Gerarta Ballo, kandidatja shqiptare e Italisë në zgjedhjet europiane - Bota Sot
Gerarta Ballo, kandidatja shqiptare e Italisë në zgjedhjet europiane

Diaspora

Gerarta Ballo, kandidatja shqiptare e Italisë në zgjedhjet europiane

Më: 15 prill 2019 Në ora: 14:39
Gerarta Ballo

Partia Demokratike e Italisë, forca kryesore e qendrës së majtë, ka shpallur listën zyrtare të kandidatëve për zgjedhjet europiane që do të zhvillohen në 26 maj të këtij viti. Ndër kandidaturat e kolegjit zgjedhor të Italisë së Jugut, është edhe emri i një kandidateje nga komuniteti italo-shqiptar, Gerarta Ballo.

Gerarta, apo Geri, siç e thërrasin miqtë, ka nisur jetën e saj në Itali në moshën 11 vjeçe dhe ka qenë gjithmonë aktive ndër vite si pjesë e komunitetit shqiptar të Italisë.

Ka kryer studimet në degën e marrëdhënieve ndërkombëtare në Torino dhe ka punuar si gazetare, duke themeluar njëkohësisht disa shoqata të cilat lidhen ngushtë me aktivitetin e saj për të rinjtë, emigrantët dhe gjeneratat e dyta. Në këtë qytet pothuajse 10 vjet më parë drejtonte emisionin radiofonik ‘Shqip in Torino’.

Pikë referimi për diasporën e hershme të arbëreshëve dhe atë të re shqiptaro-italiane, Gerarta nuk u shkëput nga Shqipëria. Përkundrazi, eksperienca e punës më e fundit është në diplomacinë shqiptare, ku punoi për dy mandate në Ambasadën e Shqipërisë në Romë.


Si studiuese e emigracionit dhe e realitetit kompleks të gjeneratave të dyta në Europë, ajo është angazhuar konkretisht për adresimin e problemeve të komunitetit shqiptar dhe arbëresh. Gjithashtu, është marrë me krijimin e rrjeteve mes shoqatave dhe profesionistëve për promovimin e Shqipërisë.

Gerarta gëzon respektin dhe mbështetjen e arbëreshëve, nga ku ka marrë edhe vlerësime, siç është titulli Qytetare Nderi e Lungros, bashki arbëreshe e Kalabrisë ku ndodhet selia e Ipeshkvisë së ritit bizantin. Mbështetje të gjerë ka marrë edhe nga komuniteti shqiptaro-italian dhe miq të shumtë italianë, sidomos në kolegjin zgjedhor të Italisë së Jugut, ku bëjnë pjesë 6 rajone (Abruzzo, Calabria, Campania, Molise dhe Puglia) me pothuajse 14 milionë banorë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...