Bie dominimi i Marquez, çfarë rivaliteti në Klasin Mbretëror

Çiklizëm

Bie dominimi i Marquez, çfarë rivaliteti në Klasin Mbretëror

Më: 19 tetor 2020 Në ora: 17:21
Alex Rins

Pas dominimit absolut të pilotit spanjoll Marc Marquez, kampionati botëror i motoçiklizmit në Klasin Mbretëror ka kaluar në një stad tjetër, ku nuk ka padron dhe në këtë kompeticion mund të fitojnë të gjithë. Ditën e diel, në Spanjë, në Çmimin e Madh të Aragonës, triumfoi piloti vendas Alex Rins, me Suzukin. 24-vjeçari nga Barcelona u bë piloti i tetë i ndryshëm që fiton në tetë garat e fundit të edicionit të 72-të në Kategorinë Elitare të kampionatit botëror të motoçiklizmit.

Kampioni në fuqi është duke vuajtur pasojat e atij rrëzimi në fillim të sezonit, ndërsa 7 herë kampioni i botës, Valentino Rossi, është shumë pranë mbylljes së karrierës. Rivaliteti është ndezur në maksimum dhe në pistë nuk ka më favoritë, gjithsesi është e kuptueshme që bëhet fjalë për një edicion tepër të veçantë, në cilindratën më të lakmuar të këtij sporti. Gjithçka lidhet në mënyrë të pashmangshme pikërisht me virusin COVID-19 dhe shtyrjen tepër të gjatë të këtij edicioni, sidoqoftë garat nuk është se janë influencuar shumë dhe në pistë kanë ndodhur nga të gjitha. Duke filluar nga gara e fundit, ku triumfoi pra piloti katalanas, që nuk fitonte në Moto Gp që nga edicioni i kaluar, më saktë që nga gara e Silverstonit në Çmimin e Britanisë së Madhe.

Fitorja në pistën “MotorLand Aragon”, në Alcaniz, është e treta në karrierë për 24-vjeçarin nga Katalunja dhe e treta gjithashtu për Suzukin në këto dy sezonet e fundit. Pasi mbajti lart vitin e kaluar flamurin e markës së famshme japoneze me dy fitore, këtë sezon Alex Rins shtoi shtëpinë e famshme prodhuese nga “vendi i lindjes së diellit” në listën e konstruktorëve që ia kanë dalë mbanë për të fituar të paktën një garë në edicionin e sivjetshëm.

Spikat Yamaha që ka triumfuar në gjysmën e garave të zhvilluara, pra me plot 5 fitore, ndërkohë ndjekin nga prapa Ducati dhe marka austriake KTM me nga 2, ndërsa Suzuki plotëson kuadrin e listës fituese të konstruktorëve.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat