Aksidentoi rëndë çiklistin, Groenewegen pezullohet 9 muaj

Çiklizëm

Aksidentoi rëndë çiklistin, Groenewegen pezullohet 9 muaj

Më: 11 nëntor 2020 Në ora: 15:03
Aksidentoi rëndë çiklistin, Groenewegen pezullohet 9 muaj

Çiklisti i Jumbo-Visma Dylan Groenewegen, është dënuar me një pezullim prej 9 muajsh pasi shkaktoi përplasjen e rëndë që la Fabio Jakobsen në koma, gjatë Turit të Polonisë. Sportisti holandez Groenewegen devijoi nga linja e tij, duke përplasur Jakobsen te barrierat kufizuese pak para se të arrinin në vijën e finishit në garën që u zhvillua 5 gushtin e kaluar. Një veprim që u gjykua gjerësisht si i qëllimshëm, ndërkohë që edhe pamjet filmike në disa kënde konfirmojnë se gjesti i Groeneweegn nuk ishte aksidental.

Edhe hetimet në lidhje më çështjen dolën në përfundimin se veprimi i çiklistit holandez ishte i qëllimshëm. Dënimi i tij nis që nga data e incidentit dhe do të përfundojë në 7 maj të vitit të ardhshëm. Çiklisti i Deceuninck-QuickStep, Jakobsen, më vonë pas atij aksidenti të frikshëm tha se ishte i lumtur që ishte ende gjallë. Atij iu desh të kalonte një javë në terapi intensive dhe të kryente dy operacione për të rindërtuar fytyrën dhe nofullën, ndërkohë që ka ende të tjera ndërhyrje kirrgjikale që i janë programuar për vitin 2021.

Një zëdhënës i skuadrës Deceuninck-Quick Step tha për BBC Sports se Jakobsen po rikuperohet mirë. Ndërkohë në një komunikatë Groenewegen 27-vjeçar shprehet: “Përplasja në etapën e parë të Turit të Polonisë do të mbetet përgjithmonë një faqe e zezë në karrierën time.

Pasojat ishin shumë serioze, jam i ndërgjegjshëm për këtë dhe shpresoj se ky ka qenë një mësim për çdo çiklist. Ndjek nga shumë afër lajmet për rikuperimin e Jacobsen dhe veçse mund të shpresoj që një ditë ai të rikthehet krejtësisht siç ka qenë. Mbyllja e kësaj çështjeje disiplinore do të thotë që më në fund gjithçka është e qartë. Kjo më jep mundësinë që të shikoj përpara”.

Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit deklaroi se Groenewegen, që edhe vetë pësoi dëmtime gjatë aksidentit dhe iu nënshtrua një operacioni në klavikul, do të lejohet të marrë pjesë në një sërë eventesh që janë në të mirë të komunitetit çiklistik.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat