Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë në Suedi - Bota Sot
Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë në Suedi

Diaspora

Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë në Suedi

Nga: Qerim Kryeziu Më: 15 qershor 2019 Në ora: 11:29
Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë në Suedi

Në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi  filloi siç duhej dhe  përfundoi  siç dëshirohej Festivali i Tretë i Rapsodëve Shqiptarë të pagëzuar me emrin e heroit e rapsodit të Kosovës  Beqir Gashi. Ky Festival është ideuar dhe realizuar vite më parë nga Ministra e Diasporës me Qendrën e vet  Kulturore dhe shoqatën kulturore “Drenica” atëbotë me seli në Halmstad.  Festivali tuboi shumë këngëtarë e  instrumentistë mërgimtarë që  jetojnë  e  punojnë në Suedi. Nëse për një çast  abstrahojmë  aktivitetet kulturore të zhvilluara për nder të festave kombëtare, atëherë del  se ky aktivitet muzikor me karakter festivali  ishte organizimi më i rëndësishëm i Qendrës Kulturore të Kosovës në Suedi për këtë gjashtë mujor veprues.

Disa tipare veçuese të  këtij festivali

Quhet festival i rapsodëve meqë brenda tij  dominon folklori si gjini  e interpretojnë rapsodë shqiptarë që fati jetësor i degdisi  në këto anë.  Ndërkaq,  mban cilësorin Beqir Gashi ngaqë cilitdo festival folklorik do t´i rrinte bukur, krenarisht emri i këtij djali hero e këngëtar  njëkohësisht. Për më shumë,  Beqir Gashi ishte i biri i Sefë Mlecanit të njohur në folkloristikën shqiptare në fushën e epikës kreshnike legjendare dhe i familjes muzikore që për 70 vjet nuk reshti së kënduari për liri. Në fillim festivali kishte karakter konkurrues kurse tash jo.  Tash thjesht synon të tubojë sa më shumë shqiptarë që  këndojnë e lozin me instrumente tradicionale kombëtare.  Dy festivalet e para kishin  udhëheqës artistik  profesorin e muzikës në shkollat e Malmös Bashkim Jasharin. Ndërkaq  kanë kontribuar shumë edhe Qendra Kulturore Shqiptare “Okarina” me seli në Landskrona, mësuesi Mustafë Berisha me “Shqiponjat Dardane”, grupi i rapsodëve nga Halmstadi, grupi i këngëtarëve nga Värnamo, grupi “Isa Boletini”, grupi nga Ballerupi i Danimarkës si dhe shumë individë e veprimtarë tjerë.  Festivalet janë  dizajnuar, janë përcjell me informacion mediatik dhe janë drejtuar me përkushtim nga profesor Qerim Kryeziu. Një tipar tjetër i festivalit janë edhe Mirënjohjet e medaljet speciale që u ndahen pjesëmarrësve dhe kontribuuesve. Festivali synon të mbetet tradicional me bindjen se tradita muzikore meriton të përvitësohet, se folklori  vetëdijeson njerëzit  dhe ngadalëson  asimilimin që kërcënon përditë e përnatë  mërgatën tonë.

Rrjedhave të Festivalit të Tretë

Festivalin e shpalli të hapur profesor Muhamet Shatri, zyrtar ndërlidhës në Qendër duke ua  kujtuar të pranishmeve se festivalet si ky kanë domethënie të madhe meqë lidhin lashtësinë kulturore muzikore me të tashmen tonë kombëtare edhe këtu në Suedi. Moderatori  rikujtoi  shkurtimisht festivalet e mëparshme duke lexuar  pak biografi për heroin Beqir Gashi e duke vë në dukje emrin e veprën folklorike të Bijve të Sefës.  Nderuan me pjesëmarrje zyrtarë të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike: zonja Shyhrete Kastrati –drejtore e Qendrave Kulturor si dhe Sadbere Balaj- zyrtare e lartë në këtë Ministri. Si mësues veteran në Suedi dhe si rapsod i njohur foli edh profesor Rexhep Jashari.  

Prolog i këndshëm i  festivalit ishte një këngë parodi e këngëtarit Haxhi Haxhia. Kënga satirike përqeshte, godiste  vese  shqiptare. Pastaj, të parët  në skenë erdhën këngëtarët Dervish Kuqi, Skënder Berisha  dhe Sherif Morina. Ky grup këndoj shumë bukur këngët: “Ka ardh koha që shumë e  kem pritë”, “Djemtë e shqipes a me dëgjoni” dhe këngën për Isa Boletinin.  Në vazhdim u ngjit në skenë Afrim Elshani një instrumentist violinist shumë virtuoz me dy instrumentale, njëra me motiv të këngës “Baresha” dhe tjetra me motive nga këngët e Bijve të Sefës, meqë Afrimi ishte violinist i tyre për 30 vjet. E shoqëruan  me çifteli këngëtarët  Kuqi dhe Berisha, dhe me  fis harmonikë  Sherif Morina. Violinisti Elshani u pëlqye shumë, ekzekutoi shkëlqyeshëm,  aq sa kur mbaroi pjesët edhe telat e violinës iu shkrinë, iu këputen. Haxhi Haxhiu këndoi dy këngë: “Këngën për Sadri Latifin” dhe “Këngën për Fitim Sokol Begun”. Këngët ishin të shkruara, të kompozuara dhe të kënduara nga vet autori Haxhia. Vëllezërit Gani Ahmeti dhe Baki Miftari nga Häsleholmi kënduan këngët: “Vjen një këngë nga mërgimi “ dhe “Anton Çetta burrë Kosove”. Mustafë Berisha u paraqit me fyell dhe me të luajti një variacion melodik bjeshkësh të shoqëruar edhe me një strofë kënge baritore, të cilin e ndihmoj edhe Haxhi Haxhiu. Zëri i ëmbël i fyellit kënaqte, sillte emocione jete nga bjeshkët tona, të cilat sipas vet interpretuesit, fatkeqësisht po mbesin shkret si pasojë e mërgimit. Këngëtarët Murat Ruhani, Naim Sejdiu e Faton Kurti sollën këngët “Folklori shqiptar” dhe këngën për Ibrahim Rugovën . Të dy interpretimet dolën të realizuara si këngë dhe të përjetuara shpirtërisht si nga këngëtarët ashtu edhe nga publiku. Metë Zheji  solli një potpuri këngësh të bukura shkodrane të kënduara mjeshtërisht nga ai dhe të shoqëruara spontanisht edhe nga publiku.  Gjithë punën e festivalit e regjistroi Televizioni AlbSE që është i vetmi i tillë në Skandinavi dhe i përkushtuari që të dokumentoi e arkivoi jetën kulturore të shqiptarëve në këtë pjesë të Europës. U shtrua edhe një koktej për gjithë të pranishmit.

Në përgjithësi,  ky aktivitet pasuroi jetën kulturore të komunitetit shqiptar në Suedi dhe dëshmoi përkushtimin e  bashkëkombësve e të Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike  për të ruajtur e kultivuar vlerat tona shpirtërore e kombëtare.  Në fund të një pune të kryer mirë është i domosdoshëm  falënderimi për të gjithë  ata miq e dashamirës të kulturës  sonë, që kontribuuan e kontribuojnë në vazhdimësi që gjithçka të dalë e bukur në Qendrën Kulturore të Kosovës në Suedi.

Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...