Çiklistët marshojnë kundër ajrit të ndotur, kërkojnë nga qytetarët të shfrytëzojnë biçikletat

Çiklizëm

Çiklistët marshojnë kundër ajrit të ndotur, kërkojnë nga qytetarët të shfrytëzojnë biçikletat

Më: 23 shkurt 2020 Në ora: 13:34
Çiklistët marshojnë kundër ajrit të ndotur

Përveç kushteve minimale të infrastrukturës dhe sigurisë, çiklistët thonë se tani po përballen edhe me ajër të pashëndetshëm, i cili vjen si rrjedhojë e dominimit të mjeteve motorike në rrugët e kryeqytetit. Këtë situatë çiklistët po e shohin si pengesë që ky mjet të përdoret edhe më shumë.

E për të shprehur këtë shqetësim ata sot organizuan edhe marsh kundër ajrit të ndotur në kryeqytet i cili pikën e startit e pati te Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës dhe përfundoi në Gërmi.

Organizatorët thanë se marshi i ditës së sotme kishte për qëllim edhe vetëdijesimin e shoqërisë drejt përdorimit të biçikletës si transport i qëndrueshëm dhe miqësor me mjedisin.

Në përkrahje të këtij marshi doli edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, sipas të cilit drejtuesit e automjeteve duhet të jenë më të kujdesshëm në raport me çiklistët.

Bajqinovci tha se duhet sa më shpejtë të krijohen rrugë për çiklistët në mënyrë që këta të fundit t’i kenë trasetë e tyre.

Bajqinovci theksoi se, do t’ i mbështesë gjithmonë çiklistët dhe do të kontribuojë në vetëdijesimin e qytetarëve për rëndësinë e këtij sporti.

Çiklistja Vera Nika tha se aktiviteti i sotëm ka për qëllim ngritjen e vetëdijes qytetare për këtë sport, sipas saj jo rastësisht nisjen e këtij aktiviteti e kanë bërë te njëra ndër zonat më të ndotura e që është ajo pranë Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës për të kaluar te pika më e pastër e që është parku i Gërmisë.

Nika u shpreh e bindur se ky marsh do t’i vetëdijësojë dhe aftësojë qytetarët për ruajtjen e ambientit në mënyrë që çiklistët të kenë më të lehtë zbatimin e këtij sporti.

Në përkrahje të këtij aktiviteti ishte edhe Policia e Kosovës të cilët u kujdesen për sigurinë e çiklistëve me automjete hibrid të cilat gjithashtu janë miqësore me ambientin.

Ndryshe, ky marsh u organizua në kuadër të projektit “Çiklo sigurt Prishtinë”. I njëjti është pjesë e projektit “Empoëer – Engage – Build Ownership”, financuar nga fondet e Bashkimit Evropian, menaxhuar nga Zyra e BE në Kosovë European Union Kosovo, mbështetur nga Balkan Green Foundation dhe Institute for Development Policy (INDEP) dhe implementuar nga Klubi Alpin Prishtina.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat