Për rekord “Guinness”, shqiptari dëbohet 14 herë nga Italia, tregon çfarë e shtyn të kthehet sërish

Diaspora

Për rekord “Guinness”, shqiptari dëbohet 14 herë nga Italia, tregon çfarë e shtyn të kthehet sërish

Më: 9 gusht 2019 Në ora: 22:33
Emiliano Fejzo

Kjo mund të quhet një histori e pazakontë. Një shqiptar është dëbuar për herë të katërmbëdhjetë nga shteti fqinj i Italisë.

Ai nuk ishte i kënaqur me rekordin dhe u kthye sërish në Sant’Ilario D’Enza, në provincën e Reggio Emilia, ndërsa aty iu vendosën menjëherë prangat.

Bëhet fjalë për Emiliano Fejzo, një 36-vjeçar shqiptar, i njohur si “koleksionisti i riatdhesimit”. Ai rezulton me precedentë për krimin kundër pasurisë dhe ishte dëbuar në fillim të vitit të shkuar.

Në hyrjen e fundit, më 13 qershor, shqiptari nuk gjeti rehati dhe autoritetet e dëbuan sërish me një avion nga Malpensa për në Aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Ai doli sot përpara gjykatës, ku arrestimi u vlerësua i vlefshëm dhe gjykata urdhëroi të nënshkruante në stacionin e Sant’Ilario D’Enza, në pritje të vendimit të dëbimit të 15-të.

Debim

Në një intervistë për “Mediaset” në qershor të këtij viti, 31-vjeçari shqiptar tregoi se çfarë i kishte mbetur peng në shtetin italian dhe pse tentoi kaq herë të prekte tokën e saj. Ai kërkoi që të gjente një punë dhe dokumente për leje qëndrimi. Sipas tij, rruga për të shkuar në Itali nuk ka qenë aspak e lehtë, madje tregon edhe një episod duke ecur nëpër male, ku befas, jeta e tij është rrezikuar seriozisht nga kafshët e egra. Por, për t’i shpëtuar kësaj drame, ai arriti të hipte fshehurazi në një kamion dhe më pas mbërriti në Ankona.

“Nuk mund të them sesi kam arritur të hyj në mënyrë të paligjshme, por gjithmonë rrezikova jetën time. Në male i vetëm me arinjtë, u fsheha në një kamion dhe mbërrita në Ankona. Unë kthehem gjithmonë sepse e dua partneren time, e cila është e sëmurë dhe vuan nga Parkinsoni.

Ajo nuk ecën dhe ka nevojë për kujdes mjekësor. Nëse duan të më ndihmojnë, pse nuk më japin punë? Unë gabova si djalë i ri duke u përpjekur për të vjedhur, por tani nuk bëj asgjë të gabuar. Unë u premtoj të gjithëve se nuk bëj asgjë, i kërkoj Salvinit të më japë dokumentet dhe të më gjejë një punë si të gjithë”, tha ai në muajin qershor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat