Ta votojmë Adnan Dibranin për deputet në Parlamentin Evropian

Diaspora

Ta votojmë Adnan Dibranin për deputet në Parlamentin Evropian

Nga: Xhavit Çitaku Më: 15 maj 2019 Në ora: 16:31
Adnan Dibrani

Në Suedinë e largët jetojnë diku rreth 50 mijë shqiptarë. Sipas të dhënave të institucioneve shtetërore suedeze, por edhe të shoqatave dhe formave tjera të veprimit shqiptar komuniteti ynë është integruar në nivel të kënaqshëm në shoqërinë e këtij skandinav. Për këtë konstatim flasin arritjet e bashkatdhetarëve tanë në të gjitha fushat e punës dhe të jetës. Mirëpo, në një segment shumë të rëndësishëm sikur mërgimtarët tanë po e injorojnë pa arsye në vend që të kenë një kujdes dhe interesim shumë më të madh, ngaqë kjo do të shkonte në dobi të tyre dhe nevoja e kërkesave të përditshme të komunitetit shqiptar në përgjithësi.

Është fjala për përfshirjen e tyre jo adekuate në sistemin zgjedhor krahasuar me numrin e banorëve në Suedi. Në të vërtetë, nëse shihen rezultatet e fundit të zgjedhjeve në nivel komunal, rajonal dhe atë qendror ka shumë pak kandidatë që kanë fituar vende këshilltarësh, deputetesh, apo vende udhëheqëse. Sipas informacioneve që kam arritur t’i grumbulloj vetëm dy nënkryetar komunash janë zgjedhur nga komuniteti shqiptar. Ndërkaq, nga viti 2010 në parlamentin suedez dëgjohet vetëm zëri i një deputeti shqiptar e ai është Adnan Dibrani, puna e të cilit vlerësohet pozitivisht nga bashkatdhetarët tanë. Ky deputet i vyer sa herë që ka kohë e mundësi merr pjesë në tubime të organizuara nga shoqata të ndryshme shqiptare që veprojnë suksesshëm në këtë vend nordik

Është obligim i yni që të bëjmë të pamundurën që një zë me prejardhje nga Kosova të dëgjohet në Parlamentin Evropian

Adnan Dibrani, pra, me prejardhje nga Kosova, është vetmi politikan që ka arritur të zgjedhet dy herë radhati deputet, parlamentit të Suedisë. Në këtë pozitë të organit më të lartë ligjvënës ai arriti, kryesisht, falë votës të komunitetit shqiptar që jeton në këtë vend skandinav. Për angazhimin e tij dhe punën e mirë që ka bërë në parlament dhe komisionet e tij, bashkatdhetarët tanë, por edhe kolegët e tij partiak janë të kënaqur.

Zaten, përpjekjet e tij në vazhdimësi për të realizuar premtimet e dhëna e kanë bërë të mundur që dy herë radhazi të fitoj votat e mjaftueshme për t’u bërë deputet i suksesshëm. Adnani gjithnjë ka kontaktuar me bashkatdhetarët tanë dhe në shumicën e rasteve iu ka përgjigjur pozitivisht ftesave për të marrë pjesë në tubimet e organizuara nga shoqata kulturore shqiptare anekënd Suedisë. Pos që me vëmendje ka dëgjuar për hallet e problemet me të cilat ata ballafaqohen, Adnani me përvojën e tij atyre iu ka dhënë edhe këshilla të nevojshme për t’i zgjedhur ato, ndërsa të tjerat i ka prezantuar në parlament.

Nisur nga fakti se Adnani ka marrë notë pozitive nga partia e tij socialdemokrate, ai tani është në listë për deputet në Parlamentin Evropian. Ndaj komuniteti shqiptar në këtë shtet duhet të organizohet si asnjëherë më parë në mënyrë që me datën 26 maj të dalin në vendvotime dhe të votojnë për bashkatdhetarin e tyre Adnan Dibrani. Pa dyshim se nëse ai arrin të zgjedhet deputet në këtë organ të BE-së do të shfrytëzoj rastin që me kolegët e tij nga shtete të ndryshme të flas dhe të kërkoj për të ndihmuar Kosovën në proceset integruese në këtë union të rëndësishëm evropian. Adnan Dibrani është kandidat i Partisë Social Demokrate të Suedisë. Bashkatdhetarë të nderuar mos ngurroni t’ia bëjmë të mundshme këtij politikani të ri shqiptar të zgjedhet deputet i Parlamentit Evropian.       

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat