Mësuesit mërgimtarë bënë historinë

Diaspora

Mësuesit mërgimtarë bënë historinë

Nga: Hysen Ibrahimi Më: 7 mars 2019 Në ora: 08:50
Mësuesit në Laholm

Në këtë 7 Mars, do të ju njohim me një përvojë të mësuesve shqiptarë në mërgatë, më saktë të atyre në Suedi, të cilët në kohët më të vështira bënë historinë.

Mësimi në gjuhën shqipe ishte prioritet për shqiptarët në Suedi. Që në kontaktet e para me njëri-tjetrin, në qytete e vendbanime suedeze, si çështje parësore shqiptarët e kishin diskutuar mundësinë organizimit të mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë. Në këtë kuadër, intelektualë shqiptarë dhe aktivistë të shumtë mobilizohen për të mbajtur gjallë arsimin shqip. Kështu ata kishin regjistruar fëmijët shqiptarë në secilin vendbanim që ata të mbanin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Mësimi në gjuhën shqipe kishte nisur më të madhe në vitin 1992 dhe mësuesit ishin intelektualë shqiptarë, madje shumë të përgatitur, të cilët, vullnetarisht e kryenin këtë mision.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” jipen detaje për organizimin e grupeve të mësuesve shqiptarë, të cilët po i bënin thirrje çdo familje shqiptare që ta ruajë identitetin kombëtar, duke e ruajtur para të gjithave, gjuhën shqipe për fëmijët e tyre. Madje, kërkime të SHSHASH “Papa Klementi XI - Albani”, çojnë shumë vjet më parë kur ishte mësuar shqip në Suedi. Shkolla e parë shqipe e mësimit plotësues në Suedi është hapur në vjeshtën e vitit 1968, në Malmö të Suedisë. Mësuesi i parë i shkollës shqipe në Suedi ishte Bejzat Beqiri. Pastaj, ishte mësuesi Kosovë Rexhë Balaj, nga Istogu, i cili ishte i përndjekur nga shërbimi sekret i Serbisë e ish Jugosllavisë, ku kishte migruar në vitet 60-ta. Ai që atëherë kishte iniciuar mbajtjen e mësimit në gjuhën shqipe për fëmijët shqiptarë në Suedi. Pastaj, më 5 mars 1976 ishte hapur shkolla e parë shqipe në qytetin e Nybros, me iniciativë të Sadulla Zendelit – Dajës.

Qeveria suedeze nuk i ka penguar, përkundrazi, i ka mbështetur për organizimin e mësimit edhe në gjuhën shqipe. Në ”Thesarin numër 1” veçohet bashkëpunimi me rektoren e shkollës Margaretha Larsson, në qytetin e Bastadit, e cila, i kishte ofruar të gjitha kushtet për fillimin e procesit mësimor, në lokalet e shkollës ku shkonin nxënësit shqiptarë. Këtë lloj mbështetje shqiptarët e kishin marrë shumë shpejt edhe në shkolla tjera të Suedisë.

Në secilën komunë, ishin ngritur Komisionet Rajonale, të cilat mbikqyrnin procesin e regjistrimit të nxënësve dhe vijimin e procesit mësimor në gjuhën shqipe. Çdo gjë ishte bërë në koordinim me prindërit, të cilët kishin dhënë një mbështetje të madhe për ato procese. Ata kishin formuar edhe Këshilla të Prindërve, në mënyrë që të realizohej mirë ai mision, duke siguruar që fëmijët shqiptarë të mos mungonin asnjëherë në shkollën shqipe.

Këshilli i Prindërve kishte marrë masat organizative, kishte siguruar planprogramin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, kujdesej maksimalisht që të përcillte mësimdhënësit shqiptarë dhe lëvizjet e tyre eventuale, për aryse familjare. Interesimi për mësimin plotësues në gjuhën shqipe kishte qenë shumë i madh. Mësimi i gjuhës amtare ishte shumë i rëndësishëm, sepse nuk mund të asimiloheshin fëmijët shqiptarë në mërgatë, në këtë rast edhe në Suedi. Ata kishin mësuar ndërkohë për shkrim-leximin shqip, historinë, kulturën, gjeografinë e çdo që kishte të bënte me shqiptarët dhe për shqiptarët.

Ndërkohë ishte themeluar Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë për Suedi “Naim Frashëri” (LASH-i). Përmes LASH-it, ishin botuar dhe shumë tekste mësimore shkollore, që nga ABETARJA e tre libra leximi për klasën e II, III dhe IV, gjeografia, antologjia e shumë të tjera. Mësimi ishte zhvilluar me planrogram të Arsimit të Republikës së Kosovës. Planprogrami ishte dërguar nga kryetari i LASH-it “Naim Frashëri” për Suedi, Prof. Bedri Paci. Qëllimi ishte që fëmijëve shqiptarë t’iu ligjërohej për gjuhë shqipe, dituri natyre e shoqërie, histori, gjeografi matematikë, art figurativ, art muzikor,dhe gjithçka tjetër që kishte të bënte me çështjen shqiptare.

Gjatë viteve 1991-1993, mësimi zhvillohej nëpër strehimore ku punonin mësuesit në baza vullnetare. Sapo kishin marrë lejeqëndrimin, familjet shqiptare kalojnë, nga strehimoret nëpër qytete dhe kështu nxënësit shqiptarë fillojnë mësimin në shkollat suedeze dhe mësimi i gjuhës amtare, zhvillohej në bazë të ligjit suedez që quhet “Modersmål” d.m.th “Gjuhë amtare”. Drejtori i shkollës në Hyltebruk, Bengt Johansson kishte dhënë përkrahje për shqiptarët. Në fund të vitit shkollor 1993/1994 kanë qenë të aktivizuar mbi 266 pedagogë që kanë mbajtur mësimin plotësues në 72 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Në vitin shkollor 1994/1995 mësimi ishte organizuar në 49 strehimore dhe në 28 komuna të Suedisë. Ishin përfshirë mbi 3 mijë e 700 filloristë, me të cilët kishin punuar vullnetarisht mbi 200 mësimdhënës. Në vitin shkollor 1995/96 filloi mësimi i gjuhës shqipe edhe në shkollën e mesme të mjekësisë, ku mësimdhënësi Fetah Bahtiri mbante kurset e gjuhës shqipe: Dygjuhësia aktive në praktikë dhe përdorimi i dygjuhësisë vlerësohej me pika. Meqenëse për mësimin e gjuhës shqipe në shkollë të mesme nuk kishte planprogram mësimor, Fetah Bahtiri e kishte hartuar vetë një planprogram mësimor dhe punonte sipas tij. Ky planprogram iu ishte shpërndarë edhe disa mësuesve bashkatdhetarë në Kuvendin vjetor të LASH-it. Në librin e tij “Dritë, ngrohtësi, optimizëm”, Fetah Bahtiri, sjell shumë dëshmi rreth organizimit të mësimit në gjuhën shqipe. Që nga viti 1998 - 2011, vijueshmëria e nxënësëve në gjuhën amtare, tanimë ishte 100 %, gjë që ishte rast i rrallë në Suedi.

Në librat e ”Thesarit kombëtar” veçohet përkushtimi i mësimdhënësve shqiptarë për mbajtjen e mësimit shqip në Suedi.

Mësimdhënësit vullnetarë në Suedi kanë kryer mision shumë fisnik. “Të arsimosh fëmijët në gjuhën amtare është një punë e shenjtë”, thuhej në një letër të kryetarit të LASH-it, Bedri Paci dhe të Ibrahim Ergiut (kryetar i Këshillit Pedagogjik), për arsimtarët që mbanin mësimin në gjuhën shqipe në Suedi. Bedri Paci kishte vënë kontakte me zyrtarë të Entit Shkollor të Suedisë për botimin e teksteve me të cilët do të punonin mësimdhënësit shqiptarë në mësimin plotësues në gjuhën shqipe.

Disa të dhëna nga arkivi personal i Hysen Ibrahimit, (tani kryetar i SHSHASH “Papa Klementi XI- Albani”) tregojnë se ishin evidentuar 262 lokacione ku mbahej mësimi shqip në Suedi. Ndërkaq, në librin “Thesari kombëtar 9” është publikuar një listë me 471 emra të mësidhënësve shqiptarë në Suedi , të cilët janë identifikuar nga veprimtari Hysen Ibrahimi, në librin e tij “Vepra 2”.

Aktivitetet e shqiptarëve në Suedi, për të ruajtur gjuhën dhe kulturën shqipe, janë të ngjashme me ato të Papa Klementit XI – Albanit, emrin e të cilit e mban sot Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Suedi. Ai ishte faktor shumë i rëndësishëm për përhapjen e emrit të popullit të tij shqiptar, të historisë dhe të gjuhës së tij.

Mësuesit mërgimtarë shqiptarë bënë punën më fisnike të mundshme. Ata dhanë dije, djersë, sakrificë për të mundësuar fëmijëve të mësojnë shkronjat dhe gjuhën e bukur shqipe. Sot, të rinj shqiptarë në Suedi kanë arritur të jenë të dalluar në shumë fusha. Ata janë bërë mjekë, inxhinierë, juristë, ekonomistë, regjisorë, artistë, piktorë e profesione të tjera të rëndësishme.

Gëzuar 7 Marsin Mësuesve shqiptarë në mërgatë dhe të gjithë mësuesve shqiptarë për misionin fisnik që kanë!

Hysen IBRAHIMI, Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë ”Papa Klementi XI Albani”, Suedi

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat