Mbahen takimet tradicionale letrare të krijuesve në mërgatë - Bota Sot
Mbahen takimet tradicionale letrare të krijuesve në mërgatë

Diaspora

Mbahen takimet tradicionale letrare të krijuesve në mërgatë

Nga: Besim Xhelili Më: 30 mars 2019 Në ora: 23:26
Takimet tradicionale letrare të krijuesve në mërgatë

Tashmë që nga themelimi në nëntor të vitit 2013, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), po dëshmohet si zëri i përbashkët dhe burimi i artit të bukur i krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët përkohësisht apo përgjithmonë janë të vendosur në mërgatë, ku jetojnë e veprojnë bashkë me familjet e tyre. Në takimet e LKSHM marrin pjesë edhe krijues të ftuar nga atdheu.

Krijuesit e mërgatës janë një shembull i mirë se edhe larg vendlindjes, atdhedashuria atyre nuk iu shua kurrë, përkundrazi u rrit, ndonëse malli ua këputi zemrat. Ata vazhdojnë të thurin vargjet për vendlindjen, gjuhën, truallin dhe rrugët ku u lindën dhe u rritën, të shfaqin ndjenjat për simbolet kombëtare, të kujtojnë vlerat dhe personalitetet e popullit e të bëjnë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim. Ata janë vazhdimisht të lidhur me vendlindjen, por dhe janë mirë të integruar në vendet ku jetojnë.

LKSHM mban çdo pranverë takimet tradicionale “Pavarësia Poetike” në mërgatë, që ndërlidhen me festën e pavarësisë së Republikës së Kosovës, gjatë verës ato në vendlindje, kurse në nëntor ato të fundvitit “Nëntori Poetik”, që përkojnë me manifestimet për nder të Ditës së Flamurit.

Image

Zakonisht në këto takime ka një orë letrare garuese, ku të pranishmit lexojnë sipas përzgjedhjes së tyre poezi nga më të ndryshmet, pastaj bëhen promovime të titujve të rinj, shpërndahen mirënjohje dhe çmime për të pranishmit dhe fituesit me krijimet më të mira dhe krejt në fund ka pak hapësirë për diskutime të llojllojshme mes krijuesve dhe për argëtim me program të lirë festiv.

Herëpashere ndodh që në program të jetë si pikë e veçantë ndonjë konkurs letrar, i hapur kohë më parë. Takimet i udhëheqin kryesia e punës, që zgjidhet me kohë ose atypëraty në takim, pastaj krijohet edhe një juri që merret me vlerësimin e krijimeve.

Image

Vlen të theksohet se këto takime mbështeten nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe nga afaristë të ndryshëm shqiptarë në mërgatë. Për këto ndërlidhje me kujdes të madh angazhohet kryetari i LKSHM, z. Hasan Qyqalla.

Kësaj radhe, të shtunën, më 23 mars 2019, takimet tradicionale gjetën sofrën tek shoqata “Bashkimi Kombëtar“ në Offenbach të Gjermanisë. Aty u tubuan një numër i madh krijuesish nga Gjermania, Austria, Zvicra, Franca, si dhe krijues të ardhur enkas nga vendlindja. Programin e moderoi poeti Mentor Thaqi, i ndihmuar nga poetët Sevëme Fetiqi dhe Besim Xhelili. Juria për vlerësimin e krijimeve përbëhej nga poetët Gonxhe Letmi Begisholli, Fran Tanushi dhe Shaip Ademaj. Për një fjalë rasti u paraqitën z. Afrim Bekteshi, zv.ministër nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, i cili përcolli tek të pranishmit përshëndetjet më të përzemërta të institucionit të cilin përfaqëson, dhe znj. Fatmire Musliu, konsulle e përgjithshme e Konsullatës së Kosovës në Frankfurt.

Qysh në fillim të takimit u theksua se ky takim kësaj radhe po i kushtohet ikjes në amshim të akademikut Idriz Ajeti, të cilin të pranishmit e nderuan me një minutë heshtje dhe familjes legjendare Jashari. Në lidhje me këtë, me fjalë rasti në emër të LKSHM u paraqit poeti Anton Marku nga Austria, pastaj Musa Jupolli nga Franca dhe Sylë Bajrami nga Gjermania.

Image

Takimi u përmbyll me sukses, në fund u shpërndanë mirënjohjet dhe çmimet, si dhe u shtrua një koktej rasti. Takimet e ardhshme LKSHM do t’i mbajë gjatë verës në vendlindje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...