Yeltsin.

Së fundmi, cak i punës së saj ka qenë regjimi i butë autoritar, i prezantuar nga presidenti Putin dhe partia e tij udhëheqëse, Rusia e Bashkuar.

Kenneth Roth, drejtor ekzekutiv i Human Rights Watch me bazë në Nju Jork, ka shkruar në Twitter lidhur me vdekjen e Alekseyevas.

“Kemi humbur një gjigante të mesin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut – një mbrojtëse të guximshme dhe parimore të të drejtave të njeriut për të gjithë rusët, që prej ditëve të errëta të Bashkimit Sovjetik deri në ditët gjithnjë e më të errëta të Putinit”, ka shkruar ai.

Bill Browder, një britanik i lindur në SHBA, që më herët ka qenë njëri prej investitorëve më të mëdhenj të huaj në Rusi dhe tashmë është bërë aktivistë për të drejtat e rusëve, e ka quajtur Alekseyevan “aktivisten më të guximshme në Rusi dhe person që në mënyrën më efektive fajësoi Putinin dhe shokët e tij për vrasjen e Sergei Magnitskyt”.

Kur Magnitsky, një avokat për anti-korrupsion, vdiq në një qendër paraburgimi më 2009, Alekseyeva loboi që vdekja e tij të hetohej.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Moskë ka thënë se puna “e guximshme e Alekseyevas në emër të viktimave të padrejtësisë dhe shtypjes shërben si një model për të gjithë ne”.

Presidentja e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Liliane Maury Pasquier, gjithashtu ka vlerësuar lartë figurën e Alekseyevas, e cila ka fituar çmimin “Vaclav Havel” për të drejtat e njeriut më 2015, që ky institucion ndan për të nderuar veprimet e shoqërisë civile në mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

“Përkushtimi i saj për të sfiduar padrejtësinë e ka përcjell atë gjatë gjithë jetës së saj, pavarësisht kërcënimeve dhe persekutimit”, ka thënë Pasquier në një deklaratë.

Komisionerja për të drejtat e njeriut e Këshillit të Evropës, Dunja Mijatoviq, e ka përshkruar Alekseyevan si “forcë të vërtetë të natyrës” dhe ka thënë se puna e saj për të drejtat e njeriut në Rusi “do të jetë inspirim për shumë persona”.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland e ka quajtur Alekseyevan “miken dhe martriarke botërore e të drejtave të njeriut”, duke shtuar se “do të na mungojë të gjithëve”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se presidenti Putin vlerëson kontributin e Alekseyevas në zhvillimin e shoqërisë civile në Rusi dhe ka respektuar qëndrimet e saj në shumë çështje.

Kryeministri rus, Dmitry Medvedev ka vlerësuar “kurajën e saj, dedikimin dhe qëndrueshmërinë e palëkundur” në mbrojtjen e pikëpamjeve të saj dhe ka shkruar në Facebook se vdekja e Alekseyevas, është “një humbje e madhe” për lëvizjen e të drejtave të njeriut në Rusi./REL

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat