"Është obligim që diaspora të jetë pjesë e Programit Nacional për Rininë"

Diaspora

"Është obligim që diaspora të jetë pjesë e Programit Nacional për Rininë"

Më: 20 dhjetor 2018 Në ora: 18:35
Hoti gjatë takimit në diasporë

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Kosovës, Rexhep Hoti, i shoqëruar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër, Heroina Telaku, ka zhvilluar takim zyrtar me udhëheqësit e shoqatave shqiptare dhe shkollave shqipe që veprojnë në Londër të Anglisë si “Kosova”, “Faik Konica”, “Qendra Shqiptare”, “Nena Terezë”, etj.

Hoti para tyre shpalosi Programin Nacional për Rininë i cili parasheh përfshirjen e nxënësve dhe studentëve shqiptarë të diasporës në garën e nivelit republikan.

“Jam shumë i lumtur që para jush po prezantoj një program për rininë dhe një program që brenda tij parasheh edhe pjesëmarrjen e diasporës. I kemi përfshirë edhe nxënësit tuaj në program sepse mërgata ka një rëndësi të veçantë për vendin, sepse ju jeni pjesë e pandashme e atdheut. Nëpërmjet këtij programi presim që të rinjtë shqiptarë që jetojnë në Angli të vijnë në Kosovë për të garuar me bashkëmoshatarët e tyre. Ky program do t’u mundësojë atyre një komunikim më intenziv dhe atraktiv me atdheun në të gjitha garat që ata do të marrin pjesë”, tha koordinatori Hoti duke shtuar se Kosova e ka për obligim dhe është duke punuar në atë drejtim që diasporën të mbetet pjesë e pandashme e saj.

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport u premtoi shoqatave se do t’ua sjellë të përkthyera testet edhe në gjuhët në të cilat nxënësit e mërgatës e zhvillojnë mësimin.

E përfaqësuesit e shoqatave shqiptare që veprojnë në Londër duke përgëzuar Koordinatorin Hoti për Programin, u shprehën të lumtur që fëmijët e diasporës do të përfshihen në Programin Nacional për Rininë. Ata theksuan se diaspora ka shumë talentë të cilët kanë nevojë për t’u nxitur për të marrë pjesë në gara dhe për ta dëshmuar veten, si dhe u shprehën të gatshëm që të ndihmojnë në implementimin e programit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat