Superoperacion antidroge në Belgjikë e Zvicër, çmontohet banda shqiptaro-belge

Diaspora

Superoperacion antidroge në Belgjikë e Zvicër, çmontohet banda shqiptaro-belge

Më: 17 shkurt 2019 Në ora: 14:01
Policia belge

Një grup trafikantësh droge, i përbërë nga shtetas shqiptarë dhe belgë janë arrestuar në operacione policore të koordinuara dhe të zhvilluara në Belgjikë dhe Zvicër.

Hetimi i drejtuar nga Policia Gjyqësore Federale e Leuvenit në Belgjikë, me mbështetjen e “EUROPOL”-it, ka çuar në arrestime të shumëfishta në vendndodhje të ndryshme të të dyja shteteve më herët gjatë këtij muaji.

Autoritetet belge nisën hetimet në vjeshtën e vitit 2017, pasi policia kishte marrë informacione se një organizatë belgo-shqiptare do të trafikonte, import-eksport, sasi të mëdha lëndësh narkotike.

Bastisjet policore që u kryen mes datave 4 dhe 6 shkurt rezultuan në arrestimin e 22 të dyshuarve dhe burgosjen e 6 të tjerëve nga autoritetet në Leuven. Policia ndërhyri në 24 objekte banimi në Belgjikë, ndërsa në të njëjtën kohë u zhvilluan kontrolle edhe në Zvicër, raportoi këtë të premte “EUROPOL”.

Policia zbuloi 6 plantacione, me 4.500 rrënjë kanabisi gjithsej, ndërsa ajo që bie në sy gjatë operacionit ishte gjetja e një plantacioni kanabisi me 1.000 rrënjë brenda një ish-klubi striptizmi. Ky plantacion ruhej nga dy të dyshuar me origjinë shqiptare. Ndërkohë, edhe në plantacionet e tjera ishin po shqiptarët që bënin roje, teksa qëndronin në mënyrë të paligjshme në vend.

Sa i përket operacionit, një sasi e madhe kanabisi, armësh zjarri, jelekësh antiplumb dhe 10 mijë euro “cash” u sekuestruan nga forcat policore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat