Xi Jinping: Askush nuk mund t’ia diktojë rrugën Kinës

Bota

Xi Jinping: Askush nuk mund t’ia diktojë rrugën Kinës

Më: 18 dhjetor 2018 Në ora: 11:17
Xi Jinping

Kina feston sot solemnisht 40 vitet e reformës ekonomike që e nxorën në vendin e dytë të fuqive ekonomike botërore, ndërkohë që presidenti Xi Jinping ka kundërshtuar çdo ndërhyrje të huaj në rrugën e ndjekur nga Pekini.

Duke garantuar se vendi i tij do të qëndrojë në rrugën e hapjes dhe të reformave, Xi Jinping nuk ka njoftuar asnjë masë konkrete në këtë drejtim dhe ka ritheksuar supremacinë e Partisë Komuniste Kineze (PKK) në pushtet.

“Askush nuk mund t’i thotë popullit kinez atë që duhet të bëjë apo të mos bëjë”, deklaroi Xi gjatë një fjalimi prej gati një orë e gjysmë që i dedikohet progreseve spektakolare ekonomike dhe sociale të Kinës që prej fillimit të reformave më 18 dhjetor 1978 nga Ten Hsiao Pin, transmeton atsh.

Kjo deklaratë e presidentit më të fuqishëm të Kinës që prej kohës së Mao Ce Dunit (1949-1976), vjen në një çast që Pekini po përballet me një presion të fuqishëm nga SHBA-ja, që pret ndryshime strukturore në ekonominë e tij.

Stabiliteti

“Ndonëse hapje dhe reforma janë fjalët kryesore, ato duhet të bashkohen me ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe t’i mundësojnë Kinës që të rritet në cilësi, të rrisë inovacionin dhe t’i përgjigjet sfidave bashkëkohore si lufta kundër ndotjes”, shpjegon Xi.

Presidenti kinez vuri theksin mbi ekuilibrin mes reformave, zhvillimit dhe stabilitetit, në një kohë që Kina, me një borxh shumë të lartë, po përballet me një ngadalësim të ekonomisë së saj.

“Përballë pasigurisë së vazhduar të jashtme dhe rreziqeve që lidhen me përpjekjet për uljen e borxhit, krerët kinezë ritheksuan vendosmërinë që të zbusin politikat dhe të përshpejtojnë reformat për të përforcuar ekonominë kombëtare”, theksojnë analistët e HSBC.

Ekonomia kineze po vuan nga përpjekjet e qeverisë për të ulur borxhin, që e kanë detyruar të ndjekë një politikë kreditimi të ngushtuar dhe të tërhiqet pjesërisht nga investimet në infrastruktura.

Nëse lufta tregtare me SHBA-në do të vazhdojë, ajo do të hapë gjithashtu perspektiva negative për eksportuesen e parë të planetit.

Por, për Wu Qiang, një analist politik në Pekin, “ky konflikt mund të jetë një shans”.

”Nëse Partia Komuniste është mjaftueshëm inteligjente, ajo mund të fillojë një fazë të dytë reformash dhe hapjeje duke modifikuar njëkohësisht rolin e partisë dhe të shtetit”, thotë Wu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat