“Bota sot” bashkudhëtare e jetës sime mërgimtare

Diaspora

“Bota sot” bashkudhëtare e jetës sime mërgimtare

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 26 qershor 2019 Në ora: 23:52
“Bota sot”

Ndonëse kanë kaluar 24 vjet punë e palodhur dhe e palëkundur në interes të lexuesit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesit kombëtar gazeta kombëtare "Bota sot", për gjatë gjithë këtyre viteve ishte dhe vazhdon të jetë afër lexuesve të saj, jo vetëm në Kosovë e viset e tjera shqiptare, por edhe në gjithë diasporën shqiptare.

Maxhun Smajli, bashkëpunëtorë i gazetës “Bota sot”

Për 18-të vite të jetës sime mërgimtare, “Bota sot”, më shoqëroj kudo; në punë, ndeja me shokë, në mëngjes, në drekë e darkë, madje edhe në shtrat para gjumit. “Bota sot” me të mirat dhe bukuritë e veta, më tërhoqi aq shumë, sa e pata të vështirë jetën pa të, pas tetorit të 2018-tës.

Si produkt i rrethanave politike, kulturore e sociale (humanitare) të komunitetit shqiptarë në diasporë, kam realizuar 228 shkrime të të gjitha formave të shprehjes gazetare; lajme, raporte, intervista, reportazhe, fejtone etj..

Image
Maxhun Smajli

Deri në vitin 2009, botoheshin edhe të përditshme tjera në gjuhën shqipe; “Koha ditorte”, “Zëri i ditës” dhe “Fakti”, por harmonia e pa shoqe mes fuqisë së gazetës kombëtare dhe opinionit publik shqiptarë në diasporë, bëri që “Bota sot” të jetë një dhe e vetmja pasqyrë e ngjarjeve në mergatën shqiptare gjithandej nëpër botë.

Ishte një derë e hapur për gjithë mërgimtarët, për të prezantuar punën dhe aktivitetet e tyre. Për shumë autor, “Bota sot” ishte edhe shkollë gazetarie. Zbuloi tek autorët atë që ata nuk e shihnin vetë. I njoftoi me vetveten dhe publikun, si të pa njohur deri atëherë, ku disa prej tyre edhe bënë emër. Ndryshe “Bota sot” është një bazament studiues i temës për mergatën shqiptare të shpërndarë nëpër botë.

Me këtë rast, në këtë 24 vjetor, krahas urimit që “Bota sot” të ketë jetë të gjatë, uroj që të kthehet prapë në diasporë, ne mesin e mërgimtarëve që e deshëm dhe e duan aq shumë!

Urime!

Emrush Çeku, veprimtar në diasporë

Image
Emrush Çeku

Në diasporë çdo ditë bënim nga 25 km vetëm një drejtim që ta gjenim gazetën” Bota sot”. D.m.th gjegjësisht nga 50 km në dy drejtimet i bënim pa u lodhur fare, vetëm e vetëm që të kishim në duar këtë gazetë të artë. Atëkohë këtë gazetë kombëtare e shquanim gazetën dhe gazetarët më të guximshëm siç ishin Bardhyl Ajeti, dhe Bekim Kastrati të cilët u vranë padrejtësisht për shkak të fjalës së lirë të cilët pa frikë përshkruanin realitetin e Kosovës. Që të dy ishin në shënjestër të atyre që Kosovën e kishin përvetësuar si pronë të tyre falsifikatoret e historisë betejave të lavdishme të FARK-ut ku dëshironin që me vrasje e kërcënime ti përvetësonin gazetarët e guximshëm. Madje publikoheshin dhe denoncoheshin veprimet e tyre, e bile shumë gazetarë të tjerë ishin të kërcënuar atëkohë, si: Rrok Berisha Nazmi Luka , Skender Mulliqi, Rexhep Kastrati, Idriz Morina, Bajrush Morina, çifti Buqpapaj e shumë të tjerë. Po ashtu edhe selia e “Bota sot” në Zurih të Zvicrës u sulmua ku u kërcënua edhe z. Xhevdet Mazrekaj (botuesi i kësaj shtëpie mediatike) vetëm e vetëm që kjo gazetë mos të tregojë të vërtetën. E ndonëse për komunistet u quajt gazeta “Borba” , megjithatë për ne demokratët,” Bota sot” ishe e vetmja dritare e shikimit të ngjarjeve në Kosovë. “Bota sot” këtë realitet të plasuar në opinionin e Kosovës e pagoi shumë shtrenjte, prandaj ndjenjat kanë qenë të pa përshkueshme. Ata që kishin jetë gazetë në dorë i konsideronin si patriot. Andaj në këtë përvjetor gazetës “Bota sot” i urojë çdo të mirë dhe suksese në të ardhmen, sepse gazetarët e kësaj gazete meritojnë çdo respekt me gjithë stafin drejtues”, ka thënë Çeku.

Haki Latifi, veprimtar i LDK-së në diasporë

Image
Haki Latifi

Gazeta kombëtare “Bota Sot“, nisi botimin e saj, në kohë e rrethana shumë të ndërlikuara për shqiptarët e stër vuajtur nga pesha e rëndë e robërisë së okupatorit serbo sllav, që po tentonte të ngufaste Kosovën. Shqiptarët para 24 viteve, pra deri në vitin 1995, nuk kishin ndonjë gazetë, nuk kishin televizion, nuk kishin mjete të tjera informimi, sepse ishin të mbyllura dhe të ndaluara nga pushtuesi serb. Kështu që “Bota Sot“ u themelua në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Mendoj se, kjo gazetë që nga themelimi i saj u tregua e denjë për lexim e informim për obligimet kohës në vazhdimësi. Shumica e mërgimtarëve shqiptar sidomos në Zvicër, Gjermani e kudo në mërgim, shpesh herë me marrjen e gazetës „Bota sot“, u identifikoheshin me këtë gazetë, edhe në rrugë, restaurante apo në takime të rastit. Sepse, kjo gazetë frymoi dhe rrezatoi kombëtarisht, afirmoi principet demokratike në media, sidomos për ato të shkruara; ishte dhe është shembull për temat e zgjedhura dhe të shkruara, në të cilën çështjet ekonomike, politike, duke përfshi edhe aktivitetet e mërgimtarëve kudo në botë si edhe ato letrare e artistike e sportive nuk u lanë anash. Kjo gazetë bëri dhe vazhdon të bëjë shumë edhe për informimin për botën shqiptare jashtë Kosovës, për shqiptarët në trojet e veta, për çka posaçërisht ju falënderoj dhe ju përgëzoj. Gazeta Kombëtarë “Bota Sot“ ka qenë dhe vazhdon të jetë një zë i arsyes, duke raportuar në mënyrë objektive dhe kjo flet shumë për një gazetë. Është shumë e lehtë për një gazetë komuniteti që të mbajë anën e këtij apo të atij. Mendoj se “Bota Sot“, ka qenë shumë e matur duke mbajtur një ekuilibër të vështirë dhe duke na dhënë të gjitha aspektet e një ngjarjeje. Kjo është një gjë vërtet e mirë dhe unë i përgëzoj stafin dhe drejtuesin e kësaj gazete. Tani edhe në këtë përvjetor mendoj se, gazeta „ Bota Sot“, përballet me një konkurrencë shumë më të madhe, në kushtet kur informimi për shqiptarët informohen nga burime të shumta, sidomos nga mediat e shkruara dhe televizive në internet. Kuptohet, gjithherë mundet më mirë e më shumë, devizë kjo që vlen për gjithkënd që punon e vepron, pra edhe për ne. Sepse, Djepi i Dardanisë ka nevojë për besimin e shqiptarëve, dhe, rilindjes së besimit duhet t’i shërbejmë me devotshmëri të gjithë. “Bota sot” e ka këtë vullnet dhe kurrë nuk duhet të pushojë së punuari për ta lartësuar misionin e saj të shenjtë në shërbim të vendit dhe popullit. Urime përvjetori i Gazetës “Bota Sot“ dhe dalshi gjithmonë faqebardhë!

Sami Blakaj, njohës i Integrimeve Evropiane

Image
Sami Blakaj

24 vjet punë e palodhur dhe e palëkundur në interes të lexuesit shqiptar dhe në mbrojtjen e interesit kombëtar. Kjo është gazeta kombëtare "Bota sot", e cila për gjatë gjithë këtyre viteve ishte dhe vazhdon të jetë afër lexuesve të saj jo vetëm në Kosovë e viset e tjera shqiptare, por edhe në gjithë diasporën shqiptare. Që nga viti 2005 jetoj në Diasporë, në Berlin dhe mbajë mend se që nga ajo kohë gazeta kombëtare "Bota sot" më është mbetur besnike, duke u bërë pjesë e informimit tim ditor mbi ngjarjet e kohës. Atëbotë për mua si një mërgimtar i ri dhe i "humbur" në botën e jashtme ishte vërtetë ndjenjë e veçantë të shihja gazetën "Bota sot" prezentë në tregun medial-Berlinas bashkë me shumë gazeta të njohura gjermane, siç është "BILD", "B.Z." dhe shumë gazeta të njohura ndërkombëtarë. "Bota sot" për mua nuk ishte vetëm një dritare e informimit të drejtë dhe të shpejtë, por mbi të gjitha më shërbente si një urë që më afronte gjithnjë e më shumë me vendin tim. Edhe sot e kësaj dite jam i lidhur ngushtë me informacionet që sjellë "Bota sot" si në verzionin e shtypur, njashtu edhe në atë online. "Bota sot" tashmë mbushë 24-vjet të punës së saj gazetareske si një avokate e palëkundur e interesit mbarë kombëtar. Me këtë rast shfrytëzoj rastin t’iu dërgoj ju dhe të gjithë ekipit të gazetës “Bota Sot” urimet e mia më të përzemërta, duke iu dëshiruar punë të palodhshme dhe suksese të pandalshme.

Sali Rexhaj, veprimtar në diasporë

Image
Sali Rexhaj

Me gazetën kombëtare “Bota sot” më lidh në fillim miku im Teki Dervishi të cilit në vitin 1996 i pata dhënë një intervistë në Prishtinë, në kohën kur fjala e lirë ishte e ngulfatur, e Kosova e pushtuar. Pastaj erdhi lufta dhe valët e jetës më hodhën në Cyrih. Këtu kjo gazete lexohej shumë dhe sillte informata nga atdheu për mërgimtarët dhe anasjelltas, gjatë e pas luftës. Një herë në jetë me ka ndodhë që mos të zbres në stacion të trenit ku isha nisë, por duke lexuar intervistën e mikut tim: Tahir Zemaj në “Bota sot”, në qershor të vitit 2000, shkova një stacion më larg. Tani pas daljes së portaleve edhe “Bota sot” u është përshtatë këtyre risive dhe me sukses po i mbanë lexuesit e saj afër. Redaksive, stafit, gazetarëve dhe lexuesve u dëshiroj sukses me rastin e përvjetorit të kësaj gazete-dhe portali. Sukses dhe shëndet për “Botën sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat