Hynin në market për të vjedhur kokainën tek bananet, goditen shqiptarët në Gjermani - Bota Sot
Hynin në market për të vjedhur kokainën tek bananet, goditen shqiptarët në Gjermani

Diaspora

Hynin në market për të vjedhur kokainën tek bananet, goditen shqiptarët në Gjermani

Më: 13 shkurt 2019 Në ora: 21:31
Ilustrim

Autoritetet gjermane kanë goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikut të drogës, pasi gjetën kokainë të fshehur në ngarkesat e bananeve.

Rasti tani është në gjykim, e mes të akuzuarve ka edhe shqiptarë, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Akuza janë ngritur ndaj 8 personave, që dyshohet se janë pjesë e një rrjeti edhe më të madh të trafikut të kokainës. Rrjeti thuhet se ka sjellë rreth dy tonë kokainë në Gjermani, nga shtatori i vitit 2017 deri në prill të vitit 2018.

Procesi mund të rezultojë në një nga gjykimet më të mëdha të kokainës në historinë e Gjermanisë. Në shtator të 2017-s, stafi në një supermarket në Bavari kishte zbuluar pako kokaine të fshehura në kuti bananesh.

Hetuesit gjurmuan ngarkesat dhe mësuan se kishte pasur grabitje të përsëritura në magazinat ku bananet dhe frutat e tjera mbaheshin, para se të shpërndaheshin në Gjermani dhe Europë.

Një operacion i madh gjurmimi dhe përgjimi bëri që të ekspozoheshin trafikantët e drogës. Kokaina fshihej në ngarkesat e bananeve nga Ekuadori, që shkonin për një kompani specifike që operonte në Gjermani.

Të dyshuarit futeshin në magazina dhe vidhnin kokainën, deri në 320 kilogramë në çdo rast. Sipas hetuesve, grupe hajdutësh vinin edhe nga Shqipëria dhe kanë bërë të paktën 8 grabitje në magazina në disa lande gjermane.

Baza e grupit mendohet se ishte në Hamburg, ku një nga të dyshuarit kryesorë, 21-vjeçari Dario L., kishte marrë me qira një shtëpi. Ai mendohet se organizonte logjistikën, ndërsa një 25-vjeçar, Klajdi D., dyshohet se kryesonte grupet e grabitësve. Por është një 40-vjeçar, Alberto K., ai që mendohet se është truri i grupit. Hetuesit gjermanë besojnë ndërkohë se, grupi mbetet aktiv edhe në Shqipëri, Holandë dhe Amerikën e Jugut.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...