Çerek shekulli me veprimtari atdhetare! - Bota Sot
Çerek shekulli me veprimtari atdhetare!

Diaspora

Çerek shekulli me veprimtari atdhetare!

Nga: Beqir Cikaqi Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 15:23
Avdi Beqiri

Parimi im është të vazhdoj veprimtarin e aktivitetit pa u marrën me dobësitë e të tjerëve; pranoj çdo këshillë a sugjerim të drejtë, por jo imponime; i urrejë thashethemet dhe intrigat!...  

Avdi Beqiri nuk është emër i pa njohur për migracionin shqiptar në Itali. Për aktivitetin e tij të frytshëm është shkruare raportuar në gazeta, radio, televizione jo vetëm në shqipe, por edhe në ato vendore italiane. Ka mbi dy decenie që jeton e vepron në Krahinën e Viçencës në Itali, gjegjësisht në Bassano del Grappa. Për veprimtarin e tij të frytshme si individ dhe si kryetar i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi Kombëtar”, që nuk është disa muajsh apo ndonjë vit, por plot një çerek shekulli pa ndërpre, me gjithë sukseset dhe sfidat e përballuar, duke mos e anashkaluar edhe synimet e ma tejme, lexuesit do të njoftohen përmes kësaj interviste.

 - Duke iu falënderuar që pranuat të intervistoheni, për fillim shkurtimisht një profil tuajin?

Gjithashtu faleminderit! Unë jam Avdi Beqiri, i lindur në fshatin Dubovc të Vushtrrisë në vitin 1957. Shkollimin fillor e kam kryer në fshatin e lindjes, atë të mesme kam filluar në Vushtrri, mandej kam vazhduar shkollimin në Mitrovicë. Deri në vitet e 90-ta kam punuar në Kompaninë UNIVERZAL në Prishtinë. Që nga vitet e 90-ta edhe unë si shumë shqiptar, pas largimit prej pune nga regjimi i atëhershëm i Millosheviqit, kam marr rrugën për Evropë. Fillimisht për dy vite kam qen në Zvicër, ku për mungesë të dokumentit të udhëtimit isha i detyruar të kthehem. Në Kosovë jeta ekzistenciale vështirësohej në përgjithësi, ndërsa mua dhe familjen time në veçanti, pasi nuk kishim burime financiare ekzistuese, prandaj detyrohem të marr sërish rrugën e migrimit, por kësaj radhe u orientova për Itali dhe u stacionova në Krahinën e Viçencës, gjegjësisht në  Bassano del Grappa, ku edhe tani jetojë e punojë që nga viti 1994. Fillimisht isha vet, më vonë e kam sjellë edhe pjesën tjetër të familjes. Përndryshe, jam i martuar, kam një djalë dhe dy vajza tashmë të rritur e të sistemuar, madje jam edhe gjysh. Qe disa vite kam edhe shtetësi italiane, pa e humbur atë të atdheut tim të lindjes. Jam autor i librit KUJTIMET E NJË MËRGIMTARI, njëkohësisht kam në dorëshkrim pjesën e dytë të këtij libri...

-  Si e gjete organizimin e shqiptarëve në këtë pjesë të Italisë?

Organizimi i mërgatës shqiptare në këtë pjesë të Italisë, po thuajse fare nuk kishte ekzistuar, edhe pse numri i tyre nuk ishte i vogël. Kishte nevojë për një organizim të koordinuar në mesin e mërgatës së këtushme. Në kontakte e biseda me bashkatdhetar e vëreja një gatishmëri  të tillë nga të gjithë. Por, në realitet edhe kushtet nuk ishin të favorshme, sepse shumica, ndër ta edhe unë nuk ishim të sistemuar me leje qëndrim e punë, për të pasur mundësi të merrem me ndonjë organizim tjetër. Kështu me rregullimin e leje qëndrimit na u hapen rrugët që të bëjmë diçka në drejtimin e organizimit të shqiptarëve në këtë lokalitet italian. Për pjesën tjetër të Italisë ku jetojnë shqiptaret nuk dinim asgjë, sepse në ato vite edhe komunikimi ishte i mangët, për arsye të kushteve dhe rrethanave që ekzistonin. Por me kalimin e kohës rrjeti i informimit dhe komunikimit filloi të jetë ma i favorshëm, që na epte mundësin e bashkë organizimeve të mundshme...

-  Jeni ndër themeluesit e Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi Kombëtar”, çfarë iu nxiti të merrni një hap të tillë?

Po, ashtu! Unë isha iniciues dhe me përkrahjen e të tjerëve edhe themelues i Shoqatës Kulturore Shqiptare “Bashkimi Kombëtar”. Inicimi i formimit të shoqatës pati një përkrahje të jashtëzakonshme nga bashkatdhetarët tan, pa marr parasysh prej nga vinin këtu. Formimi i një shoqate jo që ishte nevojë, por edhe domosdoshmëri për organizime më të lehta. Popullata shqiptare në Kosovë kishte nevojë për ndihma materiale, si kurrë  më parë deri atëherë! Përmes shoqatës lejohej edhe nga autoritetet vendore grumbullimi dhe arsyetimi i ndihmave humanitare, sikurse edhe organizimet kombëtare dhe kulturore e sportive që do ti mbulonte shoqata. Kështu pa i bërë një vit qëndrimit, e finalizova iniciativën e formimin të shoqatës, kuptohet së bashku me përkrahjen e bashkatdhetarëve tjerë. Kjo ishte edhe një dëshirë e të gjithë shqiptarëve që jetonin në këtë lokalitet. Edhe emërimi i saj ishte i njëzëshëm “Bashkimi Kombëtar”, pasi aty gjeten veten të gjithë shqiptarët pa varësisht moshe, feje, gjinie dhe regjioni i atdheut nga vijnë...

-  Është thënë edhe nga të tjerët, se ishit iniciator e kontribuues i themelimit të shoqatës ishit ju. Çka iu shtyri të ndërmerrni një hap të tillë?

Nga momenti kur jam nisur për në migrim, rreth njëqind metra sa u largova nga shtëpia, hasa në  grumbullin e njerëzve që prisnin me radhë të merrnin ndihma humanitare, sepse Mitrovica në atë kohë ishte njëra nga zonat më të rrezikuar në gjithë Kosovën e nevojshme për ndihma humanitare të popullsisë shqiptar... Nga aty iu shpreha shoqëruesit tim Eset Mehmetit(që u nisëm bashkë për Itali) se në qoftë se  kem fat të sistemohemi, do të kujdesem edhe për këta njerëz nevojtar...! Bashkëshoqëruesi im shprehu habi, duke më thënë:” hajt ore mos fol pa lidhje, ti akoma nuk po e din vet se ku po shkon, e po imagjinon për të tjerët!”... Dhe, pas formimit të shoqatës grumbulluam ndihma, jo vetëm për Mitrovicën, por edhe për pjesët tjera ku shqiptarët kishin nevojë. Unë ndihem krenar dhe tepër i lumtur për  realizimin e një mundësie të tillë të imagjinuar ma parë...Aktiviteti i shoqatës nuk ishte vetëm për çështje humanitare, por edhe sensibilizim e çështjes së Kosovës me një opinion të drejtë jo vetëm te italianët, por edhe te të tjerët, madje edhe te shqiptarët që ishin të pa informuar sa e si duhet. Grumbullimi i ndihmave dhe mjeteve tjera vazhdoi edhe gjatë kohës së luftës, ku në Bassano del Grappa kishte selinë qendra e grumbullimit, që nga këtu u drejtonin për Kosovë dhe vendet tjera të zhvendosjes së popullit. Isha edhe anëtar i këshillit qendror në fondin e tre përqindëshit për Itali...

Image

-  Nga ajo kohë e deri më tani kanë kaluar mbi dy dekada, cilat janë problemet dhe sukseset që kanë përcjell shoqatën ku ti e drejton?

Është e vërtet se kanë kaluar mbi dy dekada, në krye të shoqatës “Bashkimi Kombëtar”. Jam i lumtur dhe krenar që kam pasur mundësi të kontribuojë, duke i falënderuar të gjithë të tjerët që më përkrahen në këtë veprimtari sepse është një periudhë e gjatë kohe. Problemet dhe sukseset që kanë përcjellë shoqatën janë të ndryshme. Më shumë kemi pasur suksese, se problemet janë të natyrës së zakonshme, kryesisht ato financiare, sidomos viteve të fundit. Si shqetësim më duhet ta përmend se individ të caktuar  që japin vlerësime paushallë për destinacionin e shoqatës, kur dihet se shoqata nuk është prodhuese, por promovuese e aktiviteteve të mirëfillta kulturore shqiptare, sportive e humanitare. Ndërsa sukseset janë të vazhdueshme që nga themelimi i e deri më tani, duke krijuar një opinion të drejtë tek vendorët dhe komunitetet tjera që jetojnë e punojnë në këtë lokalitet italian. Kontaktet me organet vendore, me Ambasadën shqiptare në Itali, me Ambasadën  Kosovës, me zyrtar nga dy shtetet shqiptare; me hapjen e Shkollës shqipe të MP për fëmijët shqiptar, etj. Në aspektin sportiv përveç turnirëve në futboll të vogël, e konsiderojmë edhe sukses formimin e skuadrës së futbollit “Skënderbeu”  që bëri gara dy sezone në kampionatin italian të provincës në futboll të madh... Organizojmë çdo vit festa për “28 Nëntorin”,”17 Shkurtin”, përfundimin e vitit shkollor, që koçidonë edhe me 12 qershorin. Jemi shoqata e parë që kemi organizuar promovime librash, etj.etj. Në saje të organizimit dhe frymëzimeve nga sukseset e shoqatës tonë, janë formuar edhe disa shoqata tjera në mjedise ku jetojnë e punojnë shqiptar këtu në Itali. Ishim dhe mbesim të gatshëm ti ndihmojmë duke përcjellë përvojën dhe eksperiencën ton. Mendojë që sukseset  nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen...

- Keni një bashkëpunim të mirëfilltë me organet vendore, si keni arritur ta fitoni këtë besim bashkëveprimi?

Bashkëpunimi me organet vendore, sidomos komunën e Bassanos është në nivel të këndshëm, në saje të aktiviteteve dhe organizimeve që bënë shoqata jonë, si me drejtorit komunale, drejtuesit e komunës, me profesor Andolfaton, e më gjerë, do me thënë kemi një përafrim të përbashkët. Si kryetar i shoqatës, përfaqësojë shqiptarët dhe të tjerët në dy drejtori/komunitete. Në atë të binjakëzimit, ku kem iniciuar procedurën e binjakëzimit të Mitrovicës me Bassano del Grappa.

Në saje të këtij bashkëpunimi dhe aktiviteti që zhvillon shoqata, nëpër festat tona çdo herë marrin pjesë zyrtar vendor. Kjo veprimtari shumë vjeçare e jona, ka bërë që këtë vit, komuna të na ndajë një lokal vetëm për nevoja të shoqatës “Bashkimi Kombëtar”. Së shpejti pritet të na sigurojë komuna një hapësirë me të gjitha lokalet ndihmëse për nevojat e shoqatës dhe shkollës shqipe.

Image

-Diçka për profesor Vittorio Andolfato, që kur jeni njohur!?

Unë, shoqata, shqiptarët në përgjithësi, kemi pasur fat që jemi njohur me profesor Vittorio Andolfato. Ky është një njeri shumë i çmuar. Janë të pakta fjalët të thuhen për meritat e tij në kontributin për shoqatën dhe shqiptarët. Fillimisht na ka përkrahur moralisht, madje edhe materialisht, duke filluar me shkollën, skuadrën e futbollit, kostumet për grupin e valleve dhe atë artistik, etj. Ai mer pjesë çdo herë në aktivitete që zhvillon shoqata, dhe natyrisht ka vendin dhe respektin e merituar. Çdo delegacion apo zyrtar që vjen nga Kosova e Shqipëria profesori është prezent me shumë dëshirë, përkundër shëndetit jo të mirë që ka në momente të caktuara. Profesori është njohës i mirë e historisë dhe çështjes shqiptare, ku edhe në bibliotekën e vet ka shumë libra të autorëve shqiptar dhe atyre që kanë shkruar për shqiptarët. Profesorin, përveç që e kam  mik shpije, shprehem lirisht se e kam edhe si mësues dhe këshilltar i imi personal. Që në fillim kur u njohëm më këshilloi që nëse do të kem suksese, mos i dëgjo çka thonë të tjerëve, nëse donë të kesh suksese, të bënë atë që mundesh pa u marrë me dobësitë e të tjerëve. Këtë sugjerim të profesorit e kam pasur parasysh gjithherë. Ne shqiptarët, miq si profesor Andolfaton duhet respektuar e nderuar gjithnjë.

-Shoqata ka edhe Shkollën Shqipe të Mësimit Plotësues, cili është suksesi në këtë drejtim?

Pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe formimin e organeve të përkohshme, shoqata e vlerësoi se prioritet është ruajtja e identitetit kombëtar jashtë atdheut, duke penguar asimilimin e gjeneratave të reja që jetojnë e lindin në diasporë. Andaj edhe hapem shkollën shqipe. Suksesi ma i madh i shoqatës, pa dyshim është Shkolla Shqipe MP, e hapur qysh në vitin 2001. Kishim mjaftë vështirësi, sepse ishim të parët që iniciuam këtë aktivitet në gjithë Italinë.  Edhe organet vendore kërkonin sqarime rreth kësaj çështje. Tekstet i siguruam në Zvicër, botime nga ish Qeveria në egzil e Kosovës. Më pas përveç që përkrahem hapjen e shkollave tjera në Montebeluna e Treviso, ato edhe i ndihmuam me sugjerime dhe tekste mësimore. Hapja e Shkollës shqipe kishte rëndësi të shumëfishtë, fëmijët shqiptar që vijonin iu shmangen asimilimit, festat e shoqatës  pasuroheshin me program nga nxënësit vijues. Por edhe pas përfundimit të vijimit, shumica i bashkohen grupit artistik dhe të valleve në Shoqatën Kulturore “Bashkimi Kombëtar”. Nder sukseset e shoqatës është edhe formimi i Këshillit të Mësuesve Shqiptar në nivel rajonal, që ishte bazë e formimit të Këshillit të Mësuesve Shqiptar në Itali. Gjithashtu është shkolla e parë shqipe dhe e vetme deri tani, që ka të botuar monografinë për aktivitetin  dhjetëvjeçar, sponsorizuar e ndihmuar nga shoqata.

Image

- Përveç mësimit, shënimit të përvjetorëve, promovimit të librave, etj. cilat janë (nëse mund të shprehem!) veprimtarit e veçanta që ka zhvilluar Shoqata...?

Si veprimtari e veçanet për këtë vit është mbajtja e SEMINARI DIDAKTIK PËR MËSUESIT E GJUHËS DHE KULTURËS SHQIPTARE NË ITALI të organizuar nga Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, nga MASHT-i Kosovës dhe IPR e Shkollës së lartë Pedagogjike të Cyrihut, nikoqire e së cilës ishte shoqata jonë “Bashkimi Kombëtar”. Ishte një veprimtari që për herë të parë u mbajt në Itali, duke mbledhur mësues nga e gjithë Italia për tri ditë rresht. Ky seminar ishte shumë i suksesshëm, ky ishte vlerësim i përgjegjësve nga MeDIS dhe MASHT-i, të cilët këso seminare kanë organizuar edhe në shtete tjera evropiane dhe në atdhe. Me këtë u vërtetua edhe një herë se shoqata jon gjithnjë është e para në gjithçka kur është fjala për çështje madhore e kombëtare. Gjithashtu edhe te organet vendore kur jemi prezent në manifestimet e tyre ndihen mirë duke na prezantuar si përfaqësues të komunitetit shqiptar. Sikurse Seminari i mbajtur në Bassano që mblodhi mësuesit nga gjithë Italia, edhe në ORËN LETRARE të mbajtur nga Shoqata jonë, mblodhi krijues e poet nga gjithë Italia edhe shtetet për rreth.

- Jeni autor i librit KUJTIMET E NJË MËRGIMTARI, cili është mesazhi i këtij libri?

Me thënë të drejtën fillimisht pata menduar të shkruaj një Monografi  për Shoqatë, në bazë të dëshmive që kisha të ruajtura në dokumente e të mbajtura gjatë aktivitetit. Mirëpo në konsultim me redaktorin Shkëlzen Halimi u kuptuam të jetë një libër kujtimi. Me këtë në librin “KUJTIMET E NJË MËRGIMTARI” i botuar me 2013, i kam paraqitur disa nga kujtimet e mia gjatë jetës në migracion. Pas shpërndarjes së librit shumë nga ata që e lexuan, kishin vërejtjet se nuk janë përfshi edhe disa ngjarje. Dhe vërtetë kanë  mbetur edhe shumë gjëra pa u përfshi aty, si dhe përjetime të tjera pas vitit të botimit, andaj jam duke e përgatitë për botim edhe pjesën e dytë të këtij libri. Vet titulli i librit tregon mesazhin e qartë të përjetimeve të mia, që përgjithësisht janë të ngjashme me pjesën dërmuese të popullit tim, të cilit i takojë.

- Meqenëse veprimtaria e juaj është ngushtë e lidhur me aktivitetin e Shoqatës “Bashkimi Kombëtar” cilat janë planet?

Përveç aktiviteteve të përvitshme, momentalisht shoqata nuk ka ndonjë plan të veçanet. Do të vazhdojmë me aktivitetet, një ditë mbase do të zëvendësohem  me postin e  kryetarit të Shoqatës “Bashkimi Kombëtar”. Parimi im është të vazhdoj veprimtarin e aktivitetit pa u marrën me dobësitë e të tjerëve; pranoj çdo këshillë a sugjerim të drejtë, por jo imponimet; i urrejë thashethemet dhe intrigat!...  Planet e mia personale përveç obligimeve që kam ndaj familjes, sikurse e ceka ma lart e kam në plan ta botojë vazhdimin e pjesës së dytë të librit.

- Tani jem në fund të vitit kalendarik, cili është mesazhi i juaj? - I falënderoj pa fund  të gjithë ata që kanë ndihmuar, përkrahur, financuar, sponsorizuar me vite të tëra Shoqatën Kulturore “Bashkimi Kombëtar” dhe mua si kryetar i shoqatës. Gjithashtu një falënderim iu shkon edhe  për mjetet e informimit në gjuhen shqipe e italiane të shkruara dhe elektronike që kanë raportuar e shkruar për shoqatën “Bashkimi Kombëtar”. Meqenëse jemi në prag të Vitit Ri i urojë të gjithë shqiptaret kudo që janë,  me dëshirën ma të madhe që t’i realizojnë të gjitha planet me sukses  për vitin 2019 dhe vitet tjera në vazhdimësi! Gëzuar shqiptar kudo që jeni!

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...