Vlera letrare nga mërgata shqiptare e Norvegjisë

Diaspora

Vlera letrare nga mërgata shqiptare e Norvegjisë

Nga: Baki Ymeri Më: 25 qershor 2019 Në ora: 09:37
Foto ilustrim

Poeti dhe eseisti Ismet Januzaj u lind me 1963 në Uçë të Istogut, në Dukagjin të Dardanisë (Kosovës). Studjoi gjeografinë në Universitetin e Prishtinës. Në Prishtinë u morr me zhurnalistikë (recensione për film, etj), ka bashkëpunue si freelance journalist me: "Bota e re", "Zëri", "Rilindja", "Fjala" etj. Inicoi dhe formoi klubin letrar "Pjetër Bogdani" në Fakultetin e Shkencave Matematikore Natyrore në kuadrin e Universitetit të Prishtinës dhe ishte kryetarë i parë. Ka botue përmbledhjet me poezi: "Peizazh i plagosur" (Rilindja, Prishtinë 1999). Në Universitetin e Oslos studioi Teatrologjinë dhe Pedagogjinë. Në vitin 2003-2004 ishte përfaqësues i delegacionit nga Qendra e Shkrimtarëve norvegjez, ku së bashku me tre të tjerë përfaqësoi këtë shtet në turneun e shkrimtarëve të të gjithë Skandinavisë (Gøteborg- Helsinki- Oslo). Botoi "Smilets rygg": "Shpina e buzëqeshjes", në shtëpinë botuese prestigjioze Aschehoug Oslo 2004, në norvegjisht, përmbledhje kjo që ka është nderuar me vlerësime kritike pozitive dhe lavdëruese në recensione të ndryshme në mediumet norvegjeze (VG, Aftenposten, Fredrikstads blad, Poeten.no etj). Për kët libër i janë akorduar disa herë grante të ndryshme. Më 2010-2011 ligjëroi si "teaching artist" në shkollën e mesme të Alta-s si shkrimtar për procesin e krijimit dhe krijimtarinë e vet ku edhe mbajti kurs letrar dhe mbrëmbje letrare në këtë qytet verior të Norvegjisë. Ismet Januzaj është anëtar i Qendrës së Shkrimtarëve të Norvegjisë. Përpos poezisë, merret edhe me përkthim dhe aktrim.

 

DIALOG MONOLOGU
(Poema e zhgënjimit)

 

Monologu në shkretëtirë, ushqim i njelmët
avullohet e bëhet copë më e njelmët se kripa
Balli më rritet nën leshra nga goditjet e nënkokës
e truri nga lart ma thithë trupin

Përmbi kokë qielli i arnuar me re e vetëtima
nga kërthizat i pikojnë meteorë të zi të skrumbosur
një hije zbret enkas për të zbritur përmbi mua
Kur foli tepër me të nesërmen, i futur në lëkurë tepër të vogël
vrapoj me shpejtësi drite dhe vetëm deri në nënhije
po mendja është më e shpejt, hije sdua të bëhem

Ti e mira ime eja tek unë të bëjmë asgjë së bashku
se një derë e hapur po shkelë mbi pragun tim
e gjaku merr ngjyrën e flamujve të Globit
Përderisa në realitet më rrethon ngrica
flokët e tua të dalgëzuara më mbulojnë vetëm në ëndërr

Të ka ndodhur im mik, në hapësirën plot ajër të të zihet fryma
kur i ke pasur mushkëritë e shëndosha si topi
nëse nuk të ka rënduar mbi gjoks pesha e vdekjes së pa rend
kur unë të qaj për kohën e pajetuar
zhyte paqen time të vdekur kaherë thellë nën thellësi
që sigurisht ti ikësh shpirtit të Magbethit

Kalo nëpër nervat e mia te qielli i vrërët
atje janë mendimet ku rrezet ishin më parë
Njëmijë vjet vetmi për sekondë është dendësia mesatare
e vetmisë tek i vetmuari mes njerzve
Dhe një pikënisje me apo pa peizazh të plagosur
ja vret zemrën me mallëngjim
derisa bërtet nëpër letër e shkarravitet nëpër largësi
me gojën e penës përjarget mbi kalamar të zi
e gonxheja xhembore i skuqet mbi varr
se shpirtrat e poetëve po flejnë maje ferrave

Dëshmorët i pyes: - Edhe dallëndyshet kthehen, vallë a do ktheheni ju
larg keni vajtur, më larg se dallëndyshet?
Atje thonë të masakruarit dëgjuan bisedimet prej varreve të tyre
pasi që ne po flasim dhe vajtojmë për gojët e tyre të mbyllura

Tradhëtarëve ju them: - Nga poshtë ju vjen fundi i zi me forcë
goditjet e atyre që i futët në dhe’
Prijësin tuaj do ta rrëzoi kali te vorri i vet
ajo turmë zhurmëruese dhe ashensori i Luciferrit
do t'ju zbresin në thellësinë e premtuar
kur edhe vdekja do të vdes vetveten
mbi tokë ju mbetet gjithë ajo legjendë e zezë.

 

(Botuar në Prishtinë, 2013)

 

ILIRIA
(Kombit tim shqipëtar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë)

 

Me krenari , me shkronjat e emrit tënd Shqyptari
që rrjedhin si lumë në mes realitetit e ëndrrës
Me përulje besnikërie tek gjaku i derdhur në murin tënd antik
Me urtësi, me besë , me mikpritje, me të gjallë e me të vdekur
E bartë profilin tënd fisnik me hapin e plagosur shtegut t’përbaltur të historisë

Në diamantët e fluturimit t’shqiponjës, shikoj të kaluarën e hapësirës kuq e zi
Me duart e trurit gërmoj thellë në harresën e botës që stërkeqet
T’i zbuloj gurët e kufirit, shtyllat e tempujve të diellit, zotit të të parëve
Në ballë të ballit, altarin ta gdhend me gurët e puthjes së zanave të malit

 

(Botuar në Prishtinë, 2013)

 

NJË DETYRË E VËSHTIRË
(En vanskelig oppgave)

 

Një detyrë të vështirë
Ma ke dhënë, zoti im
Të gjej lumturinë në fatkeqësi
Të gjej bukuri në shemti

Të jam atje kur unë jam këtu
Të buzëqeshi si i lumtur, kur mbaj zi
Të bisedoj me ta edhe pse të gjithë janë gojëmbyllur
Të shoh qartë shumë larg edhe pse jam i verbër
Të ndihem i lirë i mbyllur në një lëkurë të huaj
Të mund të vallëzoj edhe pse më mungon trupi

Të jam i knaqur kur asgjë s’më jipet
Të kërkoj lëmoshë atë gjë që e kam me shumicë
Ta puthi atë në ballë kur ajo më tradhëton
Të bëhem se jam i ngopur kur jam i uritur
Të qëndroj i qetë para se të më vrasin

T’u jap komplimente atyre që më ofendojnë me muaj
Të ndihem si në vendlindje kur unë jam i huaj

 

(”En vanskelig oppgave”, titulli i origjinalit nga ”Shpina e buzëqeshjes”, Përmbledhje e shkruar në gjuhën norvegjeze. E përktheu autori.)

 

TEPOSHTË FYTIT TËND

 

Asgjë,
madje as vetë Asgjë-ja
nuk është aq e pagjurmë sa ne

Kurrë,
madje as Kurrë- ja
nuk është aq e vonuar
Sepse as deri atëherë
ne të dy, nuk do të bëhemi: Ne

Për këtë unë zbres nga pragu
i jo-kohës dhe iku me nguti
drejt shkretëtirës së përjetësisë:
Oooh …
sa pjerrtë teposhtëzes së fytit femror
iku unë nga dhëmbët e fshehtë
të trurit tënd

Pashë shtratin e errët të diellit
mos më lag më nga retë e pendimit
të syve të tu pas perëndimit

 

(Nga përmbledhja “Smilets rygg” (Shpina e buzëqeshjes), Oslo 2004: vëllim poetik shkruar në norvegjisht. E përktheu autori)

 

ILIRIA
(Kombit tim shqipëtar me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë)

 

Me krenari, me shkronjat e emrit tënd Shqyptari
që rrjedhin si lumë në mes realitetit e ëndrrës
Me përulje besnikërie tek gjaku i derdhur në murin tënd antik
Me urtësi, me besë , me mikpritje, me të gjallë e me të vdekur
E bartë profilin tënd fisnik me hapin e plagosur shtegut t’përbaltur të historisë

Në diamantët e fluturimit t’shqiponjës, shikoj të kaluarën e hapësirës kuq e zi
Me duart e trurit gërmoj thellë në harresën e botës që stërkeqet
T’i zbuloj gurët e kufirit, shtyllat e tempujve të diellit, zotit të të parëve
Në ballë të ballit, altarin ta gdhend me gurët e puthjes së zanave të malit

Botuar 2013, Prishtinë

 

GURËT E SË VËRTETËS


1.
Tani hapet goja e Universit
mbi kokën time për të më kafshuar
Galaktikat me të gjitha llojet e trupave qiellor
varg e vijë
për ta përtypur kokën time të vockël
deri sa të e bluajnë në thërrime mençurie

Pastaj
Mbërthehen të gjitha qytetet jashtëtoksore
brenda përmes vrimave të hundës:
Një numër i madh i krijesave të ndryshme dhe zëra të padëgjuar më parë
të gjitha llojet e ngjyrave, jongjyrave dhe lloje të ndryshme të pluhurit,
vjedhës të horizonteve
Sundues anarkiakë
me të quditshmet, armata të padisiplinuara
me shpejtësi të madhe në vrap me masheta në duarë

 

2.
Nervat e mia bijnë poshtë
si flokë të sapo prerë në rënje të lirë
deri të fyti
mbështillen shtrëngueshëm
dhe ma ndalin frymëmarrjen


Çdo gjë mbytet në muzg
unë hidhem poshtë në thellësinë e territ
Unë zbres dhe
zbres
dhe e përshpëris pandalë
emrin e Tokës

 

3.
Befas zgjohem
Tani e kam të vërtetën për ty në maje të gjuhës
por së pari duhet të të shpërvjeli ty nga unë
si një dres të zhytësve
dhe do t’i pshtyj gurët e së vërtetës
në kokën tënde dinake

Ti nuk paguan për vlerat shpirtërore
por ua rrëmben dispozicionin e të tjerëve
Unë e di se ti e ke vjedhur së paku një lumturi fëmijërore
je larguar nga përgjegjësitë e shumë përkujdesjeve
Palaqo i vërtetë i fundit
ka ikur nga sheshi
për shkakun tënd

Ti nuk zhdukesh
si një anije e bardhë mbrapa horizontit
ti zhdukesh vetëm
si një hajn që vjedh peizazhin,

vallëzon mbi fytyrat
e kalorsëve të helmuar që janë duke vdekur, dhe e përtypë në vete
frymëmarrjen e tyre të fundit.


(Nga përmbledhja e botuar drejtpërsëdrejt në norvegjishte:” Smilets rygg”, ”Shpina e buzëqeshjes”. Oslo, Shtator 2004. Titulli i poezisë në origjinal: ”Sanhetens steiner”. E përktheu: Autori)

GJURMËT E LEVIZJES
 

1.
Nëse është vrarë vdekja
a jemi të sigurtë se jeta jeton
Ajo që vdes
vdes që diçka tjetër t’ia zë vendin
shtrihet rrafsh e bëhet dysheme skene
Por ajo që vdes,
a vdes me vullnet, ashtu që diç tjetër
të vendoset mbi të
dhe të ushqehet nga substanca e vdekjes

2.
Kush e vret të gjallën
që të bëhet e vdekur
Çka e bën zeron në një-she
dhe një-shen në zero
pa u brengosur dhjetë-shja?

Zeroja qarkullon në orbitë rreth njëshes
si Hëna rreth Tokës
kur është përpara nuk ka domethënje,
kur del mbrapa e ndërton dhjetën,
por kur gjindet mbi dhe nën të
atëherë më mbyllë mua
në një copëzeroje
por njësha është ajo
që ma ka borxh një vallëzim

3
Nëse ne e vrasim vdekjen
a bëhemi vetë vdekje
A mund të quhemi më jetë?

Por është jeta ajo që e vret vdekjen
dhe vdekja ajo që krijon hapësirë për jetë

Vdekja mund të vritet;
shembulli është gati i freskët,
kur vdekja u vra
nga mrekulli të paparashikueshme:
Tomahawks nga largësi të mëdha,
pak para se shifrat të bëheshin: zero zero zero

Shumë nga masa e gjallë u vra
kur vdekja vriste.
A mund të ketë ndodhë që diçka nga krijesa e vdekjes
të jetë vdekur kur u vra vdekja?

4.
Ajo që është e përjetshme
është për të bredhur mbi të
dhe bredhë vetë përmes ndryshimit të formave

Unë jam një formë që lëvizi tjetërgjë
dhe që lëvizi veten,
dhe kur unë i bashkohem të përjetshmes
krejt çka mund të bëj është- të më lëvizë diçka tjetër

Ajo çka më preokupon tani është
se a jam unë vetvetja, që të mund ta varrosi
shkakun e vdekjes së dashurisë,
dhe a le mbrapa levizja ime
gjurmë që mund të përcillen.

(Botoi Bota sot, 26 Gusht 2013)

 

DISA VARGJE NORVEGJISHT


"Null går i sirkelbane rundt eneren
som Månen rundt Jorden
Når den er foran betyr det ingen ting,
når den er bak danner den ti,
men når den er over eller under
eneren, da stenger den meg

inne i et nullstykke,,

men eneren er det
som skylder meg en dans"

 

(Noen linjer fra diktet "Bevegelsens spor"
Diktsamlingen: "Smilets rygg")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat