Trieshi në gjysmë të rrugës! - Bota Sot
Trieshi në gjysmë të rrugës!

Diaspora

Trieshi në gjysmë të rrugës!

Nga: Gjekë Gjonlekaj Më: 21 maj 2019 Në ora: 00:30
Trieshi

Ditë më parë gazeta "Dan" e Malit të Zi shkroi se rruga Fudna- Triesh nuk do të asfaltohet sivjet. Ky është një lajm i keq për Trieshin, sidomos për  banorët e katundit Poprat.  

Kanë kaluar tri vjet qysh se në New York dhe në Detroit filluan aktivitetet për zgjerimin dhe asfaltimin e rrugës së Trieshit. Në fillim dhe për një kohë të gjatë diaspora e kësaj treve në Amerikë tregoi interesim dhe entuziazëm të jashtzakonshëm për zgjerimin dhe asfaltimin  e kësaj rruge. Në New York dhe në Detroit u bënë fushata serioze për këtë vepër të madhe. Për më shumë se një vit malësorët dhuruan më shumë se $800.000 (tetëqind mijë ) dollarë. Kjo ishte ndër fushatat më të sukseshme në historinë e diasporës shqiptare të Amerikës.

Diaspora amerikane e Trieshit u bë shëmbull për të mirë. Gjatë vitit 2017 lindën ide edhe për vepra tjera të rëndësishme për banorët e kësaj treve shqiptare të Malësisë. Kryesia e këtij Fondi fliste vite më parë për mundësinë e ndërtimit të ujësjellsit. Ndërkohë disa anëtarë të Fondit dhanë kontribute për pajisjen e shkollës së Trieshit me kompjutera modernë dhe kjo u realizua para dy vjetësh. Kështu vepruan edhe për rregullimin e shtëpisë së një bashkëvendasi në fshatin Vrella afër Podgoricës. Kjo ishte një vepër humane. Ky Fond ngriti $15.000(pesëmbdhet mijë) dollarë  për festimin e 50-vjetorit të Shoqatës  Kulturore "Besa" e Trieshit.  

Ky Fond është në veprim e sipër për financimin e vendosjes së bustit të Skenderbeut në oborrin e shkollës së Trieshit  e cila e mban emërin e heroit tonë kombëtar tash 50 e sa vjet. Gjatë viteve 2016 dhe 2017, Trieshin e kishin vizituar delegacione shhtetërore të Malit të Zi. Ata ishin prtitur me dreka dhe darka të shkëlqyeshme sipas standardeve të atij vendi. Ç'prej fillimit të punës për zgjërimin e kësaj rruge ata kishin premtuar se do ta asfaltojnë deri në fund. Premtimet e qeveritarëve dhe disa bashkëpunëtorëve malësorë e kishin ngritur entuziazmin tonë për kontribute serioze. Rruga e Trieshit prej kilometrit 7 e deri në Koritë është 24 kilometra e gjatë. Para  se kishin filluar asfaltimin e rrugës nga Delajt e deri në Fundna, autoritetet shtetërore malazeze kishin kërkuar 10.000(dhjet mijë) euro për asfaltimin e çdo kilometri.  Kjo kishte qënë diçka e paprtiur dhe e panjohur për diasporën tonë, sepse këtë financim nuk  kishin perëmendur deri ato ditë. 

Ky vendim i autoriteve përkatëse të Malit të Zi ishte një barrë e rëndë për Fondin tonë, megjithatë diaspora e pranoi këtë vendim të paparaparë..Në marrëveshjen që kishin bërë Këshilli i Trieshit për këtë rrugë ata kishin futur në atë kontratë një pragraf që lente të dyshohet se nuk do të asfaltohej krejt rruga deri në fund. Aty shkruante se asfaltimi i tre kilometrave të fundit do të mvaret nga mjetet, mundësisht brenda tre muajsh. Qysh atëherë e sot kanë kaluar 20 muaj dhe nuk është bërë asnjë metër asfaltim. Bile kishin kërcënuar se edhe këto kilometrat tjera nuk do t'i asfaltonin nëse nuk dërgonim pjesën tonë të asfaltimit që ishte $120.000(njëqind e njëzetë mijë)dollarë. Kërcënimet e tyre krijuan atmosferë të vështirë për ne, sepse kjo nuk kishte qënë pjesë e premtimit tonë. 

Më 17 nëntor të vitit 2017 Millo Gjukanoviqi i kishte dhënë një intërviste të gjatë Televizionit Boin. Në atë intervistë kishte folur edhe për investimet e Malit të Zi në infrastrukturën rrugore të Malësisë dhe në kuadër të kësaj teme kishte folur edhe për rrugën e Trieshit. Kishte folur mirë për diasporën tonë dhe kontributin e saj prej 1 million dollarësh për zgjerimin e kësaj rruge. Gjatë kësaj interviste më 17 nëntor 2017 kishte premtuar se qeveria e Malit të Zi kishte siguruar 1 million e 300  mijë euro për asfaltimin e rrugës së Trieshit deri në Koritë. Banorët e Trieshit dhe diaspora ishin gëzuar shumë në lidhje me premtimin e zotni Gjukanoviqit. Ky politikan që pretendon se është burrë shteti ç'prej asaj dite e deri sot nuk kishte bërë asnjë hap për asfaltimin e premtuar, bile as për tre kilometrat e fundit ku ndahet rruga e Trieshit me atë të Kuçit. Nëntorin e ardhshëm bëhen 2 vjet qysh se e kishte bërë atë premtim para mijëra shikuesëve malësorë shqiptarë e malazezë, themë malazezë sepse intervistën e kishte dhënë në gjuhën e tij .

Edhe udhëheqësit e vendeve të përparuara kanë probleme të tilla, por shumicën e rasteve ata kërkojnë falje për mos mbajtjen e fjalës. Millo Gjukanoviqi në të kaluarën kishte miqë dhe përkrahës besnikë në Triesh dhe kishte detyrime morale ndaj tyre. Më së keqi mund t'u kërkonte një falje publike për këtë mashtrim kaq të madh. Kjo dhe shumë gënjeshtra të tjera në të kaluarën shkaktuan humbjen e tij të madhe në Triesh dhe në mbarë Malësinë në votimet e marsit të këtij viti. Presidenti i 14 i Shteteve të Bashkuara Abraham Lincoln ka thënë: "Një njeri mund ta gënjesh tërë jetën, një popull mund ta gënjesh për do kohë, por një popull nuk mund ta gënjesh përgjithmonë. Zotni Gjukanoviq shiko se nuk të ecën kungulli gjithëmonë mbi ujë. Siç duket nuk e kel exuar Mark Milanin i cili i kishte porositur malazezët që të mos i gënjejnë malësorët shqiptarë. Ky kishte qënë amaneti i tij i fundit pak para vdekjes. 

Tash dy tre muaj gazeta e madhe amerikane "The Wall Street Journal" është duke shkruar për atë urën gjigante të Bioçit dhe autostradën moderne e cila e lidhë Podgoricën me pjesën veriore të Malit të Zi dhe me Sërbinë. Sipas gazetës së lartpermendur kjo urë dhe autostrada do të kushtojnë miliarda dollarë. Kjo gazetë e madhe amerikane shkruan se ndërmarrjet kineze të ndërtimit po bëjnë punimet e këtij projekti kolosal. Nëse buxheti i Malit të Zi përballon shpenzime  të tilla si është e mundur të mos përballojë 650.000(gjashtëqind e pesëdhjetë mijë)Euro. Malësorët atje dhe në diasporë bëjnë pyetje pse nuk fillojnë punimet e rrugës Dinoshë-Vermosh, ndërsa këtë rrugë e financon Banka Evropiane.  Po e them  kështu për atë shprehjen e vjetër gjeografike  të Malësisë ju keni detyrë deri në kufirin me Shqipërinë në Grabom, përndryshe rrugën e Kelmendit  e ndërtoi Shqipëria. Ju zotni Gjukanoviq dhe ministrat tuaj keni dështuar keq, aq më tepër kur rruga e Trieshit është përjashtuar nga buxheti i këtij viti.

Premtimeve të Gjukavanoviqit dhe ndonjërit prej atyre miqëve të tij të korruptuar malësorë u thonë: "Ush gomar se po del bar". Ku janë malësorët që betohen për kokën e Gjukanit. Ku janë malësorët besnikë të politikës dhe të biznesit? Ku është Këshilli  i Rrugës së Trieshit? Edhe kryesia e FONDIT HUMANITAR TRIESHI në Amerikë është duke qëndruar në heshtje. Pse? Fushata e viteve 2016 dhe 2017 kishte qenë shumë serioze por tash 20 muaj është paralizuar totalisht kur është fjala për rrugën e Trieshit. Qeveria e Malit të Zi mund të tërhiqet plotësisht nga ky premtim, atëherë si do të veprojmë ne? Drejtoria e këtij Fondi duhet të mblidhej dhe të bisedojë për ndonjë mundesi tjetër. Në këtë punë janë dëmtuar rëndë katundet Bekaj dhe Poprat. Banorët e këtyre dy fshatrave kanë dhënë fonde të shkëlqyeshme, por për rrugën e tyre nuk është bërë ajo që duhet, bile nga ato punime është dëmtuar rruga e vjetër. Do të ishte vepër e ndershme sikur udhëheqja e Këshillit të Trieshit në Malësi dhe e Fondit Humanitar në Amerikë ta shqyrtojnë mundësinë e fillimit të asfaltimit të rrugës Delaj-Poprat tash për tash dhe më vonë të përfundohen ato të tre kilometra e fundit. Ajo pjesë është e kalueshme sepse nuk e kanë prishur shienat, siç ka ndodhur me rrugën Bekaj-Poprat. 

Diaspora nuk duhet të heqin dorë nga asfaltimi i kësaj rruge jetike për të ardhmen e vendlindjes sonë. Amerikanët thonë:" Në qoftë se ekziston vullneti, ekziston mundësia. (If there is a will, there is a way). Dështimi i vullnetit për asfaltimin e kësaj rruge,mund të jetë një hap i mbrapshtë për shuarjen e  Fondit Humanitar Trieshi. Fjalia e gjuhës shqipe më la në gjysmë të rrugës është e keqe. Supozojmë se Mali i Zi nuk investon asnjë dollarë tjetë për përfundimin e kësaj rruge! Vallë ne duhet  ta pranojmë atë vendim?  Ësht detyra jonë të mos e lëmë Trieshin në gjysmë të rrugës. Diaspora e Trieshit në Amerikë, në Evropë dhe në Australi  ka fuqi të mjaftueshme financiare për ta mbaruar vetë këtë rrugë. Gjergj Fishta ka thënë:"Për atdhe e troje të veta,  mos tu dhimbet gjaja as jeta".Trieshi është “Troja” jonë. Është koha t’i ringjallim energjitë dhe entuziazmin e viteve të kaluara.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...