Mërgimi rrugtimi pa fund e krye dhe plaga e pashëruar e shqiptarëve - Bota Sot
Mërgimi rrugtimi pa fund e krye dhe plaga e pashëruar e shqiptarëve

Diaspora

Mërgimi rrugtimi pa fund e krye dhe plaga e pashëruar e shqiptarëve

Nga: Shaqir Salihu Më: 27 gusht 2019 Në ora: 06:08
Shaqir Salihu

Të dashur miq e të afërm,

Si sot 50 vjet më parë, më  26 gusht 1969, në një ditë përvëluese gushti, u detyrova të braktis tokën time, Kosovën e dashur, prej shtypjes serbe. U largova pa lamtumirë. Peng lashë lotët e nënës që nuk e pashë për shumë e shumë vite, përqafimin e babës të cilin nuk e pashë më kurrë dhe mallin e pashterueshëm për Kosovën loke. Kosovën e braktisa, por amanetin e saj dhe të të parëve kurrë. E mbajta shtrënguar fort në gji dhe të tillë e mbaj ende sot kur prej 50 vjetësh jetoj në mërgim. 

Është trishtuese se si ne shqiptarët, për një arsye apo një tjetër, vendosim kaq lehtë për të braktisur atdheun pa menduar gjatë. Këtë e vërteton fakti që numri i shqiptarëve që jetojnë në mërgim është dy herë më i madh se i atyre që jetojnë në atdhe. Ky është rast mjaft i rrallë. Natyrshëm lind pyetja: A mund të jetë e vërtetë se ne shqiptarët nuk e duam mjaftueshëm atdheun tonë shumë të bukur dhe se sllavët që na e morën një pjesë të madhe të territoreve tona i duan ato më shumë se ne? A mund të jetë e vërtetë se ne shqiptarët i duam të huajt më shumë se veten tonë? 

Megjithëse larg dheut amë, diaspora jonë ka kontribut të pazëvendësueshëm për fatet e kombit. Që në fillim të shekullit të kaluar me Nolin e Konicën e deri sot e kësaj dite. Për pavarësinë e Shqipërisë dhe të Kosovës nuk u angazhuan vetëm intelektualët por edhe punëtorët e thjeshtë të të gjitha viseve shqiptare pa përjashtim. Sidomos për çlirimin e Kosovës punuan fort që nga biznesmenët e mëdhenj që e futën dorën thellë në xhepat e tyre për të financuar lobimin tek ligjvënësit amerikanë, por edhe pizzamen-ët apo doormen-ët. Pa harruar edhe intelektualët. Të gjithë punuan fort dhe e them me bindje se pa diasporën e shqiptarëve të Amerikës sot nuk do të kishte as Shqipëri e as Kosovë. Të pamundurën e bëmë realitet. 

Toka amerikane, që më priti dhe më mbajti me çdo të mirë e për të cilën jam mirënjohës sot dhe përjetë, u bë foleja ime. Megjithatë jetën e kalova dhe e kaloj me kokën e kthyer pas, andej prej nga erdha. Teksa sot jam rreth të 80-tave, ulur në verandën e shtëpisë sime rreth 20 kilometra nga kryeqyteti i Amerikës Washington DC, i hedh një vështrim punës tonë të madhe. Por lexoj me vëmendje edhe ngjarjet që po ndodhin në atdheun tonë për të cilin u derdh aq shumë lot, gjak e mund, dhe shikoj udhëheqësit tanë që morën drejtimin e dy shteteve të vogla në Ballkan. Njëri prej tyre shkon aq larg sa edhe pranon të japë një pjesë të territorit të Kosovës gjoja se Serbia po i jep Kosovës në shkëmbim një pjesë tjetër të saj, Luginën e Preshevës, që gjithashtu është territor i Kosovës, për hir të stabilitetit dhe njohjes nga Serbia. Ky është një çmim shumë i lartë dhe për mendimin tim është një çmenduri e tradhti e madhe. Tjetri në Tiranë ka filluar të ndërtojë memoriale të Turqisë në kryeqytetin e kombit tonë dhe kërkon të sjellë turkun prapë aty. A thua se nuk na mjaftuan 500 vjet nën sundimin e turqve... Ndërsa vetë Turqia investimet po i bën në Serbi. A nuk po shihni Erdoganin krah për krah me Vuçiçin?

Megjithë dobësitë e Brukselit dhe Washingtonit, të cilët për hir të stabilitetit në rajon morën një pjesë të Kosovës dhe ia dhanë Malit të Zi dhe ndoshta po  kërkojnë që edhe Serbisë t’i japin një pjesë të territorit të Kosovës, unë mendoj se Tirana dhe Prishtina duhet të ndjekin Washingtonin, pa të cilin nuk do të kishte sot as Kosovë e as Shqipëri. Brukselin, megjithëse në gjirin e tij ka shumë anti-shqiptarë dhe ka marrë anën e sllavëve, por edhe Berlinin e Angela Merkel, e cila ende po mban qëndrim pro-shqiptar dhe është kundër pazareve të Ramës dhe Thaçit për copëtimin e mëtejshëm të territoreve shqiptare.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...