Fjalë e përmortshme me rastin e ndarjes fizike të Mikel Veselit - Bota Sot
Fjalë e përmortshme me rastin e ndarjes fizike të Mikel Veselit

Diaspora

Fjalë e përmortshme me rastin e ndarjes fizike të Mikel Veselit

Nga: Bekim M. Veseli Më: 5 shtator 2019 Në ora: 18:13
Mikel Veseli

Të nderuar familjarë, të afërm, miq, dashamirë dhe gjithë ju të pranishëm të këtij momenti mortor me rastin e ndarjes fizike të familjarit tonë dhe pedagogut të arsimit shqip, Mikel Veseli.

Më lejoni që në emër të familjes Veseli, me këtë fjalë homazh të ndahem nga ky bashkëshort, prind yni, gjysh, axhë dhe mësuesi i shumë dekadave, i cila në ditën e pardjeshhme pati kufirin e ndarjes nga kjo jetë, duke u përjetësuar në botën e amshueshme.

Baca Mikel, la shumë dashuri te familja e vet, së pari, por edhe nga të afërmit, që i kishte të shumtë, nga ajo dashuri që mbetet gjatë në kujtesë.

Mikel Veseli u lind në vitin 1940 në Budisalc nga babai Gjoni dhe nëna Marqe. Rrjedh nga një familje tradicionale, bujare, përparimtare dhe atdhetare. Rrethanat e kohës familjes se tij i sollën vështirësi për jetës, por asnjëherë nuk u gjunjëzuan dhe as nuk u nënshtruan. U lind e kohën kur prindërit e tij me skamje, por me vullnet të fortë e me punë krahu mbanin familjen. Tani familja drejtoi shikimin kah ardhmëria babai dhe dy vëllezërit e mëdhenj, Lleshi dhe Zefi, punonin për të mbajtur familjen duke shkolluar dy vëllezërit e tyre Mikelin dhe Miroshin.

Mikeli Veseli, shkollën fillore e kreu në vendlindje, në fshatin Budisalc, të komunës së Klinës, më pastaj ka kryer shkollën normale. Pas kryerjes së normales, në vitin 1962 filloi punën si mësues në shkollën fillore ish - “Boro Millatovi”, tash “Atë Shtjefën Gjeçovi” në Zllakuqan të Klinës, ku për një kohë punët dhe detyrat e punës të zëvendësdrejtorit të kësaj shkolle. Në këtë shkollë punoi deri në vitin 1982, duke vazhduar punën e mësuesisë në shkollën fillore “Liria” të vendlindjes, pra në Budisalc, ku punoi deri në vitin 1988. Në këtë vit migroi në Amerikë, përkatësisht në Cenericet, ku jetoi deri në fundin e jetës së tij.

Gjatë këtyre viteve të jetës së tij në Amerikë, përpos mbajtjes së familjes, ishte i orientuar për të kontribuar edhe në angazhimet që zhvillonte komuniteti i diasporës shqiptare në Amerikë për të ndihmuar në çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga okupatori. Angazhimin e tij kryesisht e zhvilloi në kuadër të LDK-së, por edhe në kuadër të institucioneve dhe asociacioneve tjera që kanë vepruar dhe veprojn ë në Amerikë.

E digjte malli për vendlindjen dhe atdheun e tij. Edhe pse jetonte në këtë vend të largët të Amerikës, shpirtin gjithherë e dërgonte atje, në vendlindje, në atdheun e tij, të cilin aq shumë e deshi.

Ishte plot entuziazëm.

Thoshte se liria më ka bërë edhe njëherë djalë të ri.

Kishte një cilësi të rrallë: më këdo që takohej transmentonte energji, shpresë dhe frymëzim.

Gjithmonë mbeti i tillë, optimist i pandreqshëm dhe idealist i pathyeshëm.

Ai e përçmonte pesimizmin, sepse pesimizmi është formë e dorëzimit para realitetit të keq.

Optimizmi dhe idealizmi nuk ishin teke personale të tij.

Ishin zgjedhje që i kërkonte koha në të cilën jetoj babai im, sepse pa idealizëm nuk do të mund ta bënim të lirë Kosovën.

Viteve të fundit në jetën e tij u përball me sfida familjare. Në vitin 2010 në Zagreb në moshë të re i vdiq vëllai Miroshi, vdekjen e të cilit e përjetoi rëndë. Në vitin 2017 përjetoi një tragjedi tjetër familjare, në moshë të re i vdiq vajza e tij Besa, vdekje kjo që e goditi thellë në shpirt dhe e ka tronditur. Edhe gjatë këtij viti 2019 përjetoi vdekjen e vëllait të madh Lleshit, po ashtu edhe të Zefit. Prandaj, ky vit po i rrëmben që të tre vëllezërit, një koincidencë e hidhur që të tre këta vëllezër kishin pasur vdekjen kaq afër njëri me tjetrin.

Të nderuar pjesëmarrës,

Nuk është modesti që këto shprehje të dalin nga unë, mirëpo me plot kompetencë e shpreh se vepra e mësuesit Mikel është një vepër madhështore që ka rrezatuar dritë. Ishte mësues dhe atdhetar me përvojë të pasur pedagogjike, sociale e kulturore. Ishte shumë energjik dhe i mprehtë. Me të vërtetë, mësuesi Mikel, ishte një intelekt fenomen, i papërkulur para vështirësive, optimist e humanist i madh. Vepra e tij padyshim është lavdiplotë, fisnike edhe një thesar i artë, i traditës pedagogjike, që me punën e tij të mësuesisë dhe të atdhetarisë ndriti mendjen e popullit të tij të përvuajtur.

Baba i dashur,

mund të të themi lamtumirë asnjëri prej nesh, asnjëri nga të dashurit tu. Nuk kemi lamtumirë për ty. Na fal. Krejt fryma jote ishte familje, arsim, dije, dashuri, humanizëm...

Gjithë jetën e tij, jetoi dhe punoi me përkushtim, si njeri e pedagog. Asgjë nuk kurseu për të dhënë ndihmesën e tij në të mirën e përgjithshme. Kohën më të madhe të jetës së tij intelektuale, ai ia kushtoi me ndërgjegje të plotë arsimit dhe kombit, duke dhënë çdo gjë nga vetja për t’u dhënë dritë arsimi fëmijëve shqiptarë kudo që punoi, të cilët kishin shumë nevojë për dije dhe arsim kombëtar.

Me virtytet tua të larta njerëzore dhe me personalitetin tënd, Ti i sigurove vetes një vend nderi në historinë e pedagogjisë shqiptare. I pajisur me dije të gjerë e të rrallë, me ide origjinale e me pikëpamje të qarta, Ti do të mbetesh pishtar i shenjave emblematike në historiografinë e arsimit tonë.

Me kohë u ngjite lart, shumë lart në majat e dijes dhe të arsimit kombëtar, i veçantë nga të tjerët, për të mbetur emër i pashuar.

Mësues i dashur,

Për një kohë u përballe më sëmundjen që të kaplojë, por kurrë nuk u ligështove, kurrë nuk u dorëzove, kurrë nuk lëshove asnjë psherëtimë për të ikur nga kjo botë, prandaj të gjithë të dashurit e tu u mësuan me besimin dhe durimin tënd. Ti ishe pishtar i jetës jo i vdekjes. Pranë teje ishte vetëm dashuria për jetën e Njeriun, dashuria e pakufi për familjen, arsimin, atdheun dhe kombin.

Baba tepër i çmuar,

Të qoftë i lehtë ky dhe që po të mbulon sot!

I paharruar, i ndritur dhe i pavdekshëm qoftë kujtimi për jetën dhe veprën tënde.

Lamtumirë baba i shtrenjtë!

Pusho në paqe!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...