Chris Froome, pjesëmarrës në Xhiron e Andaluzisë – pret vendimin nga U.C.I.

Çiklizëm

Chris Froome, pjesëmarrës në Xhiron e Andaluzisë – pret vendimin nga U.C.I.

Më: 5 shkurt 2018 Në ora: 21:36
Chris Froome

Chris Froome do të startojë sezonin në Xhiron e Andaluzisë, Ruta del Sol.

Lajmi u bë i ditur nga vetë drejtuesit e skuadrës britanike Sky, që konfirmuan pjesëmarrjen e 32-vjeçarit në aktivitetin e përvitshëm çiklistik, që zhvillohet si zakonisht në jug të Spanjës.

Që të gjithë të apasionuarit e këtij sporti megjithatë janë duke pritur me ankth pikërisht vendimin që do të marrë U.C.I., Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit në lidhje me çiklistin e famshëm britanik, analizat e të cilit në Vueltën e Vitit 2017 rezultuan jo negative.

Gjithçka u bë e ditur më datën 13 dhjetor, kur u konfirmua rezultati i kampionit të urinës, të Chris Froome dhe kontrollit të ushtruar në muajin shtator.

Froome, që ka fituar 4 nga 5 edicionet e fundit të kompeticionit më të rëndësishëm të këtij sporti, Turit të Francës, u justifikua duke shpjeguar se kishte ndjekur pikërisht këshillat e doktorëve të Team Sky, që e kishin nxitur për të shtuar dozën e salbutamolit, për të kuruar një astmë akute, që iu shfaq vetëm pak ditë përpara se të bëhej testi i urinës.

Historia dihet, Chris Froome nuk rezultoi i pastër, pasi sasia e lejuar e Agjencisë Botërore të Antidopingut është thjesht 1.000 nanogram, ndërsa analizat e çiklistit britanik në momentin e kryerjes së testit, në javën e fundit të Vuelta-s, konfirmuan praninë dhe përqëndrimin në trupin e Chris Froome të dyfishit të sasisë së lejuar, të substancës së quajtur Salbutamol, pra plot 2.000 nanogram.

Deri tani Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit nuk ka marrë asnjë masë për të ndëshkuar çiklistin e famshëm britanik, sidoqoftë Froome vetë është shfaqur tepër i qetë, duke deklaruar se e kupton më së miri situatën por ka besim që bashkë me skuadrën do t’i çojnë gjërat deri në fund, për të sqaruar sa më mirë atë që ka ndodhur.

Çiklizmi është një ndër sportet më të përfolur në lidhje me përdorimin në masë të gjerë të substancave të ndaluara, e një rast i tillë kuptohet është tepër delikat dhe vë në dyshim pastërtinë, besueshëmrinë, integritetin por mbi të gjitha edhe barazinë ndërmjet çiklistëve, për më tepër në një sport që sundohet dhe komandohet nga paratë dhe sponsorë tepër të fuqishëm. S

humë shpejt pra pritet që Chris Froome të ketë një takim me drejtuesit më të lartë të Federatës Ndërkombëtare të Ciklizmit, për të shpjeguar arsyen përse sasia e salbutamolit në kampionin e tij të urinës rezultoi dy herë më e lartë se sa norma e lejuar, gjithsesi, nëse konsiderohet fajtor, atëherë çiklistit britanik jo vetëm që do t’i hiqej titulli i Vuelta-s, por gjithashtu do të pezullohej edhe nga të gjitha aktivitetet për një periudhë shumë të gjatë kohe.

Turi i Andaluzisë “Ruta del Sol” sivjet do të mbahet nga data 14 – 18 shkurt, aktivitet në të cilin në gjashtë edicionet e fundit ka fituar pesë herë Alejandro Valverde, ndërsa Chris Froome vetë ka triumfuar në vitin 2015.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat