Kujtimet e bukura për një botim me prestigj për Kosovën Martire

Diaspora

Kujtimet e bukura për një botim me prestigj për Kosovën Martire

Nga: Alfred Papuçiu Më: 11 maj 2019 Në ora: 16:56
Alfred Papuçiu

Sa herë kaloj në Prishtinë, nëpërmjet linjës së EasyJet, për të shkuar në Shqipëri përmallohem duke parë vëllezërit e mij nga Kosova që të mirëpresin qysh në aeroport dhe marr aty një makinë për të kaluar drejt Tiranës, nëpërmjet Prizrenit dhe viseve të tjera të Kosovës. Kujtoj ato ditë të dhimshme që atyre u është dashur të luftojnë me përkushtim ndaj pushtuesit serb. Për përpjekjet e tyre deri në ngadhjim ndërmora punën e vështirë, por të bukur, për përkthimin e librit me titull: «Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile“. Ai erdhi para lexuesve, pas një pune të gjatë studimore të stafit të Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, si dhe të « Taks Force të përbashkët të UNEP/UNCHS për Ballkanin ». Ky vëllim i botuar me shije i cili për nga numri i faqeve duket i vogël, në krahasim me problemet e shumta që lindën pas konfliktit të Kosovës (100 faqe), nga brëndia kap një gamë të tërë problemesh, të trajtuara me vërtetësi, si mesazh për brezin e ri të Kosovës që nisi pas luftës rrugën e gjatë, të vështirë, por edhe të bukur të rimëkëmbjes së tokave ku kanë lindur, ku janë rritur dhe kanë patur prej shekujsh strehën,  paraardhësit e tyre.

Në harmoni me vendimin e Këshillit Drejtues të UNEP-it dhe me rekomandimin e vendosur të misionit të të gjithë organizmave ndërkombëtare, për vlerësimin e nevojave humanitare që vizitoi ish RFS të Jugosllavisë, nën drejtimin e Zëvëndës-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Sergio Vierra de Mello (të cilin e kam njohur personalisht, burrë fisnik dhe tepër komunikues kur diskutonim çiltër edhe për Kosovën dhe Shqipërinë, dhe që fatkeqësisht u vra pabesisht në Bagdad të Irakut ku drejtonte misionin e Kombeve të Bashkuara), u krijua Task Force i Përbashkët për Ballkanin. Atij iu ngarkua detyra që të bëjë një studim urgjent dhe të hollësishëm, lidhur me pasojat e konfliktit mbi mjedisin dhe vendbanimet civile. Përveç zgjerimit të krizës humanitare lindën shqetësime të mëdha, lidhur me pasojat e konfliktit për mjedisin dhe vendbanimet civile. Për të gjetur një rrugëzgjidhje të këtyre problemeve, Taks Force për Ballkanin mobilizoi një grup shkencëtarësh të pavarur ndërkombëtarë që të punonin në Kosovë dhe në qendrat e goditura industriale, në Serbi. Grupe të ngjashme vizituan burime të ndotjes gjatë lumit Danub, si dhe objektiva në parqet kombëtare dhe në zonat e mbrojtura. Pas përfundimit të misionit të tyre, grupi ju vu punës për të hartuar raportin përfundimtar. Prej këtij raporti u paraqitën konkluzionet e Task Force për Ballkanin të cilat m’u besuan për t’i dhënë edhe në gjuhën shqipe. Ndër të tjera, në parathënien e librit, Klaus

Töpfer, Zëvëndës Sekretar i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara dhe drejtor ekzekutiv i Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, shprehet : » Unë jam i bindur se një studim i tillë asnjanës, objektiv dhe shkencor, i gjendjes së vërtetë në terren është thelbësor në situatën pas konfliktit. Ky është një burim shumë i domosdoshëm dhe i sigurt informacioni, për popujt që janë prekur nga lufta. Ky është gjithashtu një mjet pune për bashkësinë ndërkombëtare, si një pjesë e pandarë e studimit të nevojave në të gjitha përpjekjet e ngutshme humanitare, nëpër zonat e shkatërruara nga lufta».

Cdonjeri prej bashkëatdhetarëve të mij patriotë dhe të ndershëm do ta kishte pranuar me dëshirë detyrën e vështirë por të bukur të dhënies në gjuhën shqipe të këtij botimi tepër domethënës, publicitar, me shije të hollë e me argumenta të radhitur me kujdes. Më shtynë ta pranoj këtë punë voluminoze edhe vëllezërit e mij nga Kosova, viset, Maqedonia dhe Mali i Zi, edhe këtu në Diasporë, me të cilët kam ndarë çdo ditë gëzimet, por edhe problemet e tyre që lidhen me traumatizmin e luftës së pabesë. Sidomos kur lexova për herë të parë lidhur me vatrat e rrezikshme për mjedisin, të zbulluara në katër qytete dhe zona të banuara në Kosovë. Kur me fakte theksohej se forcat e armatosura serbe në Kosovë zbrazën dhe shkatërruan shumë qytete dhe fshatra. Dëmtimi i lagjeve të banuara, i infrastrukturës, i pajisjeve të pastrimit të ujit të pijshëm dhe i sistemit të hedhurinave, ishte më se i dukshëm.

«Kur shqiptarët e Kosovës u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre, dhe u vendosën përkohësisht në Shqipëri apo gjetiu në botë, shumica e dokumentave që vërtetonin pronësinë ligjore të tokës dhe pasuritë humbën dhe u morën me forcë, gjë që vështirësoi kthimin e refugjatëve, në krahinat e tyre të banimit », shkruante me vërtetësi në libër zoti Pekka Haavisto, Kryetar i Task Forcës së Përbashkët të UNEP/UNCHS për Ballkanin, ish-ministër finlandez i Mjedisit dhe Zhvillimit.

Për të marrë përsipër nxjerjen e botimit « Konfikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile », më shtyu edhe ai miku im, i cili më shkruante në një mesazh që më mallëngjeu shumë : « Shkuam me makinë në Kosovë. Shqiptarët në UMNIK kanë një traditë prej disa vitesh dhe organizojnë shumë bukur festën kombëtare atje. U kënaqëm me të vërtetë. Aty pashë numrin e stërmadh të flamurëve kombëtarë, sa nuk kisha parë ndonjëherë. M’u kujtua shkrimi yt i bukur “Dita që na e bëri botën atdhé”. Fola për ty dhe me një miken time që punon në Kombet e Bashkuara dhe i thashë të komunikojë me ty lidhur me shkrimin tënd për OKB-në, mbasi asaj i intereson shumë kjo temë. Ishim sëbashku në Prishtinë”. Më shtyu edhe ai i riu shqiptar, diku në atë Zvicrën gjermane që më shkruante : “Është kënaqësi e veçantë të lexosh artikujt e tu, pasi për mendimin tim, janë të pasur. Ju operoni mjeshtërisht me detajin gjë që nuk është e lehtë të arrihet gjithmonë. Me Bujarin kam hyrë në kontakt dhe të falenderoj për ndihmën. Përsa i përket gazetës , unë jam i interesuar që të shkruaj here pas here për tema të ndryshme. Dua të të sqaroj që ajo që unë kam realizuar këtu nuk është librari por një pavion me libra shqip në bibliotekën e qytetit. Deri tani kam dorëzuar rreth 200 tituj dhe jam në kërkim vazhdimisht. Kështu që jeni i mirëpritur dhe jam kurioz edhe për librat tuaj të rinj”. Së shpejti mund të përurojmë “Shtëpinë e librit shqip” dhe jeni i mirëpritur të vini...Ndërsa një mik tjetër, diku larg meje më shkruante: “Ti e di përrallën e dhelprës me rrushin, përse e shau dhe e përbuzi ajo! Ky është edhe problemi yt dhe i imi me atë “qoftëlargun” kalimtar këtu në diasporë.

Unë jam bërë imun tani dhe nuk më bën përshtypje cmira e xhelozia që mund të ketë ndonjë i paaftë ndaj nesh, ndaj shkrimeve që ti shkruan apo ndaj asaj që përgatis unë në artin që ushtroj, pasi epoka e tyre tashmë është larg. Urimet më të mira dhe ditë më të mira për bijtë e denjë të Shqipes !” Një mik nga Shqipëria më shkruante: “Më fal se nuk të kam shkruar për një kohë, pasi Interneti këtu ka patur një fare difekti dhe vetëm sot munda të të shkruaj. Mua më duket se që kur shkoja tek “Balzaku” dhe Gjeneva po më duket larg. Mbaruan negociatat pres mos organizohet ndonjë seminar...Më bëhet qefi që vazhdon të shkruash, sepse e di që ti e ke patur gjithmonë pasion. Si publicist i vjetër më pëlqen shumë që jep mesazhe edhe për ne këtej.

Megjithë qef do të ndihmoj për të dhënë ndonjë mendim për shkrimet që mendon të botosh. Miku im, Franko Marussich, arkitekt i shquar, dukagjinas, me origjinë shqiptare nga Zara e Kroacisë, duke më treguar para disa kohësh dy banesa që ka ndërtuar për një sheik arab, diku përballë Malit Mont-Blanc në Francë, më tha: „Mund t’i kisha ndërtuar edhe më mirë por përsosmëria nuk ka fund“.

Duke patur parasysh fjalët e tij, u nisa për rrugë. Hodha në letër përkthimin e bocave që më paraqiteshin dita ditës, edhe pse shpesh herë silleshin faqe të tjera me koregjimet e fundit. Punova shumë për botimin e librit në shqip. Është një studim që përmblidhte në të njëjtën kohë refleksione politike, por të ndërthurura dhe me një gjuhë shkencore, letrare, sociale. Për tri javë m’u desh ta përfundoja përkthimin e tij, duke u konsultuar edhe me kolegët përkthyes të botimit në gjuhë të tjera, si dhe autorët e studimit. Nuk kishim të drejtë të konsultoheshim me njerëz të tjerë, para se botimi të dilte në dritë. Vetëm pyesja për ndonjë fjalë ish shokun tim në Universitet dhe koleg, Agron Agalliun dhe shoqen time Roza, e cila ka një përvojë të gjatë si përkthyese e Kryqit të Kuq të Gjenevës. Disa here materiali pati ndryshime që duheshin reflektuar me shpejtësi në gjuhën shqipe. Ju kushtova punës me një sedër të madhe, pasi nuk doja t’i lejoja vetes as edhe një gabim. Gjithmonë kisha parasysh tim atë, Tuni Papuçiun që pas nxjerrjes së “Përpjekja e Rinisë“ me shkrimtarin Jakov Xoxa dhe si Kryeredaktor i “Sportit“ që në 1945 deri n“ 1948 me Andon Mazrekun, për afro dymbëdhjetë vjet rresht punoi si gazetar në një gazetë të vendit tim, pjesën më të madhe natën dhe “si i freskët”, si dhe 16 vjet si redaktor përgjegjës i revistës « Fatosi », ku grumbulloi rreth vetes shkrimtarë të njohur që shkruan edhe për vocërrakët, si Petro Marko, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Bedri Dedja, Prof. Aleko Minga, Xhevat Beqaraj, Odhise Grillo, Lajde Staku, Nasho Jorgaqi, Skënder Drini, Adelina Mamaqi, Aristotel Mici dhe piktorë të rinj dhe me përvojë si Safo Marko, Agim Faja, Llambi Blido etj.

U përpoqa që të përfshij në shqip edhe fjalët karakteristike që përdoren në Kosovë, natyrisht pa ju shmangur gjuhës letrare shqipe. Në fund botimi ka dhe një fjalorth për të cilin punova me kujdes. Në fakt nga ana e UNEP na u krijuan lehtësi të jashtëzakonshme...Më duhej që në katër të mëngjezit t’i dorëzoja bocat tek Aeroporti i Gjenevës fotomontazhistes tepër profesioniste nga Britania e Madhe që punonte në Morzh të Zvicrës, për të arritur botimi sa më parë në shtypshkronjë në Francë...

Një ditë, në mëngjez kopjet e para në shqip më erdhën në dorë dhe pas pak dikush u nis për në Kosovë për t’i shpërndarë tek bashkëatdhetarët tanë. Miku im Agroni m“ theksoi se libri u shpërnda edhe në Uashington ku ai mori pjesë në një konferencë ndërkombëtare.

M’u bë një kërkesë për një botim tjetër pas disa muajsh, por shkaku i një sëmundjeje të përkohshme më detyroi të mos e pranoja, pasi e ndjeva se botimi më kishte lodhur së tepërmi dhe ndoshta nuk do të mund ta përballoja një stres të dytë. Isha mësuar me pesë botimet e realizuara në Byronë Ndërkombëtare të Punës, si edhe ato për seminaret e ndryshme, por për to kam pasur kohë të mendoj dhe t’i botoj pas disa muajsh pune, si dhe kisha kohë të mjaftueshme të shoh dy versione që tashmë ishin botuar prej kohësh në frëngjisht dhe anglisht.

...Darkave pasi kthehem nga puna e lodhshme e përditshme, ulem pranë ordinatorit dhe hedh mendimet e mija, disi vjedhurazi, pasi ime shoqe, shumë e dashur me mua, më flet që të mos lodhem shumë. Ajo Rozë aq e mirë, e zgjuar dhe nikoqire, që e duan të gjitha gratë kosovare që të marrë pjesë në seancat e tyre për përkthim, më flet here pas here të kem kujdes të mos lodhem për hir të saj dhe të fëmijëve. Por unë e ndjej se kam nevojë të hedh një mendim, pasi një punë e tillë, me karar, më çlodh dhe më jep kënaqësi të veçantë. Sidomos kur është fjala për botime si « Konflikti i Kosovës, pasojat për mjedisin dhe vendbanimet civile».

Botimi përveç gjuhës shqipe u botua edhe në gjuhën frënge, angleze, gjermane dhe serbo-kroate. Ai u shoqërua me fotografi dhe harta të shumta dhe është një kontribut i madh për vlerësimin e mjedisit në luftën moderne, nga ana e Programit të Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Qendrës së Kombeve të Bashkuara për Vendbanimet Civile. Ai është një studim i mirëfilltë për gjendjen e mjedisit dhe të vendbanimeve civile para konfliktit në Kosovë, por edhe pas tij. Ai përmban argumentat e duhura që dëshmojnë se autoritetet e Beogradit nuk kishin treguar kujdes për mjedisin qysh para se të ndërmerrnin hapat e kobshme në Kosovë.

Gjithashtu, konflikti i Kosovës pati një përhapje më të gjerë krahinore : Shqipërisë dhe Maqedonisë iu deshën të prisnin një numër shumë të madh refugjatësh nga Kosova, ndonëse ishin të papërgatitur për një dyndje të tillë.

*Ish funksionar ndërkombëtar në Kombet e Bashkuara në Gjenevë, në Komisionin Ekonomik të OKB-së, në UNCTAD, në BIT dhe konsulent për botimet në organizmat ndërkombëtare

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat