Eliminimi i “Tre luanëve”, në Angli cilësohen si heronj

Botërori 2018

Eliminimi i “Tre luanëve”, në Angli cilësohen si heronj

Më: 12 korrik 2018 Në ora: 13:46
“Tre Luanët” nuk mundën dot të kalonin Kroacinë

Nga entuziazmi i madh, Anglia kaloi në mënyrë të rrufeshme te zhgënjimi.

“Tre Luanët” nuk mundën dot të kalonin Kroacinë, duke u frenuar sërish në fazën gjysmëfinale të një turneu madhor si Kupa e Botës, e megjithatë për Gareth Southgate e të besuarit e tij kishte duartrokitje dhe mesazhe inkurajuese nga personalitetet më të mëdha të vendit ishullor, ata sportivë e jo vetëm.

Princi William ishte ndër të parët që reagoi, duke shprehur mbështetjen e tij nëpërmjet një postimi në “Twitter”, duke iu drejtuar lojtarëve dhe trajnerit anglez.

“Zhvilluat një Botëror të jashtëzakonshëm, bëtë historinë dhe na dhatë diçka ku të besojmë. E dimë që kjo skuadër do të jetë diçka më shumë në të ardhmen”, shkroi ai.

Fjalë ngushëlluese dhe inkurajuese u thanë edhe nga kampioni i botës në Formulën 1, Lewis Hamilton.

“Më bëtë të ndihem krenar që jam britanik, – shkruante Hamilton në rrjetet sociale. – Jam i sigurtë se një ditë futbolli do të kthehet në shtëpi”.

Nuk mund të mungonin në këtë seri mesazhesh ato të një personaliteti si Gary Lineker, pasi bëri komplimentat e tij për “Tre Luanët”, duke shprehur besimin se do të përmirësohen. Por, ai nuk harroi të lëshojë edhe disa shigjeta kundër politikanëve britanikë, duke theksuar se ata kujtohen për sportin kur u shkon për shtat.

Media angleze, që në përgjithësi ka qenë shumë kritike ndaj skuadrës së Anglisë, këtë radhë ndryshoi sjellje kundrejt “Tre Luanëve”.

“Po kthehemi në shtëpi. Anglia u mund nga Kroacia në një gjysmëfinale të paharrueshme, që u mbyll në kohët shtesë”, shkruante Daily Mail.

“Zemërthyer, por krenarë”, shkruan tabloidi britanik për atë çfarë ndodhi me Anglinë në këtë gjysmëfinale. “The Guardian” flet për ëndrrën e thyer të Anglisë pas golit të Mario Mandzukiç, ndërsa te “The Independent” publikohet artikulli me titullin “Përfundoi! Heronjtë anglezë jashtë Botërorit”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat