Shqiptarët vazhdojnë me telashe nëpër botë, Franca dëboi pa paralajmërim nënën e dy fëmijët nga Vitia

Diaspora

Shqiptarët vazhdojnë me telashe nëpër botë, Franca dëboi pa paralajmërim nënën e dy fëmijët nga Vitia

Më: 14 mars 2019 Në ora: 16:57
Foto ilustrim

Pas nëntë vitesh qëndrim në Francë, tre anëtarët e familjes Shahini nga komuna e Vitisë, u dëbuan “dhunshëm të lidhur në duar e në këmbë”, e siç thonë ata edhe pa asnjë paralajmërim dhe u dërguan për në Kosovë. Për këtë rast, organizatat për mbrojtjen e fëmijëve në Francë kanë filluar nënshkrimin e një peticioni, ndërkaq për kthimin e tyre janë të informuar edhe autoritetet e Kosovës. Kryefamiljari Fidan Shahini i cili në momentin e dëbimit ishte në punë, ka rrëfyer rastin.

Në janar të vitit 2011, Fidan Shahini së bashku me gruan e tij Nerxhivane Toskën, kishin ikur nga Kosova për në Francë, në kërkim të një jete më të mirë.

Dy të rinjtë, me të shkuar atje kishin kërkuar azil, mirëpo, të drejtën për qëndrim në shtetin francez nuk e fituan as pas nëntë vitesh jete në këtë shtet.

Aty madje, të dy lindën edhe dy fëmijë, një vajzë tash 8-vjeçare dhe një djalë 6-vjeç që kishin certifikata franceze. Fëmijët po kryenin shkollën dhe asnjëherë nuk kishin vizituar Kosovën.

Megjithëse, deklarohen se iu ishte thënë se sipas ligjit një familje që kërkon azil në Francë nëse qëndron tre vite në atë vend dhe dëshmon 24 muaj punë të rregull do të merrte dokumentet, një gjë e tillë nuk u mundësua për ta.

Fidan Shahini ka treguar se kishte përfunduar procedurat e azilit në vitit 2012 e pastaj kishte vazhduar me procedurat tjera të integrimit.

 “Procedurat e azilit i kam përfunduar në vitin 2012 mirëpo kemi vazhduar me procedura për integrim në vazhdim. Rrjedhimisht dhe faktikisht mund të ia argumentoj gjithë popullit Francës se që nga viti 2014 kam plotësuar kushtet që të pajisem me dokumente bazuar në cirkularin e Qeverisë së kaluar se nëse një familje e huaj me qëndrim tre vite në Francë dëshmon 24 muaj punë të rregullt duhet të pajiset me dokumente të shtetit”, thotë 32-vjeçari.

Por, me gjithë këtë kjo familje në datën e 8 marsit të këtij viti, pretendojnë se u dëbuan dhunshëm derisa policia franceze shkoi në mëngjesin e asaj dite në familjen Shahini duke i marrë gruan e Fidanit, Nerxhivanen dhe dy fëmijët.

 Kjo pas një letre që pavarësisht se ishin në procedura të integrimit iu kishte ardhur për të lëshuar vendin. Aty nuk shkruhej ndonjë datë, sipas familjes Shahini se nëse nuk do të largoheshin policia do t’i dëbonte vetë.

Fidani po thotë se gruaja e tij, kur u mor mëngjesin e asaj dite saktësisht në orën 07:30 të mëngjesit, iu lidhën duart e këmbët deri sa u fut në aeroplan.

“Nuk arsyetohen mënyra e dëbimit të një nënë me dy fëmijët e lindur dhe shkolluar në Francë. Për vendimin se do të dëbohen me dhunë nuk kemi qenë të informuar.

Sikur të kishim bërë diçka të keqe do ta kisha kuptuar mirëpo të vijnë 30 policë të bllokojnë lagjen për një familje që ka bërë gjithçka me forcat e veta pa u dalluar nga francezët kjo është e tmerrshme”, thotë ai.

Në momentin kur Nerxhivanja dhe fëmijët u morën nga shtëpia e tyre e i nisën për në Kosovë, Fidani ishte në punë. I njëjti tashmë është në Francë ka angazhuar avokat dhe po mundohet me anë të disa organizatave që të lobojë për kthim të familjarëve duke kërkuar drejtësi.

 Organizata franceze peticion për rikthim të familjes Shahini

Ngjarja e 8 marsit, e mënyra se si u sollën për në Kosovë tre anëtarët e familjes Shahini ka alarmuar organizatën “Réseau éducation sans frontières”, të cilët kanë nisur edhe një peticion online.

“8 mars 2019, Dita Ndërkombëtare e Gruas, u shndërrua në një makth për një nënë kosovare dhe dy fëmijët e saj që ishin ende duke fjetur e babai i tyre ishte në punë kur dikush iu trokiti në derë. Megjithëse me të parën herë, ajo nuk u hap dera u thye nga forcat e policisë që hynë në dhomat ku familja ende po flinte dhe u urdhëruan të vishen menjëherë në të kundërtën do të dërgoheshin në aeroport në pizhame.

 Nerxhivanja u dërgua në aeroport me duar e këmbë të lidhura, ndërkaq, u lirua vetëm pasi që aeroplani ishte në lartësi. Këtë ditë, më 8 mars, të gjithë ata që kanë njohur nga afër Fidan, Nerxhivane, Rozën dhe Rion janë të tronditur nga gjithë kjo dhunë. Çfarë bëri Nerxhivania të meritonte një trajtim kaq degradues? Fidan, i ati punoi, pagoi qiranë, taksat, taksën e shtëpisë; Nerxhivania mori mësime në frëngjisht, dy fëmijët Roza 8 vjeç dhe Rion 6 vjeç, të lindur në Francë, u arsimuan. Një familje e integruar mirë. Sot ne qëndrojmë kundër dhunës së pakuptueshme të këtij dëbimi që traumatizoi dy fëmijë në moshën më të re. Ne qytetarë francezë, ne nuk e mbështesim këtë dhunë të ushtruar në emër tonë”, shkruhet në peticionin e nënshkruar nga organizata franceze.

Ndryshe, organizata “Réseau éducation sans frontiers” është rrjet kolektiv, ku bëjnë pjesë lëvizje shoqërore, sindikata, mbështetës politikë dhe njerëz nga shoqëria civile që luftojnë kundër largimit të fëmijëve të huaj nga arsimimi në Francë.

Autoritetet e Kosovës kanë njohuri për rastin

Se janë dëbuar nga shteti francez familja Shahini kanë informacione edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Nga MPB per express janë deklaruar se kanë marrë informatën nga Ambasada e Francës në Prishtinë për rastin.

Mirëpo të njëjtët kanë marrë edhe informacionin se është dëbuar edhe Fidani, megjithëse i njëjti po vazhdon të qëndrojë në Francë.

“Sipas njoftimit që kemi pranuar nga Ambasada e Francës në Prishtinë, familja e z.Fidan Shahini është kthyer me 8 mars 2019. Në njoftimin për kthim janë të përfshirë e gjithë familja z.Fidan Shahini, gruaja e tij znj. Nerxhivane Toska dhe dy fëmijët”, deklaruan nga kjo ministri. Tutje, kanë bërë të ditur se vetëm në vitin 2018-të kanë kërkuar azil 3515 persona. “Shtetasit kosovar që kanë kërkuar azil për herë të parë në vitin 2018, janë 3515 persona (Data Baza e Eurostat-it, shkarkuar me 12.02.2019)”, duke mos u deklaruar për numrin e personave që janë larguar nga Kosova.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat