Dhoma e përfaqësuesve e cilëson gjenocid fushatën kundër Rohingyave

Bota

Dhoma e përfaqësuesve e cilëson gjenocid fushatën kundër Rohingyave

Më: 14 dhjetor 2018 Në ora: 07:41
Rohingya

Dhoma e Përfaqësuesve miratoi të enjten me 394 vota, një rezolutë me të cilën e deklaron gjenocid, fushatën ushtarake të Mianmarit kundër pakicës myslimane Rohingya.

Një raport i Kombeve të Bashkuara, i publikuar në muajin gusht, theksonte se ushtria kreu vrasje dhe përdhunime masive "me synim gjenocidi” dhe bëri thirrje që zyrtarët e Mianmarit të përballen me akuza për gjenocid.

Ushtria e Mianmarit i kishte mohuar në vazhdimësi akuzat e deritashme për gjenocid, duke theksuar se veprimet e saj ishin pjesë e një fushate kundër terrorizmit.

Një koalicion i organizatave myslimane në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, mirëpriti rezolutën.

"Dhoma e Përfaqësuesve tani zyrtarisht ka miratuar qëndrimin se politikat e vazhdueshme të dhunës masive dhe zhvendosjes kundër Rohingyave nga qeveria e Myanmarit, paraqesin gjenocid, duke i çuar Shtetet e Bashkuara më afër konsensusit ndërkombëtar mbi këtë çështje."

Zakonisht Departamenti amerikan i shtetit shpall qëndrime të tilla, por ai nuk e ka përdorur fjalën gjenocid në përshkrimin e mizorive ushtarake kundër Rohingyave.

Në rezolutë i bëhet thirrje po ashtu qeverisë së Mianmarit që të lirojë gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters, Wa Lone dhe Kyaw Soe Oo, që po mbahen në burg tash e një vit.

Ata u dënuan me 7 vjet heqje lirie nën akuzat për shkeljen e Aktit të Sekretit Zyrtar të vitit 1923, kur Mianmari quhej Birmani dhe ishte nën sundimin kolonial të Britanisë.

Ambasada e Mianmarit në Washington, nuk komentoi votën në Dhomën e Përfaqësuesve./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat