Shqiptarët e Finlandës festuan pavarësinë e Kosovës

Diaspora

Shqiptarët e Finlandës festuan pavarësinë e Kosovës

Më: 18 shkurt 2019 Në ora: 09:33
Pamje nga festa në Finlandë

Për nder të 11-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, Konsullja e Përgjithshme e Nderit e Shqipërisë në Finlandë, Dr. Liliana Verdha, dhe Biblioteka Sello e qytetit teknologjik Espoo, organizuan një "Mbasdite Shqiptare", ku, i Ftuar Nderi ishte gazetari i mirënjohur i Kanalit Televiziv Finlandez MTV3, Rauli Virtanen - raportues i luftës së shqiptarëve të Kosovës kundër genocidit serb gjatë viteve 1998-2002.  Me këtë rast u mblodhën përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare, të vendosur me banim në Finlandën Jugore në qytetet Espoo, Helsinki, Kerava, Kirkkonummi, Nummela, Porvoo, Vantaa etj. Po kështu, morën pjesë edhe mjaft miq finlandezë.

Pasditja u hap me Himnin e Kosovës, Himnin e Shqiptarëve, si dhe me Himnin e Finlandës. Më pas, punonjësi i Bibliotekës Sello, njëkohësisht Kryetar i Shoqatës së Miqësisë Finlandë-Kosovë, kosovari Gani Neziri, falenderoi të pranishmit për pjesmarrjen dhe u uroi "Gëzuar Pavarësia!".

Nga ana e saj, Konsullja e Nderit Lili Verdha theksoi rëndësinë historike të 17 Shkurtit 2008 jo vetëm për shqiptarët e Kosovës, por për gjithë kombin shqiptar, i cili, që pas shpalljes së Pavarësisë së shqiptarëve më 1912, ndoqi me dhimbje të madhe shtypjen dhe genocidin e papërshkrueshëm serb ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe të trojeve të tjera autoktone shqiptare, lënë fqinjit verior të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha të kohës. - "Prandaj, sot jemi mbledhur të gjithë, pa dallim krahine, të festojmë sëbashku Pavarësinë e Kosovës, fituar me gjak, në luftën e stërzgjatur për liri të kosovarëve dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në këto 11 vjet Kosova është konsoliduar si shtet i pavarur me kufi territorial të patjetërsueshëm dhe të padiskutueshëm".

Image

Më tej ajo tregoi se videotransmetimet e gazetarit Rauli Virtanen direkt nga fusha e luftës së fundit të Kosovës përbënë n'atë kohë njoftimet kryesore sensibilizuese për opinionin publik finlandez, që mblodhi për Kosovën ndihmat më të mëdha materiale të deriatëhershme, Duke e falenderuar, Konsullja Verdha ia dha fjalën gazetarit Rauli Virtanen.

Të pranishmit ndoqën me mjaft interes përshtypjet e tij nga udhëtimet e shpeshta n'ato vite në Kosovë, Maqedoni e Shqipëri. Ai tregoi se genocidi serb ndaj shqiptarëve të Kosovës kishte filluar më përpara se sulmi i NATO-s, ndryshe nga pretendimet e drejtuesve të Beogradit t'asaj kohe se sulmi i NATO-s i detyroi serbët të fillonin ndëshkimet e shqiptarëve! Rauli dënoi edhe një herë masakrat e atëhershme në Kosovë, si dhe shprehu pakënaqësinë për qëndrimin e tanishëm diskriminues të vendeve të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë mohuar qytetarëve të Kosovës të drejtën e vizave Shengen. - "I padrejtë është edhe vendimi për mosnjohjen e Republikës së Kosovës nga disa shtete", - tha ai, - "megjithëse mjaft prej tyre s'e kanë direkt me Kosovën. Ato kanë problemet e tyre të brendshme dhe tremben se po të njohin Kosovën, do t'iu duhet të njohin pavarësinë e krahinave të veta që kërkojnë të shkëputen. Edhe pse rasti i Kosovës është deklaruar se s'ka lidhje me to!"

Image

Nga ana tjetër, Rauli Virtanen tregoi se ruante respektin dhe miqësinë me mjaft shqiptarë dhe familje kosovare, që u kujdesën dhe e ruajtën atë gjatë shërbimit gazetaresk në kohën e luftës së fundit në Kosovë dhe në zonat kufitare me Shqipërinë, sidomos në bazën e përkohshme të tij - në Kukës. Duke falenderuar organizatorët për Ftesën, Rauli uroi konsolidimin dhe njohjen e mëtejshme të Republikës së Kosovës nga të gjitha shtetet e Botës.

Për të pranishmit u dha një Program i pasur Artistik. Veç recitimeve të poetit veteran kosovar Rafet Gunga, talentin e tyre e treguan edhe nxënës të Vantës me këngë e recitime. Një pjesë të madhe të Programit e zunë këngët dhe vallet popullore të Grupit Artistik të nxënësve shqiptarë të qytetit Kirkkonummi, përgaditur mbasditeve nga edukatorja kosovare Mirdita Fazliu.

Image

Vlen të përmendet, se familjarët e drejtuesve dhe prindët e nxënësve japin një ndihmë të madhe për realizimin e programeve të Grupeve Artistike. Ata financojnë drejtpërsëdrejti blerjen dhe qepjen e kostumeve kombëtare dhe të veshjeve për shfaqjet, ofrojnë transportin falas të nxënësve jo vetëm gjatë provave brenda vendbanimit, por edhe në qytete të tjera me distanca mjaft të gjata, sikurse është rasti i Finlandës. Dhe gjithçka bëhet pa asnjë mbështetje financiare, por vetëm me dashuri për Mëmëdheun, me pasionin dhe me dëshirën për të ruajtur traditat folklorike dhe pasuritë etnografike të shqiptarëve, si dhe për t'ua transmetuar ato brezave të rinj të diasporës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat