E pabesueshme por e vërtet, diaspora shqiptare dërgon deri në 2 miliardë euro në Kosovë

Diaspora

E pabesueshme por e vërtet, diaspora shqiptare dërgon deri në 2 miliardë euro në Kosovë

Nga: N.Sh Më: 25 qershor 2019 Në ora: 10:31
Ilustrim

Edhe po të ndërtohet një strategji nuk do të mund të shkatërrohej Kosova më shumë sesa tash që është. Kështu ka vlerësuar njohësi i ekonomisë dhe ish-kryetari i Odes Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu.

Ai thotë se, një shteti që i shkatërrohet ekonomia, shëndetësia dhe edukimi ardhmërinë e ka të zymtë.

“Po e them me keqardhje që në një intervistë timen të kaluarën e kam thënë që, sikur kish me u bë apel që me iu qas në mënyrë rrënjësore Kosovës dhe si duhet të hartonim strategji për të shkatërruar Kosovën dhe ardhmërinë e saj, nuk e besoj që do të kish me ekzistua ndonjë institut me kredibilitet që kish mujt të mendoj më keq e më zi me ia bë Kosovës se qysh po ia bënë politika aktuale në Kosovë dhe politikanët në mënyrë kontinuale që nga viti 99. Një shteti që i shkatërrohet edukimi, një shteti që i shkatërrohet shëndetësia dhe mbi të gjitha që i shkatërrohet ekonomia, ardhmërinë e ka të zymtë. Mirëpo e tëra kjo reflekton në një fakt tjetër që kemi një garniturë të politikanëve të cilët shumë ma tepër tentojnë që ta zbukurojnë të kaluarën sesa ta ndërtojnë ardhmërinë dhe besoj që të gjithë duhet ta kuptojnë që nuk mund të ndërtohet përmendorja e lavdisë me para nga kuleta e hajnisë. Prandaj besoj që emëruesi i përbashkët i zgjidhjes së problemit kryesor në Kosovë është sundimi i rendit dhe ligjit dhe për fat të keq sot i kemi të gjitha këto dukuri negative me të cilat ballafaqohet Kosova mu si përgjigje në atë që sundimi i rendit dhe ligjit është në çdo nivel”, thotë Gërxhaliu për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, në aspektin ekonomik është një situatë e cila Kosovën e karakterizon në aspektin ma negativ, është një rënie e investimeve te huaja e cila vërtet e ka arrit rekordin e vet negativ, është një rritje e korrupsionit dhe ekonomisë së kriminalizuar që është shndërro në sëmundje kancerogjene të Kosovës dhe e tëra kjo bëhet në lidhje dhe e monitoruar nga politika dhe çarqe të caktuara rreth politikës, dhe në këtë drejtim kur kemi një situatë të tillë, është e pamundur të kemi vende të reja të punës, është e pamundur të përmirësojmë bilancin e pagesave si një ndër shtyllat kryesore dhe mbi të gjitha dëmtohet imazhi, dhe kur e ke një imazh të dëmtuar është e pamundur të jesh atraktiv për investitorët e huaj.

“Në veçanti është një situatë alarmante nga fakti që vendet e rajonit janë shumë agresive në tërheqjen e investitorëve dhe investimeve të huaja. Shikoni Serbinë, shikoni Maqedoninë, Malin e Zi, por shikoni edhe Shqipërinë, janë vërtet duke pasur rezultate enorme pozitive, ndërsa në Kosovë politika dhe politikanët merren me vetvete dhe për shtet e zhvillim ekonomik iu intereson që të flasin vetëm para mediave, por për ekonomi dhe zhvillim ekonomik duhet të bëhet më tepër sesa të flitet. Prandaj besoj, një shteti që i dërrmohet ekonomia është utopike që të mendohet se do të ketë stabilitet politik, është e pamundur të mendohet se do të ketë stabilitet social dhe mbi të gjitha është e pamundur dhe utopike të mendohet që do të përshpejtojnë proceset integruese”, potencon ai.

Ai shton se, nuk jetohet vetëm me eksportim të parasë së gatshme.

“E para është fakti se Kosova i ka dy buxhete. Një buxhet i cili çdo vit miratohet në Kuvendin e Kosovës, pra të propozuar nga Qeveria i cili është në funksion të funksionimit të armatës publike e cila është në funksion të politikës, dhe kuptohet një buxhet i cili është shumë më tepër i dedikuar për t’u grabitur, për t’u keqpërdorur dhe për t’u shfrytëzuar për interesa të grupeve të caktuara. Por fakti në Kosovë është tjetër, se Kosova e ka buxhetin e dytë, dhe ai buxhet është që vjen nga diaspora. Dhe sot është turpi më i madh të thuhet se shqiptarët kudo në botë dërgojnë 600-700 milionë euro, ndërsa e vërteta është se diaspora shqiptare kudo në botë e mbështet aspektin social në Kosovë me minimum 1.8 deri në 2 miliardë euro, dhe kjo është garancia e mbijetimit të shtetit në aspektin social, kjo është ajo që e mbanë popullatën, sepse sa për buxhetin që kalon në Parlament situata kishte me qenë një situatë mizore dhe e tëra kjo është duke reflektuar në atë masë sa që shqiptarët që nuk ballafaqohen vetëm me shtresë, por sëmundja më e rrezikshme që e ka kapluar Kosovën është ankthi, çka nesër, ku nesër dhe si nesër?”, ka thënë ndër tjera Safet Gërxhaliu në një intervistë dhënë gazetës “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat