Dy organizime të rëndësishme në Qendrën Kulturore në Suedi

Diaspora

Dy organizime të rëndësishme në Qendrën Kulturore në Suedi

Nga: Qerim Kryeziu Më: 10 qershor 2019 Në ora: 09:24
Suedi

Të shtunën më 8 qershor, Qendra Kulturore e Kosovës në Suedi pati dy organizime të rëndësishme informative kulturore. Organizimi i parë ishte bashkëbisedim me ambasadoren e re të Kosovës në Suedi zonjën Shkëndije Geci Sherifi me komunitetin shqiptar që jeton e vepron në këtë shtet. Ambasadorja jonë tashmë është fuqiplote në Suedi dhe mes tjerave takimi me bashkëkombësit e vet ishte dëshirë e saj. Takimi kishte për qellim njohjen, informimin, sqarimin, mundësitë e veprimit të organizuar e të kulturuar të komunitetit shqiptar e institucionit të ambasadës së Republikës se Kosovës në Mbretërinë Suedeze. Ambasadorja shoqërohej nga zotëri Valon Xhaferi .

Në sallën e madhe të Qendrës Kulturore në Malmö kishin ardhur mbi 70 vetë, përfaqësues të shoqatave kulturore dhe asociacioneve tjera që veprojnë në Suedi. Mirëseardhje ambasadores , stafit të saj e komunitetit u shprehu zyrtari ndërlidhës në Qendër prof. Muhamet Shatri. Ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi, në fjalën e vet prezantuese para bashkatdhetarëve shqiptarë në Suedi tha ” Unë jam ambasadore e karrierës, këtu kam ardhur për të dëgjuar kërkesat e juaja që keni karshi ambasadës”. Ajo gjithashtu njoftoi të pranishmit për vendimin që ka marrë Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës për hapjen e përfaqësisë konsullore në qytetin e Malmös.

Përfaqësuesit e shoqatave prezantuan rolet dhe veprimtaritë e shoqatave që përfaqësojnë . Të tilla ishin: Shoqata Kulturore Dardania në Båros, Shoqata e Mësuesve shqiptarë nga Landskrona, Shoqata e Gruas ”Eleonora” në Malmö, Shoqata ”Kosovarja” në Malmö, Unioni i Shoqatave me seli në Malmö, Shoqata e Kulturore Shqiptare ”Okarina” Landskrona, Shoqata ” Meshari” nga Åstorpi e disa shoqata të tjera . Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësuesit e familjes Jasharaj nga Prekazi si profesor Rexhep Jashari, profesori i muzikës Bashkim Jashari dhe Jashar Jashari. Morën pjesë edhe dy drejtorët e mëparshëm në Qendër Xhevat Isufi e Naim Sadiku. U diskutua gjatë dhe u shtruan shumë pyetje. Në takim vërehej frymë bashkëpunimi e premtimi.

Image

Pas dite pati një organizim tjetër të rëndësishëm. Është fjala për programin kulturor informativ “Të njohim turizmin në Kosovë”. Organizatorë të këtij programi ishin Ministria e Diasporës dhe Investimeve Strategjike në bashkëpunim me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë/KIESA si dhe Shoqata Kulturore Sportive Shqiptaro-Suedeze “Meshari” me seli në Åstorp të Suedisë.

Në emër të Ministrisë së Diasporës foli zonja Shyhrete Kastrati si dhe ambasadorja Shkëndije Geci Sherifi. Deputeti suedez dhe kryetari i social demokrateve të regjionit të Skånes Niklas Karlsson përshëndeti të pranishmit në emër të funksionit që kryen. Karlsson tregoi se është kolegu i tij gjithashtu deputet në Parlamentin Suedez Adnan Dibrani që ka zgjuar interesimi e tij për Kosovën dhe bukuritë turistike të saj. Fatmir Seremeti, përfaqësues i Suedisë në lojërat para olimpike (pjesëmarrës në tri olimpiada) përshëndeti në shqip dhe në anglisht mysafirët. Në foltore dolën edhe Jashar Jashari si dhe Beqir Sokoli si përfaqësues i komunitetit shqiptar në Australi.

Në pjesën e dytë të programit u bë një prezantim i zhvillimeve dhe i potencialeve turistike të Kosovës. Fatos Katallozi operator turistik dhe përfaqësues i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë/KIESA shpaloi disa nga vlerat e turizmit në Republikën e Kosovës. Fatos Katallozi profesionalisht informoi edhe përmes video projektorit për të gjitha resurset turistike të Kosovës dhe u përgjigj në shumë pyetje. Biznesmeni i njohur shqiptar në Skandinavi e më gjerë Halim Hoti prezantoi projektin e tij “Investitori në turizmin e Kosovës” . Në panelin e programit u paraqiten Halim Hoti, Arbër Sadiku, Fatos Katallozi dhe Arianit Tolaj. Secili prej tyre foli për turizmin dhe mundësit e zhvillimit të tij si dhe u përgjigjen në shumë pyetje të publikut.

Aktiviteti u përplotësua me dy këngë popullore të këngëtares së njohur në Skandinavi Afërdita Xani. Dhe u përmbyll me një koktej të shtruar nga Shoqata mikpritëse “Meshari” . Sponsor medial i gjithë aktivitetit ishte Televizioni AlbSe si dhe televizioni shqiptar ZIK i Danimarkës.

Dy takimet e së shtunës në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi patën rëndësi të veçantë. Takimi i pasdites ishte shumë informues lidhur me turizmin në Kosovë dhe për këtë duhet falënderuar organizatorin kryesor Shoqatën “Meshari”.

Të dielën mbahet programi tjetër kulturor Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë në Suedi Beqir Gashi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat