Shoqata “Kosova për Sanxhakun" mbështetet nga mërgata shqiptare

Diaspora

Shoqata “Kosova për Sanxhakun" mbështetet nga mërgata shqiptare

Nga: Idriz Zeqiraj Më: 22 gusht 2019 Në ora: 15:26
Nga e majta: Idriz Zeqiraj, Xhafër Lecaj, Ismet Azizi, Osman Ferizi, Gazmend Dashi, Ali Daci, Naim Haxhiaj, Afrim Mulaj, Xhevdet Muriqi...

Shoqata "Kosova për Sanxhakun", me kryetar Ismet Azizin, është themeluar në tetor 2015. Qëllimi i kësaj nisme fisnike e atdhetare, është zgjimi i ndërgjegjës kombëtare, riaftësimi i gjuhës amëtare, i zakoneve dhe  traditave shqiptare, në krahinën bjeshkore të Sanxhakut. Shkurt, për ta stopuar asimilimin e mëtejmë, të kësaj popullate shqiptare, të rënë nën pushtimin serbo-sllavë.

Hulumtimi i studjuesit Marin Mema, shpalosja faktike në disa emisione televizive të trevës të Sanxhakut, ka zgjuar kurreshtjen, ka ngjallur interesim tek shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe në trevat tjera shqiptare, përfshi edhe Mërgatën shqiptare. 

Kryetari i Shoqatës "Sali Çekaj", më parë, tani, kryetar i Degës të LDK-së në Gjermani, Osman Ferizi, ka rënë në kontakt me kryetarin Ismet Azizin, me veprimtarin e Sanxhakut, Ali Dacin dhe me të azhurnuarin me çështjen e Sanxhakut, profesor Mazllum Baraliun. Pas informimit të bollshëm, zoti Ferizi mblodhi Kryesinë e Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen të Bavarisë gjermane dhe vendosën, për mbështetje financiare të Shoqatës, me emërtesën shumë domthënëse "Kosova për Sanxhakun"

Ekipi futbollistik i Shoqatës "Sali Çekaj", në Pfaffenhofen, Bavari

Për të sensibilizuar mërgimtarët në Gjermani dhe gjetkë, Shoqata "Sali Çekaj" organizoi turnirin tradicional vjetor humanitar sportiv. Paratë nga ky aktivitet i përvitshëm, dedikohen për raste humanitare. Kryesia dhe anëtarësia u dakorduan që kontributi sportiv, plus kontributeve monetare të anëtarësisë të Shoqatës dhe të aktivistëve të LDK-së, në Gjermani, në shumën prej 13.000 euro, të dedikohen për Shoqatën "Kosova për Sanxhakun", që vajzat e djemtë e asaj treve shqiptare, të vazhdojnë studimet në shkollat e mesme dhe fakultetët e Kosovës, si dhe për veprimtaritë tjera kulturore e humanitare, në atë trevë të harruar nga pushteti serbo-sllavë.

Më 12 gusht 2019, në mjediset e kompleksit hotelier e relaksues "Trofta", në Istog, pronë e veprimtarit të hershëm të çështjes kombëtare, Ismail Bytyqi, tani, po kaq i suksesshëm në bisnes dhe humanitet, u organizua një drekë pune e përbashkët e Kryesisë së Shoqatës "Kosova për Sanxhakun", me kryetar Ismet Azizin; Kryesia e Shoqatës "Sali Çekaj", me kryetarin e ri kaçanikas, poetin Gazmend Dashin; Kryesia e Degës të LDK-së, në Gjermani, me kryetarin Osman Ferizi, me pjesëmarrjen e Radio Televizionit "Fontana", të kryesuar nga drejtori Zeqir Mehmetaj si dhe veprimtarë të tjerë nga Kosova dhe Mërgata.

Kryetari i Shoqatës "Kosova për Sanxhakun", Ismet Azizi, bëri një ekspoze të plotë të misionit  që synon Shoqata në fjalë. "Shoqata u themelua në tetor 2015, në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Pjesëmarrësit ishin nga të gjitha territoret e shqiptare, përfshi edhe nga Pazari i Ri (Novi Pazar), Senica, Tutina. Rozhaja  e tjerë. Kemi kontaktuar edhe Myftiun e Sanxhakut, Zurkoviç, me Partinë për Aksion Demokratik, zotëri Sylejman Uglanin dhe burra e të rinj, me gadishmëri për bashkëpunim për nismën tonë.

Edhe pse ndarja, izolimi i Sanxhakut nga Kosova, ka qenë dhe mbetet interes i Serbisë, megjithatë, zgjimi kombëtar veç ka filluar, si me veshje, me muzikën, melosin shqiptar, tupana në festime dhe interesimi për ta ripërtrirë gjuhën shqipe. Njerëzit atje kërkojnë Ansamblin Rugova, preferojnë dhe provojnë kërcimin rugovas. Por, ende ka hezitime, përtesë, frikë e kursim, për t`u angazhuar në aksionin tonë. Por, ne i mirëkuptojmë dhe nuk ngutemni. Rrjedhimisht, në Sanxhak gjithçka ka filluar të frymojë shqip.

Ne punojmë për shënimin e historisë orale, gojore. Projekti jonë vazhdon të begatohet dhe përmbushet, me fotografi, që na dërgojnë vazhdimisht nga baza, nga Sanxhaku. Botimi i lahutarëve të Sanxhakut, është me shumë interes. Një takim domëthënës e kemi pasur me ish-Presidentin Sali Berishën, së bashku me Ali Dacin. Publikimi që i bëri Dr. Berisha takimit tonë dhe referenca e tij për Sanxhakun, 10 ditë pas takimit, ka qenë një inkurajim, për punën tonë dhe jehonë për të tjerët", - tha, ndër të tjera, kryetari Ismet Azizi.

Kryetari Ismet Azizi kërkoi nga Shoqata "Sali Çekaj" dhe Dega e LDK-së në Gjermani, caktimin e një anëtari për bordin e Shoqatës "Kosova për Sanxhakun". Dhe, për këtë vendosen dy Kryesitë: të Shoqatës dhe LDK-së, përkatësisht, të kryesuar nga Gazmend Dashi dhe Osman Ferizi, u caktua Bujar Lajqi, veprimtar i dëshmuar.

Veprimtari i mirënjohur sanxhakli, Ali Daci, në cilësinë e nënkryetarit të Shoqatës "Kosova për Sanxhakun", vazhdon të jetë shumë aktiv: "Sanxhaku me "Status Special", ka ngjall interes të madh. Në Rozhajë e sollëm presidentin shqiptar, Ilir Metën. Ai ishte mirë i informuar për Sanxhakun. Dhe, për këtë meritor është këshilltari i tij politik, Flamur Gashi, nga Trubohovci i Pejës. 

Sipas Dacit, puna konkrete është detyrë parësore, njohja reciproke Kosovë-Sanxhak. Tetamentin e Uglaninit ia kemi dërguar secilit deputet, pavarësisht përkatësisë kombëtare".

Xhafer Lecaj, veprimtari i çështjes kombëtare, me stazh prej 5 (pesë) dekadash, foli për rolin e Mërgatës, për mbijetesën dhe luftën e Kosovës. Vetëm Aktivi i LDK-së, në Kichheim-Teck, një qytezë, relativisht, e vogël, që zotëri Leci e ka udhëhequr, ka kontribuar me 1.175.000 marka gjermane, plus aksioneve tjera. Puna e mërgimtarëve ka qenë përkushtuese, pa asnjë interes personal. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat