Thënie të urta të përpiluara nga Sadik Elshani - Bota Sot
Thënie të urta të përpiluara nga Sadik Elshani

Diaspora

Thënie të urta të përpiluara nga Sadik Elshani

Nga: B.S Më: 13 qershor 2019 Në ora: 11:29
Sadik Elshani

Vlerat janë eksporti më i mirë

Një komb që gjen ngushëllim vetëm në të kaluarën e tij, sado e lavdishme qoftë ajo, është duke jetuar një të tanishme të plogësht dhe pa shpresë për një të ardhme të ndritur.

Shërbimi më i mirë që horrat mund t’i bëjnë atdheut është, të mos bëjnë asgjë për të.

Edhe një popull, shtet i vogël mund të ndihet i madh, atëherë kur krijon vlera dhe udhëhiqet nga njerëz të mëdhenj.

Nëse ndërtojmë shtet për një ideologji, një person, atëhereëai shtet do të zgjasë vetëm sa zgjatë ajo ideologji, sa jeton ai person. Por, nëse ndërtojmë një shtet kombëtar, atëherë ai shtet do të rrojë sa vetë kombi.

Një regjim që përmbyset nga vetë populli, nuk mund të quhet popullor, i drejtë.

Fatkeq është ai popull kur për udhëheqës, prijës, duhet ta zgjedhë më të mirin e të këqinjve.

Mendjemëdhenjtë dhe demagogët paraqiten si mbrojtës të zjarrtë të vendit, kombit, por në të vërtetë ata janë shkatërrimtarët e tij.

Revolucionet që “i hanë” fëmijët e tyre dhe udhëhiqen nga njerëz të gabuar, janë revolucione kanibaliste (njeringrënëse), prodhojnë regjime çnjerëzore, ndërtojnë një ferr mbi tokë.

Shkenca t’i hapë sytë, ta hap mendjen, ndërsa ideologjia t’i mjegullon ato.

Mirë është të jeshë idealist, por idealist me këmbë në tokë e jo me kokë në qiell.

Optimizmi t’i shpalosë flatrat, pesimizmi t’i lidhë këmbë e duar, ndërsa realizmi t’i mbanë këmbët në tokë.

Dashuria ndaj atdheut duhet të jetë e pakufijshme dhe e pakushtëzuar.

Servilizmi nuk është miqësi e fortë, është nënshtrim në formën më të shëmtuar.

Traditat janë rrënjët e një kombi.

Në jetë gjërat janë pak më të ndërlikuara, jeta nuk është një film i vizatuar.

T’i marrim gjërat ashtu siç janë, të mos krijojmë simbole, mite të rrejshme, sepse ato pastaj vështirë çrrënjosen nga kokat e njerëzve, bëhen pengesa jonë dhe mbetemi peng i tyre.

Besa i jepet atij që ka besë – besa nuk i jepet të pabesit.

Vlerat janë eksporti më i mirë dhe arma më e fuqishme kundër urrejtjes dhe paragjykimeve.

Çdo gjë që thehet ndoshta edhe mund të ngjitet – besimi dhe zemra e thyer, kurrë.

Ne nuk e shohim dritën në fund të tunelit, sepse tuneli ynë shkon rrathë – rratheë në thellësi të tokës.

Më mirë të më gjykojnë njerëzit sot, sesa nesër të më gjykojë historia.

Më falë – fjali shumë e thjeshtë, po përse njerëzit e kanë të vështirë ta thonë?!

Nuk mund ta falësh atë që nuk e pranon gabimin, nuk pendohet dhe nuk kërkon falje.

Aty ku fliten fjalë të mëdha, kryhen punë të vogla.

Të gabuarit është njerëzore (latine), ta pranosh gabimin është burrërore, ta falësh është hyjnore.

Mos i mosperfillni thëniet e urta, ato janë formulat e jetës.

Përvoja për jetën është sikurse eksperimenti për shkencën.

Të ndiejmë me zemër e të gjykojmë me kokë.

S’ka art pa frymëzim dhe shkencë pa kurreshtje e durim.

Nganjëherë vetmia është shoqëria më e mirë.

Demagogjia dhe retorika bombastike nuk të bëjnë atdhetar – veprat e mira, po.

Përkufizim i shtetit të dështuar, bërllok: qeveritarë të pasur, qytetarë të varfër; drejtësi, zero.

Një fjalë është poezi, dy fjalë janë prozë.

Ata që e rrahin gjoksin, nuk i rrahin këmbët.

Nuk ia vlen të argumentosh me ata që mendojnë se i dinë të gjitha.

Philadelpphia 12 qershor, 2019

Sadik Elshani është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro - amerikane

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...