Nikollë Shabani, dekorohet me dekoratë nderi nga kryeministrja e landit “Rheinland-Pfalz” në Gjermani.

Diaspora

Nikollë Shabani, dekorohet me dekoratë nderi nga kryeministrja e landit “Rheinland-Pfalz” në Gjermani.

Nga: Rexhep Elezaj Më: 22 maj 2019 Në ora: 06:05
Kryeministrja e Landit Rheinland-Pfalz, znj. Malu Dreyer

Dekorata e Nderit (“Ehrennadel des Landes Rheinland-Pfalz“) u ndahet individëve të dalluar për punë nderi qe këtë e deshmojnë me më se paku 12 vite angazhim në administratën komunale, në çështje sociale, punë shkencore dhe ekonomike etj.

Ndarjen e dekoratës atdhetarit dhe bashkëkombësit tonë, Mr. Nikollë Shabanit, me titull: “Dekoratë Nderi - Landi i Rheinland-Pfalz”, ia dorëzoi kryeministrja e Landit, znj. Malu Dreyer, ku ishin të pranishëm edhe ministri i Drejtësisë - Ministri shtetëror Z. Herbert Mertin, si mirënjohje dhe respekt për punën dhe kontributin që për vite të shumta e ka dhënë z. Nikollë Shabani, i cili vazhdon të punojë me sukses në institucionet vendore gjermane nën përkujdesjen e ministrit shtetëror, z. Herbert Mertin, siç është Instituti JVA në Frankenthal si dhe institucione tjera.

Dekorata e Nderit i përket kategorisë së nivelit më të lartë të dekoratave në bashkësitë gjermane dhe Landet e tyre. Duhet theksuar faktin, që aktivisti dhe intelektuali ynë nga Ulqini (Mali i Zi) është i pari qytetar i huaj në Gjermani të cilit i ndahet ky çmim dhe kjo dekoratë e veçantë. Ndarja e kësaj Dekorate Nderi në gusht 1974 u ngrit në nivelin e dekorimit më të lartë shtetëror, në Fondacion i përkrahur dhe i favorizuar personalisht nga Kryeministri i këtij Landi në atë kohë, Helmut Kohli, i cili më pas u përzgjodh vite me radhë Kancelar i Gjermanisë.

Image
Dekorata e Nderit

Të dekoruar me “Dekoratën e Nderit” gjatë viteve të kaluara ishin personalitete të veçanta, siç mund të lexohen më poshtë: me 1984 Aloys Felke, një sipërmarrës dhe politikan gjerman në Rheinland-Pfalz, i cili ishte anëtar i Parlamentit të CDU-së, me 1988, Hajo Knebel, shkrimtar i famshëm gjerman, me 1971 Gerhard Paulus, jurist dhe politikan i shquar i Gjermanisë (FDP), me 1975, Josef Rüddel, i lindur më 20 janar 1925 në Hallerbach, ishte kryetari i Bashkisë Windhagen me rrethinë dhe i Neuwied, i cili e mori mirënjohjen kombëtare në vitin 2013, pra pas 50 vjetësh, si krye-bashkiaku më i vjetër në Gjermani, me 1991 Gerold Karl Scheuermann, historian i shquar gjerman, me 2010 Udo Soifen, deputet në Bundestag, ishte kryesues bashkiak i Hoffeld, dhe me 2018 Alfred "Fred" Reichelt, kryetari i Bashkisë Wassenach dhe Reichelt.

Dekorata e Nderit mbahet në anën e majtë të gjoksit, në të cilën është e vendosur stema e landit Rheinland Pfalz dhe në mënyrë stilistike në pjesën e majtë të saj ndodhen në forme Hilardike gjethet e dafinës.

Fituesi i sotëm, në Parlamentin shtetëror të Mainz-it „Staatkanzelei“, me datën 21. 05. 2019, i kësaj Dekorate është magjistri i shkencave Juridike/ Doktorant, Nikollë Shabani, i cili për shkaqe politike u detyrua të largohet nga qyteti i Ulqinit në vitin 1989, për t’u vendosur në Gjermani, ku filloi të punonte për një Fondacion Ekonomiko-Kulturor, duke i mbuluar me aktivitetin e tij vendet e Evropës Juglindore si Çekinë, atëkohë në Gjermaninë lindore, Poloninë, Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi si dhe vendet tjera të ish Jugosllavisë.

Zotëri Nikollë Shabani, këtë vit në të cilin po i ndahet kjo Dekoratë e konsideron si një Jubile të jetës në mërgatë pas 30 viteve shtegtim larg atdheut.

Me punën dhe angazhimin e tij, Nikolla u veçua, sidomos gjatë periudhës së shpërnguljeve masive pas rënies së komunizmit në Shqipëri, në mënyrë të veçantë duke i mbështetur dhe ofruar ndihmë refugjatëve të përndjekur nga Kosova, të cilët në mënyrë sukcesive që nga vitet e 90-ta do strehoheshin në Gjermani deri në mbarim të luftës në Kosovë me 1999.

I pyetur zotëri Shabani, se me çfarë ndjenjash e përjetoi marrjen e kësaj Dekoratë të lartë nga shteti ynë mik, Gjermania, dhe e cila për herë të parë po i ndahet një të huaji, ai veçoi:

Kënaqësia është e papërshkrueshme, ani se gjuha jonë ka mjaft shkronja dhe fjalor tejet të pasur, mbase unë e zotëroj mirë oratorinë, mirëpo kësaj here nuk gjej dot shprehje që ta përshkruaj atë ndjenjë gëzimi dhe krenarie. Konsideroj se kjo Dekoratë është e përbashkët me të gjithë shokët e mi me të cilët kam punuar vite me radhë në Gjermani dhe në atdhe.

Image
Nga e djathta; ministri i drejtësisë, Herbert Metin, znj. Leze Shabani, kryeministrja znj. Malu Meyer, Nikollë Shabani.

Po ashtu, Nikolla përmendi edhe dy përjetime nga koha e veprimtarisë së tij atdhetare; “Edhe sot i kujtoj ato ditë tmerri të eksodit shqiptar, duke e kujtuar atë moton: “Atdhe është vendi ku njeriu jeton i lirë”, por ne shqiptarëve sikur nuk na mjafton as kjo postullatë. Këtë fakt e vërteton më së miri kjo Dekoratë e sotshme, kështu që vendimi im për të jetuar në një vend demokratik, siç është Gjermania, më duket se ishte i drejtë dhe është pikërisht ky momenti historik, kur unë sot mora këtë mirënjohje të lartë nga Landi Rheinland/Pfalz. Sepse, pranë mirënjohjes që më jep kjo Dekoratë, më ngarkon edhe me përgjegjësi të veçantë, që bashkë me shokët e mi ta korrigjojmë atë që nuk funksionon si duhet në atdheun tonë. Pra, ta çrrënjosim korrupsionin dhe krimin ekonomik, t’i zhdukim veprimet e “kushtëzuara”, ta ngrisim virtytin e etikes kombëtare dhe tradicionale, ashtu siç e kultivonin dhe ruanin të parët tanë me shekuj! 

Mr. Nikollë Shabani, përveç punës së tij të nderit, ai kontribuoi në shumë aksione humanitare, por edhe nga këndi profesional prej Juristit, siç është angazhimi i tij në JVA-Frankenthal, ku me punën e bërë në këtë institucion do rrjedhë edhe propozimi për t’u dekoruar me këtë Dekoratë Nderi nga Parlamenti i Landit të Mainz-it, gjegjësisht nga kryeministrja Maly Dreyer.

Urimet tona më të sinqerta, z. Nikollë Shabani për këtë mirënjohje të lartë, e cila përveç atij personalisht, i bënë nderë edhe gjithë shqiptarëve në Gjermani dhe kudo në atdhe.

Mr. Nikollë Shabani, gjatë viteve të okupimit të Kosovës nga regjimi kriminal i Serbisë (1991-1999) ishte pjesëmarrës aktiv në të gjitha aksionet e ndërmarra nga mërgimtarët tanë në Gjermani për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Ai bashkë me shumë bashkëkombës tjerë nga trevat shqiptare në Mal të Zi, u dalluan përherë për dashurinë dhe interesin kombëtar, pa dallim, duke dhënë ndihma konkrete si dhe kontribut të pakursyer në afirmimin dhe sensibilizimin e çështjes së Kosovës pranë zyrave ndërkombëtare në Evropën perëndimore, Kanadë, SHBA, etj. Po ashtu, ka qenë udhëheqës i shumë Asociacioneve dhe Shoqatave tona kombëtare në Gjermani, duke luajtur një rol kyç në organizimin, forcimin, unifikimin dhe bashkëveprimin e të gjitha strukturave politike dhe luftarake në shërbim të luftës çlirimtare në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe më gjerë..!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat