Vlera letrare nga diaspora shqiptare e Italisë (Kujtim Hajdari)

Diaspora

Vlera letrare nga diaspora shqiptare e Italisë (Kujtim Hajdari)

Nga: Baki Ymeri Më: 15 maj 2019 Në ora: 22:07
Ballina

Kujtim Hajdari u lind më 10 Prill 1956 në fshatin Hajdaraj të Lushnjës, ku e kaloi fëmijërinë. Mbaroi  gjimnazin në Lushnjë në vitin 1976, me një mesatare të lartë (9.7), por për arsye biografike nuk i dhanë të drejtën e studimeve te larta. Pas kësaj mbaroi Shkollën e mesme Mekanike-Bujqësore për të filluar ndonjë punë. Ka punuar traktorist, kombajner, për pak vite, dhe pastaj mekanik në SMT-ën e Lushnjës. Më vonë, me përkrahjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, e në veçanti të zotit Dritëro Agolli, arrin të regjistrohet në Universitetin e Elbasanit në Fakultetin Gjuhë-Letërsi, të cilin e mbaron në moshën 38 vjeçare. Që kur ishte në vitin e dytë të universitetit filloi si mësues gjuhë- letërsie në Toshkëz e më vonë në shkollën e mesme  në Allkaj të Lushnjës, ku punoi për 6 vjet. Pastaj braktisi çdo gjë e iku në emigrim, në Itali, ku është edhe sot.

Që në 8-vjeçare shkruante poezi të bukura e me vlera artistike. Pasion, që në shkollën e mesme u pasurua. E fillon të botojë krijimet në gazetën lokale të atëhershme si dhe në ato kombëtare “Zëri i Rinisë” e “Drita.” Filloi të shkruaj, përveç poezive te bukura, edhe tregime dhe dramën e parë. Përgatit për shtyp vëllimin e parë me tregime “Violinisti” dhe dramën e parë “Netë pa gjumë”, të cilat ia pëlqyen si krijime artistike, por për fat të keq nuk shohin dritën e botimet për shkak të frymës antiparti siç i thanë në përgjigje. Për shumë vite mbeti në heshtje me dhimbjen e madhe të dëshpërimit. Filloi të shkruajë përsëri vitet e fundit në poezi.

Vëllimi i parë i tij poetik “Mbrëmë isha pa ty” doli nga shtypi më 8 maj të 2018 nga shtëpia e madhe botuese, amerikane “Create space” Një tjetër botim, pothuajse autentik, i këtij libri del një muaj më vonë në Tiranë nga shtëpia e njohur botuese “ADA” nën kujdesin e botuesit zotit Roland Lushi. Vëllimi i dytë poetik “do të vij natën” del nga shtypi në shtator të 2018 përsëri nga shtëpia botuese amerikane “Create space”. vëllimi i tretë i tij “emri i bukur dashuri” doli në mars 2019 nga Shtëpia Botuese “ADA” në Tiranë. Janë në shtyp dhe pritet të dalin së afërmi në qarkullim një  Antologji me poezi te zgjedhura ne shqip  dhe nje vëllim me poezi ne italisht.

Poezitë e tij janë botuar në shumë revista letrare online si në: “dritareinfo.com", “dritarjaonline.com", Galaktika poetike “Atunis”,   “wordpress.com",  “Politologjia”,  “Puppet channel”,  në revistën rumune “Grairomânesc” të përkthyer e botuar nën kujdesin e poetit të madh rumun, i propozuar për çmimin “Nobël”, Trandafir Simpetru, Në revistën “OBELISK” të shtëpisë botuese “Ada” nën kujdesin e zotit Roland Lushi, etj. Në revistën “Telegraf” nën kujdesin e zotit Engjëll Musai, etj. Për emrin e krijuar në poezi ishte i ftuar e mori pjese si konkurues në kampionatin botëror të Poezisë që u mbajt në tetor 2018 në Rumani.

Dy nga poezitë e tij u futën në antologjinë e madhe botërore të botuar me rastin e kampionatit “Anthology of the world  championship of poetry 2018”. Ishte i ftuar dhe mori  pjesë si konkurrues, në Kampionatin Europian të Poezisë 2019, rezultatet e të cilit u dhanë më 13.02.2019. Këtu u vlerësua me çmimin “Special” të Jurisë së  Kampionatit me poezinë “Vajza dhe deti”. Në Shkurt 2019 mori pjesë si konkurues në Çmimin Letrar Kombëtar e Ndërkombëtar të Italisë, te quajtur “Faqe te arta te poezise italiane” (premio letterario nazionale e internazionale “Pagine d’oro della poesia italiana) të organizuar nga Shtëpia e Madhe Botuese “Centoverba,  ku morën pjesë 286 konkurrues. Juria klasifikoi për poezi të artë vetëm 17 nga këta 13 italianë dhe 4 të huaj.

Ndër këta 17 vetë pati nderin të zgjidhet dhe autori i këtij vëllimi me poezinë “Versi për te”. Poezia “Versi për te” u cilësua nga Komisioni i këtij konkursi si poezia më e bukur e konkursit dhe u vlerësua me çmimin “Kupa e çmimit special” të Jurisë. Në një tjetër vëllim prestixhoz “Silent lips beating heart” ku janë përfshirë poet të njohur nga gjithë bota, të botuar në Indi nën kujdesin e poetit të njohur indian Sethi Krishan Chand, autori ynë  bën pjesë me poezinë në anglisht “Do not stay away from me”. Në një tjetër antologji botërore “Feel my soul” te botuar në Indi, ku përfshihen poet me emër në botë, merr pjesë me 6 poezi në anglisht.

Në Festivalin e Poezisë Shqiptare të organizuar nga Shoqata “Jehona Shqiptare” që u mbyll më 16 shkurt 2019, u fut te 100 poetët më të mirë të përzgjedhur dhe përfaqësohet në  ““Antologjia poetike kombetare e jehones shqiptare” që botohet me rastin e festivalit, me poezinë “Mos më thuaj lamtumirë” Në këtë Festival vlerësohet me çmimin e parë për diasporën dhe i jepet titulli nderi poetik i diasporës. Poezia e tij është pritur me entuziazëm dhe kanë shkruar fjalët më të mira  mijëra admirues te tij në gjithë botën si dhe poet të njohur brenda e jashtë vendit. Ju urojmë lexim të mbarë!

Si dy jetimë

Në qytetin tim, edhe pse vij rrallë, shumë rrallë,
Rrugët më njohin nga muzika e hapave kur shkel,
Zogjtë zgjatin kokën, mes luleve të bukura, me mall,
E mbushin ajrin me urimin, që cicërimave çel.

Njerëzit nuk e harrojnë buzëqeshjen time,
Edhe pse mungesa e gjatë hedh hije trishtimi,
Një vatër të ngrohtë oxhaku në zemrën e tyre,
Do ta gjej, si bir i mirë, pushtuar nga mallëngjimi.

Në ajër janë akoma notat e zërit tim rinor,
Si petale të bukura lulesh që vallëzojnë prej ere,
Me përqafimet e tyre të përmallshme më mbulojnë,
E më sjellin në shpirt një copë të bukur pranvere.

Për çastin qesh dhe gëzohem, por dhe qaj jetën time,
Një copë jete e braktisur, e flakur, e harruar,
Diçka të dhimbshur, më duket, kam lënë jetime,
Diçka, që kërkoj ta gjej, ta ruaj si pjesë të çmuar.

Pjesa tjetër mbeti jashtë, udhëve të botës pafund,
Me etjen, që një ditë djepi i Atdheut ta përkund,
Por ajo ditë mbeti një imazh i paarrirë,
Një imazh, që më shtrydh e më bren pa mëshirë.

Një imazh që ma ndez horizontin e mendimeve,
E dëshirat zbërthen në ylberët e pritjeve,
Që humbin e zhduken në lumin e pikëllimeve,
E unë trembem përherë nga tmerri i ikjeve.

Dy pjesët zgjasin dorën njëra – tjetrës me dridhërime,
Nën lotët e Tokës Mëmë, tretur viteve, në vajtim,
Dy pjesët e jetës time mbetën si dy jetime,
Njëra humbur, pa Atdhe, e tjetra larg shpirtit tim.

 

Këtë përvjetor


Më zgjuan herët kujtimet këtë mëngjes,
Gëzimet e hidhërimet e një viti të tërë,
Me tufa lulesh m’i sollën, të lagura me vesë,
Dhomën ma mbushën me mall e pranverë.

I lashë mënjanë sot laps e fletore,
Do luajmë në barin e njomë si fëmi,
Me nipat Dilan e Kristian për dore,
Nën qeshjet e ëmbla të mbesës Emili.

Nga ekrani do luajmë me nipin Dion,
Përtej oqeanit, ku me mamin qesh me lotë,
Diellin e gëzimit ndez me t’atin Edison,
E me nipat e tjerë kudo që janë në botë.

Sot dua të bisedoj papërjashtim,
Me të afërm, miq e shokë anembanë,
Me ata që një vit të tërë, papushim,
Zemrës time dritë e diell i dhanë.

Ndonjë mik a mikeshë që m’ka harruar,
Me gotën e dhimbjes do t’i ngre dolli,
Do i kërkoj falje, padashur e kam lënduar,
I them se jeta ësht’e shkurtër për mëri.

Mua më gëzojnë arritjet nga gjithësecili,
E uroj me shpirt për suksese gjithëkënd,
Më dhëmb të këpus një gonxhe trëndafili,
Siç do më dhimbte fjal’e keqe e pavend.

Oh, sa dëshirë kisha t’ju takoja të gjithë,
Një faleminderit t’jua lija me gjithë zemër,
Me sytë tanë të rroknim gotat e gëzimit,
Njeri- tjetrit t’i thërrisnim ngrohtë në emër.

Por, megjithatë, do t’më ndjeni pranë,
Ashtu siç ju ndjej gjithmonë edhe unë,
Në hapësirat e shpirtit tim të paanë,
Miqësi e shoqëri në botë, gjithëkund.

 

Mos më thuaj lamtumirë

Ti je e ëmbël dhe në ikje,
Dhe kur pëshpërit lamtumirë,
Dhe kur dy zemrat n’përpëlitje,
Zgjatin duartë për mëshirë.

Ëndrrat po m’i shuan ngadalë,
Pemët si ëndrrat ndrrojnë ngjyrë,
Më rri heshtur ëngjëll pa fjalë,
Më mbledh n’krahë e sytë i mbyll.

Mos më thuaj Lamtumirë,
Mos më sill prapë vetminë,
Në shpirtin tim sa ka mbirë,
Sa kam ndjerë dashurinë.

Unë nga vdekja nuk kam frikë,
Po më trembin sytë e tu,
Kur ti dritën në ta e fik,
Për mua vdekja fillon këtu.

Atje larg më çoni

Fryn acari, fryn i ftohtë,
Ngrij dhe unë përmbi cikmë,
Kur do shkoj qoshes së ngrohtë
Të më iki pak kjo dridhmë.

Ky mërgimi po më tret,
Shuhen vitet pa një vlerë,
Vendi im gjithnjë më thërret,
Ku kam emër e kam nder.

Këtu i huaj e në vetmi,
Mes njerëzish e pa njeri,
Zhurmë, zëra sa të mbytin,
Dritë e ajër sa të ndytin.

Jeta ikën si e marrë
Pas parasë t’gjithe rendin,
Dhe i gjallë – dukesh në varr
S’të shikon njeri si tëndin.

O kujtime larg më çoni,
Mallit tim kur shtegëtoni,
Vendit tim të dëgjoj një këngë,
T’shuaj mallin e çdo brengë,

Ku kam lënë puthjen fshehur,
Diellin shuar në një zemër,
Djalërisë gjysëm dehur,
N’udhë ëndrrash pa një emër.

Ku çdo guri i përkulesh,
Ku ndjen trupi fllad pranvere,
Ku jam dehur aromë lulesh,
Ku njoh gjëmbin e çdo ferre.

Ku zbret ëmbël edhe nata,
Edhe yjet më rikthejnë,
Gëzimin tim që dikur pata,
Shpirt e zemër më dëfrejnë.

Atje larg ma çoni zemrën,
Këngë e mall t’i puthi fortë,
Atje larg ku humbi ëndrrën,
Ku e presin në çdo portë.

 

Një përkthim i mrekullueshëm


Para disa kohesh pata një dhurate te bukur nga miku im, poeti e përkthyesi i talentuar, profesori e akademiku i nderuar, zoti Iliaz Bobaj. Me dhuroi një libër te mrekullueshëm “Kavafis, seferis, elitis, ricos”, ku janë përfshirë këta katër poet te shquar grek te përkthyer nga zoti Iiaz nga greqishtja, direkt nga origjinali duke na dhënë këto poezi te bukura ne ëmbëlsinë e gjuhës tone.

Me kujdesin, talentin, aftësinë dhe dashurinë për poezinë dhe gjuhen tone, përkthyesi ka bere qe këta poet te mëdhenj, me aq fame ne Greqi e ne bote, te flasin po aq bukur me poezinë tyre te mahnitshme edhe ne gjuhen tone. Si pohon edhe vet përkthyesi, ne bisedën e ngrohte prej miqsh qe pata me te, ka kërkuar t’i qëndroi sa me besnik origjinalit edhe me vështirësitë e shumta qe ka përkthimi i poezive. Fale aftesive te tij dhe pervojes ne artin e poezisë, na ka dhëne përkthime te bukura e me vlere duke mos prishur bukurinë artistike dhe embelsine poetike te poezive, duke ruajtur kompozimin poetik, ritmin ne vargje, e ne shume raste edhe rimat ne vargje duke na i sjell poetet origjinal veçse nuk flasin me greqisht ne librin e tij por shqipen tone te bukur. Me siguri, kam mendimin se çdo poet apo dashamires i poezisë, po te njihej nga afër me përkthimin do te kishte kënaqësinë ta kishte ne bibliotekën e tij. Për mua ishte kënaqësi e madhe se me mungonin ne bibliotekën time poet te tille te përkthyer nga origjinali. Duke e falënderuar përzemërsisht mikun e nderuar i uroj suksese pafund ne punën e tij te mrekullueshme si poet e përkthyes dhe presim kënaqësitë e tjera qe do t’na fali zoti Bobaj (Kujtim Hajdari)

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat