Del para gjykatës “mbreti” i “skifterëve” shqiptarë në Londër

Diaspora

Del para gjykatës “mbreti” i “skifterëve” shqiptarë në Londër

Më: 18 prill 2019 Në ora: 17:37
Asdrit Kapaj

Një shqiptar 42-vjeçar, i dyshuar si “mbreti i skifterëve” të Londrës në ishullin britanik, ka dalë para një gjykate këtë të enjte i akuzuar për vjedhjen e bizhuterive me vlerë mbi 500 mijë paund.

Asdrit Kapaj akuzohet se ka hyrë në shtëpitë private disa milionë paundëshe të rrethinave të pasura të Londrës jugperëndimore, mes viteve 2008 dhe 2018.

I martuar dhe baba i dy fëmijëve, ai u shfaq ditën e sotme para Gjykatës së Magjistratëve të Wimbledonit, ku u njoh me akuzat për 18 vjedhje dhe dy tentativa vjedhjeje, për bizhuteri që shkojnë deri në 542 mijë paund.

Sipas akuzës, bizhu me një kosto prej 371.855 paund janë marrë nga vetëm një grabitje e vetme, që besohet të ketë ndodhur mes 24-27 shkurtit të vitit 2017, në Atherton Drive të Wimbledonit.

I veshur me xhup të kuq dhe me xhinse, Kapaj, i cili banon në Altrincham, Greater Manchester, u prononcua vetëm në konfirmimin e gjeneraliteteve të tij, adresës së banimit dhe nënshtetësisë serbe.

“Ai është akuzuar në vazhdën e një hetimi të specializuar të policisë, që shqyrtoi një seri vjedhjesh, veçanërisht në zonat e pasura të Wimbledonit. I pandehuri shënjestronte zona specifike dhe vjedhjet kryheshin vetëm netëve, mes orës 19 të darkës dhe 5 të mëngjesit. Ai zhvillonte kërkime të imtësishme kur hynte në shtëpi, e pasi merrte ç’kishte për të marrë i linte gjërat në pozicionin e mëparshëm, duke bërë që viktimat të mos zbulonin se ishin vjedhur. Ai kërkonte veçanërisht bizhuteri dhe para të thata”, thotë prokurorja Mary Atera.

Akuzat më të fundit të ngritura ndaj Kapajt, i dënuar edhe më herët për vjedhje, do të bashkohen me shkeljet që do t’i komunikohen nga një tjetër gjykatë, që do të zhvillojë seancën e saj më 24 prill.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat