Bekimi i dashurisë shqiptare në trojet e mërgimit

Diaspora

Bekimi i dashurisë shqiptare në trojet e mërgimit

Nga: Baki Ymeri Më: 11 gusht 2019 Në ora: 15:50
Kopertina e librit

Në librin më të ri të Remzi Bashës (poet dhe patriot), defilojnë vargje që burojnë nga zemra e një mërgimtari me shpirt të florinjtë. Në 100 faqet e librit “Bota e bekuar e dashurisë”, gërshetohen subjekte sugjestive kushtuar atdheut, femrës dhe kultit të bukurisë. Me subjekte të këtilla sublime, autori përmbush misionin e një krijuesi të lindur për zbukurimin e bibliotekave të sentimenetve letrare.

Titujt e poezive janë jo vetëm sugjestive, por edhe atraktive dhe mbresëlënëse. Remzi Basha ndërmerr në misionin e tij një pelerinazh të gjallë, nëpërmjet fjalës, mendimit dhe shpirtit, duke iu afruar kështusoj familjes, Zotit dhe dashamirëve. Në këtë kontekst ai e gjen vetëveten dhe thelbin e vërtetë të jetës. Poeti është një intelektual me përvojë fisnike, një ëndërrimtar që din të meditojë dhe dhurojë vlera të mirëfillta letrare në trojet e mërgatës shqiptare.

Remziu ka krijuar përvojë në fushë të krijimtarisë duke e drejtuar syrin e zemrës kah personalitete të shquara të botës shpirtërore shqiptare, që nga Naim Frashëri e deri te krijuesit më të mirënjohur në trojet tona etnike dhe në diasporë. I panumërt është numri i poetëve që i ka njohur dhe lexuar. Kështusoj, ai ka krijuar një botë reale dhe të pasur me burime informimi në fushë të shkrimtarisë, duke na dhuruar një varg veprash të denja për lexim dhe admirim.

Nëpërmjet frymëzimeve të tij që defilojnë në këtë vepër të re, autori e rrumbullakëson porterin e vet krijues dhe human. Në këtë libër ballafaqohemi me shqetsimet dhe gëzimet e poetit, që nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Nëpërmjet vargjeve të tij mund të krijojmë një imazh për Shqipërinë totale dhe ndjenjën e bukur të dashurisë. Tabani apo platforma e krijimtarisë së tij ndërlidhet me fjalën e shndërruar në art. Ai na jep vlera reale që burojnë nga drita hyjnore e dashurisë dhe atdhedashurisë. Nëpërmjet kësaj rruge poeti ka krijuar një ideal për kurorëzimin e fjalës me lutje divine dhe shprehje të bukura poetike.

Libri „Bota e bekuar e dashurisë” ka një ekuilibër si formë dhe përmbajtje. Është vepra e njërit nga poetët më të talentuar të mërgatës shqiptare, i nderuar me një serë mirënjohjesh, lansimesh dhe vlerësimesh kritike. Stili i shkrimeve të Remzi Bashës është i pastërt dhe i thjeshtë. Ai zgjon kurreshtjen dhe interesimin e lexuesit për lekturim dhe meditim. Në vargjet e poetit ballafaqohemi me një botë reale që shëmbëllen me trëndafilat e pranverës, me hije dhe drita, me dhimbje dhe lumturi. Kjo shpjegohet nga vetë jeta e poetit dhe familjes së tij, e përshkruar herë pas here në poezi dhe prozë, madje edhe në përkushtime ndaj Afërditës së tij, heroina e Dardanisë që dha kontribut të denjë për shpëtimin e jetës së poetit.

Nga ky pikëshikim, mund të zbulojmë relacionin e bekuar ndërmjet gruas dhe burrit, ndërmjet sakrificës dhe solidaritetit, ndërmjet kohës dhe shoqërisë, ndërmjet humanizmit dhe dashurisë. Libri përfaqëson një sintezë dhe analizë interesante, e përbërë nga një gamë problematikash letrare dhe shpirtërore. Poezitë e Remziut janë të shoqëruara me fotografi dhe grafika joshëse dhe të bukura. Një dhuratë e mirëseardhur për përjetimin e ligjit të adhurimit. Shkrimet e autorit janë fine dhe harmonike, të rrumbullakëta dhe qëndrueshme, që shprehin një gjendje të veçantë shpirtërore, një album personal dhe një vlim i brendshëm që buron nga tempulli i humanizmit dhe dashurisë.

Remzi Basha din të trasojë rrugën për në ardhmëri. Ai din ta rindërtojë kohën për të arritur në trojet e bekuara të përjetësisë. Autori dëshmon se ka shpirt të lindur për lumturimin e botës me shprehje të bukura, elegante dhe mbresëlënëse, për të depërtuar gjithmonë në zemrën e lexuesit. Veprat e tij kontribuojnë për kompletimin e kulturës dhe letërsisë shqiptare. Pse? Sepse, siç thotë autori: Unë e di vetëm atë që nuk e di/ Se vetëm në këtë tokë/ Do të strehojmë pritjen/ Në një shpellë të mbushur/ Me lulet e bekuara të dritës.

Pas leximit të veprave të Remzi Bashës, mund të konstatojmë se korpusi i tij letrar është një vizion i gjerë ndaj fenomeneve dhe gjërave që i përkasin ekzistencës humane në këtë univers, një vizion i përmbushur me një ndjeshmëri të veçantë ndaj botës shpirtërore, nëpërmjet së cilës kuptohen dhe ndjehen gjendjet shpirtërore të shkrimtarit që i jep prioritet fjalës, idealit të bukurisë, meditimit dhe kuptimit të ndjenjës së ndjeshme të dashurisë.

Remzi Basha është ndërgjegja estetike që aspiron drejt objektivitetit. Ai është një poet i lindur që nuk e kopjon realitetin, sepse realiteti për të është jo vetëm një pretekst për të krijuar një botë të re, por edhe për krijimin e ligjeve të reja të ndjeshmërisë dhe harmonisë. Krijimi është një magji që të shpie në tryezën e shkrimit, që të nxit t’i ripërjetosh ngjarjet me një intenzitet të ri subjektiv, të cilat të duken më reale se sa vetë realiteti objektiv. Vepra e shkrimtarit tonë që vjen nga bota nordike e mërgatës shqiptare, përbën realitetin e një jete personale, me vargjet e një misterioziteti që gërshetohet me magjinë e bekuar të dashurisë.

Arti është jetë dhe jeta është art. Poezia është liria për ta parë atë që nuk duket. Kjo vlen edhe për dashurinë. Vlen ta përsërisim se autori i kësaj vepre është poet i dashurisë dhe atdhedashurisë. Bota rrotullojet rreth diellit ndërsa dielli vërtitet rreth femrës. Vargjet e vëllimit «Bota e bekuar e dashurisë», shëmbëllejnë me një roman dashurie. Përmes deshifrimit të tyre kuptojmë se jeta ka kuptim dhe kuptimi ka jetë. Jeta e autorit është e mbrujtur me vepra të panumërta të atdhedashurisë. Librin respektiv e fisnikërojnë aventurat e një shpirti të lindur për dashuri dhe mirëbërësi. Njësoj si veprat paraprake, edhe kjo përmbledhje frymëzimesh lirike është një dhuratë e lindur nga frymëmarrjet e autorit që i jep lexuesit mundësinë për ta shijuar gjuhën e bukur shqipe dhe një jetë të bukur dhe reale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat