Lazim Destani, Ekrem Bardha e të tjerë nderohen me trofeun " Shqiponja e Arte e Diasporës" - Histori Suksesi në Diasporë

Diaspora

Lazim Destani, Ekrem Bardha e të tjerë nderohen me trofeun " Shqiponja e Arte e Diasporës" - Histori Suksesi në Diasporë

Nga: Beqir Sina Më: 2 mars 2019 Në ora: 15:44
Lazim Destani

TIRANË, (1 mars 2019 - Bota sot)– Në një mbrëmje gala, në ditën e dytë të Samitit II të Diasporës janë dorëzuar trofetë “Shqiponja e Artë e Diasporës” si dhe titulli “Ambasadori i Kombit”.

Trofetë gjatë hapjes së kësaj mbrëmjeje janë dorëzuar nga ministri i Shteti për Diasporën, Pandeli Majko i cili thekoi se shqiptarët e diasporës janë ambasadorë të kombit, të cilët me suksesin e tyre kanë krijuar perceptime mjaft pozitive, të cilat shpesh kanë qenë të vështira për t’u krijuar edhe nga vetë politika.

“Ata pa pasur tituj zyrtarë, ashtu si dhe shumë prej përfaqësuesve të diasporës, janë simbole të Ambasadorëve të Kombit. Në emër të kombit të tyre, me shembullin e suksesit kanë krijuar atë perceptim, që nganjëherë politika e ka pasur të vështirë që ta krijojë përballë të huajve. Shpesh je takuar me një të huaj dhe i thua që jam shqiptar, dhe ai mendon Gjegj Kastriot Skënderbeun, Nënë Terezën dhe shumë të tjerë. Për hir të së vërtetës janë ende të panjohur, por në mënyrë formale, pasi rruga e tyre është mjaft e njohur”, – u shpreh Majko.

E para e cila mori titullin “Ambasadori i Kombit” ishte një nga përfaqësuesit e shoqatës shqiptaro-britanike të avokatëve, Brikena Muhari.

“Falënderoj Shtetin Shqiptar për këtë nderim që më bëhet dhe më vjen mirë që ky nderim bëhet për një person të ligjit, siç jam unë dhe besoj se ky do të jetë një pasqyrë e planit të shtetit për ligjin dhe uroj që kjo punë të vazhdojë”, – theksoi ajo.

Me mesazhin “kur bashkohemi, bëhemi më të fortë”, titulli i dytë u mor nga Avni Dervishi, ndërsa i treti i cili u nderua me këtë trofe ishte Mark Gjonaj nga SHBA.

Një çmim tjetër i është kushtuar edhe babait të futbollistëve Granit dhe Taulant Xhaka, i cili u nderua nga organizatorët e Samitit me trofeun “Shqiponja e Artë e Diasporës”, ashtu sikurse kanë festuar golat vëllezërit Xhaka në ekipet e tyre respektive.

Trofeun “Shqiponjën e Artë të Diasporës” për Ermira Lekaj Përlaskaj, deputete shqiptare në Kroaci, e cila përfaqëson pakicat kombëtare në këtë Kuvend, si dhe Ahmet Gjanaj i cili është deputet në rajonin e Brukselit dhe themelues i shoqatës “Anabel” në vendet e ulëta.

Në kuadër të Samitit të dytë të Diasporës, i cili nga dita e enjte po i zhvillon punimet në Tiranë, figura të tjera te shquara kombëtare u dekoruan me çmimin Shqiponja e Artë e Diasporës.

Në ceremoninë glamuroze festive në Pallatin e Kongreseve, Lazim Destani ishte ndër personalitetet e shquara që u nderua me këtë çmim për historinë e tij të suksesit në diasporë, se bashku me Konsullin e Nderit Ekrem Bardha nga SHBA.

Me rastin e marrjes së çmimit, krahas suksesit si sipërmarrës, Lazim Destani u potencua kontributin e tij si humanitar dhe filantrop i shquar. Gjatë gjithë karrierës së tij prej më se katër dekadash, ai është dalluar me veprat humanitare si dhe në vazhdimësi ka mbështetur projekte të shumta nga sfera e arsimit, shkencës, kulturës, sportit dhe artit.

Lazim Destani, pjesëmarrës në Samitin e II të Diasporës Shqiptare, ka folur edhe ne hapjen e punimeve të këtij Samiti nga foltorja si përfaqësues i Komunitetit shqiptar në Gjermani.

Lazim Destani e çmoi shumë mbështetjen dhe përkujdesjen e autoriteteve shqiptare për organizimin dhe mbajtjen e Samitit si dhe gjithë ata që dhanë kontribut për për këtë ngjarje të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të rajonit tonë. Ndër të tjera ai tha, “motoja ime është, Të bashkuar jemi më të fortë. Kohët që po jetojmë kërkojnë bashkim potencialesh dhe vlerash. Të gjithëve këtu na ka sjellë dashuria ndaj atdheut, sot më shumë se kurrë i duhemi vendit tonë. Le ti bashkojmë forcat tona e ta japim gjithë fuqinë që kemi, materiale, ideore dhe realizuese. Unë e çmoj lart të gjithë spektrin politik, si në Shqipëri ashtu dhe në të gjitha viset tona por kur është në pyetje zhvillimi ekonomik, mendoj se interesat politike e partiake duhet të tejkalohen.”

Pas ceremonisë së hapes, punimet e Samitit kanë vazhduar me mbajtjen e katër Paneleve paralele me tema të ndryshme. I ftuar nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, Lazim Destani mori pjesë në Panelin me temë, Zhvillimi Ekonomik i Qëndrueshëm. Në këtë panel, nga gjashtë panelistët e pranishëm, u zhvilluan analiza e diskutime mbi gjetjen e rrugëve më të mira për zhvillimin ekonomik të rajonit. Lazim Destani, me përvojën e tij mbi katër dekada suksesi në sferën e biznesit, dha kontribut të çmueshëm në punimet e Panelit, ku ndër të tjera tha, “Fakt i njohur gjerësisht në botë është se ekonomia e një vendi është e lidhur ngushtë me politikën dhe sigurinë e atij vendi. Andaj do t’u bëja thirrje politik-bërësve në trojet tona, t’i kushtojnë rëndësi të veçantë këtij aspekti pasi investitorët, qofshin nga diaspora apo të tjerë, për investimet e tyre duan të ndiejnë siguri. Andaj uroj që ky Samit të jetë një forum i mirëfilltë prej ku do të dalin politikat e shëndosha shtetërore në marrëdhënie me diasporën tonë.”

Në kuadër të diskutimeve të tij, Lazim Destani e vuri theksin te potenciali i madh që ai shikon te rinia shqiptare. Nga ky Panel ai e inkurajon dhe i përcjell mesazhe rinisë sonë duke thënë, “Po t’i referohemi gjeneratës së re që kanë dalë jashtë vendit në periudhën e fundit, ndër ta sot gjejmë aq shumë nëpër kompani, banka, spitale, universitete, kompani sigurimesh e në fusha të tjera, madje të avancuar në pozita të larta menaxhuese. Vështirë të gjendet edhe një komb tjetër i vogël me kaq shumë suksese individuale, përfshirë edhe artin e sportin. Me këtë rast, duke e çmuar shumë rininë tonë të mrekullueshme, të ndodhur si në diasporë ashtu dhe brenda trojeve tona, nga ky Samit e nga ky Panel diskutimi, Ju bëj thirrje, - kontaktoni kompanitë e diasporës si dhe kompanitë në trojet tona për t’i ofruar kapacitetet tuaja a për të ofruar bashkëpunim. Të ardhmen shikojeni me optimizëm dhe kini besim te vetja, mbi të gjitha ju inkurajoj ta keni guximin. Edhe në momentet kur jeni në situata të vështira, kurrë mos i thoni vetes ‘nuk dilet nga kjo situatë’... – ndiqni me përkushtim ëndrrat tuaja dhe suksesi do të vijë. Unë vet kam patur situata të tilla në jetë por ka qenë guximi dhe puna e bërë me përkushtim që më kanë çuar përpara duke i thënë vetes, ‘do t’ia dal’.”

Samiti i dytë i Diasporës u mbyll mbrëmë në Pallatin e Kongreseve, ku u mbajt edhe Mbrëmja Gala e Samitit II të Diasporës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat