Reagon kreu i çiklizmit

Çiklizëm

Reagon kreu i çiklizmit

Më: 11 prill 2021 Në ora: 11:14
Reagon kreu i çiklizmit

Pas deklaratave të forta ish-president të KOKSH, Viron Bezhani, i cili ndër të tjera akuzoi edhe Skënder Anxhakun duke e quajtur një vegël të Stavri Bellos të përfshirë në veprime të jashtëligjshme, ka ardhur edhe reagimi i kreut të Çiklizmit.

Nëpërmjet një prononcimi për “Panorama Sport”, Anxhaku replikon me Bezhanin, teksa thotë se do ta çojë në prokurori për shpifje: “Bezhanin do ta denoncoj në prokurori për prishje imazhi.

Për këtë njeri unë do të bëj kallëzim penal”, shprehet fillimisht Anxhaku, i cili më pas sqaron pozicionin e tij në proceset e zhvilluara në KOKSH, ndërsa e quan Bezhanin një njeri të paaftë dhe përgjegjës për situatën ku ndodhet sporti në vend: “Unë s’kam mbledhur asnjë firmë të kundërligjshme, por kam vepruar ashtu siç thotë statuti duke respektuar rezolutën në mënyrë që sporti shqiptar të shkojë në Lojërat Olimpike. Unë i kam dal borxhit Viron Bezhanit, pasi jam ulur me të dhe i kam thënë:

‘Në qoftë se e shikon datën 23 dhjetor të jashtëligjshme, atëherë cakto datën 13 dhe të largohesh si president i nderuar’, por Vironi ngatërron këmbët e tij me këmbët e të tjerëve. Për mua Viron Bezhani është njeriu më i paaftë dhe është ai që e ka çuar sportin shqiptar në këtë pikë, me deklarata të rreme dhe mashtrime, duke akuzuar njerëzit për hajdutë.

Nëse ka prova të rregullta, le t’i dorëzojë në prokurori dhe gjykatë e të mos merret me fjalë kot poshtë e përpjetë sepse i ul imazhit të atit, sepse ai vetë si njeri nuk ka as karakter dhe as dinjitet.

Të mos vazhdojë më të merret me fjalë pazari. Unë personalisht jam i gatshëm të përballem me të në çdo moment”.

Më pas Anxhaku flet edhe për situatën e krijuar me federatat që rrezikojnë pjesëmarrjen në asamblenë zgjedhore të 17 prillit për shkak se nuk kanë plotësuar ende dokumentacionin që parashikon statuti: “Të gjitha procedurat janë bërë konform ligjit.

Asnjë federatë nuk është përjashtuar. Ato kanë mangësi në dokumentacion dhe janë njoftuar që brenda 5 ditëve t’i plotësojnë sipas rregullave të gjitha letrat”. Anxhaku e mbyll prononcimin e tij duke shprehur hapur mbështetjen për kandidatin Fidel Ylli: “Në KOKSH pritet të vijë një erë e re, me njerëz të rinj, të cilët do ta çojnë përpara sportin shqiptar. Fidel Ylli nuk ka ndërhyrë për t’u bërë president i Komitetit Olimpik, por ka ndërhyrë për ta rregulluar Komitetin Olimpik Kombëtar Shqiptar”, përfundoi prononcimin e tij kreu i Çiklizmit.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat