Xheni Çuni dhe mrekullia e artit përtej syve

Diaspora

Xheni Çuni dhe mrekullia e artit përtej syve

Nga: Besim Xhelili Më: 1 shkurt 2019 Në ora: 14:41
Xheni Çuni

Në diasporë jetojnë dhe veprojnë një numër i madh shqiptarësh, që merren me art, kulturë dhe të tjera veprimtari të ngjashme, duke përfaqësuar së pari vetveten, talentin dhe aftësitë intelektuale, artistike e krijuese, por gjithashtu duke na bërë krenarë edhe si komb në tërësi. Një nga këta është edhe Xheni Çuni, një fotografe dhe artiste e mirëfilltë nga Dyseldorfi i Gjermanisë, e cila përkundër moshës së re, ka një bagazh të pasur me vepra pas shpine, por edhe premton krijimtari të përkryer për të ardhmen.

Xheni është në përfundim të studimeve për art dhe film pranë Akademisë së Arteve në Dyseldorf të Gjermanisë, nga ku kanë dalë një numër i madh artistësh me famë botërore. Me këtë rast, në datat 6-10 shkurt 2019, ajo prezanton projektin e saj të radhës “Përtej syve” (titulli nw origjinal: Beyond eyes), një ekspozitë pak më ndryshe. Tema dhe fotografitë e saj këtu shfaqin njerëzit që kanë humbur shikimin, pra të verbërit që bëjnë art, megjithëse nuk e shohin artin e tyre me sytë e tyre. Pikërisht kjo është edhe ideja dhe mrekullia e artit, dmth. ai përjetohet në shpirt, buron nga brendia e shikohet me sytë e zemrës. Ky projekt paraqet artistët e verbër përmes fotografive dhe pamjeve filmike. Më tutje, sqarojnë artistët se si ata krijojnë dhe ushtrojnë artin e tyre. Mungesa e shikimit aspak nuk është ndonjë pengesë për të bërë art dhe për t’i dhënë lirinë imagjinatës, abstraksionit dhe shpalosjes së ndjenjave përmes pikturës, ngjyrave dhe brushës. Këta njerëz shfrytëzojnë burime të tjera gjatë realizimit të artit të tyre si: dëgjimin, tingëllimën, nuhatjen, shijen, aromën etj, duke i kombinuar me intuitën, ndjenjën dhe kujtimet.

Xheni Çuni është një fotografe, puna e të cilës fokusohet në tema që lidhen me artin vizual, njerëzit dhe bukurinë natyrore. Ajo ka ekspozuar punën e saj në Akademinë e Arteve të qytetit të Dyseldorfit, Gjermani, dhe gjithashtu në qytete të ndryshme të Gjermanisë dhe në mbarë botën. Përveç kësaj, në vitin 2011 ajo mori një çmim në Awards Worldwide Photography Gala. Xheni e konsideron fotografinë një perceptim vizual të njerëzve dhe historisë së tyre. Për shkak të procesit të globalizimit në vazhdim, multikulturalizmi është një gjë e zakonshme në prodhimin e artit. Ajo percepton individët si përmes objektivit të kamerës së saj, ashtu edhe prej përvojës së saj multikulturore. Fotot e saj tregojnë historinë e njerëzve, bukurinë e tyre të brendshme dhe i ndihmojnë ata të zbulojnë veten në një mënyrë të re.

Xheni është prezantuar në disa ekspozita në Shqipëri, Kosovë, Turqi, Gjermani, Australi etj, dhe ka marrë disa çmime për punën dhe artin e saj.

Ekspozita do të jetë e hapur nga 6-10 shkurt 2019, nga ora 10-20, në KUNSTAKADEMIE DÜSSELDORF, adresa: Eiskellerstraße 1, 40213 Düsseldorf, RAUM 112.

Për më shumë informata mund të vizitohet webfaqja e artistes në adresën: www.xheni.com.

Xhenit i urojmë shëndet, mbarësi dhe suksese të mëtutjeshme!

Image

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat