Aty ku thërriste zëri i atdheut, aty ishte Smajl Sinan Berisha

Diaspora

Aty ku thërriste zëri i atdheut, aty ishte Smajl Sinan Berisha

Nga: Maxhun Smajli Më: 5 shtator 2019 Në ora: 23:07
Smajl Sinan Berisha

Ishte 02 nëntori i 2018-tës, kur përmes telefonit më lajmërohet një i panjohur, për mua, deri në atë moment. Më pyeti nëse isha, Maxun Smajli, që në vitin 1992 ka qenë mësimdhënës në shkollën fillore të Drenocit, të Klinës. „Jam, Smajl Berisha, nga Gurbardhi- ish Carravrani i Malishevës“, më tha. “Në maj të 1992-tës, ti ma ke shpetuar jetën", vazhdoi, ai. "Nuk më kujtoheni", i thëm. Dhe, filloi rrëfimin, ku disa detaje më kujtoheshin.

Ishte mëngjesi i hershëm, pa aguar dita e 26 majit 1992, kur Tahir Lush Berisha (23) nga Leshani i Pejës, mësimdhënës në shkollën fillore "Azem Bejta" të Grabanicës së Klinës, bashkë më një fqinjë të tij, ndeshën në patrollën e milicisë serbe, të cilët qellojnë me armë në njëri-tjetrin. Tahiri, vret milicin serb, Sllavolub Bogisavleviqin (25) nga Poterçi i Ulët dhe plagos rëndë Branisllav Çekerliqin. Derisa vetë nga plagët e rënda, pas pak vdes.

Gjatë 26 dhe 27 majit të vitit 1992, forca të shumta të milicisë serbe, me mjete të blinduara, kanë bllokuar çdo rrugëkryq të fshatrave të Lugut të Leshanit dhe rrugën nacionale Prishtinë-Pejë; nga ura mbi lumin Drin, tek Klina, e deri në Pejë, ku kanë keqtrajtuar brutalisht rreth 4500 shqiptarë, si dhe kanë arrestuar me qindra e qindra të tjerë, në mesin e tyre edhe nënën e Tahirit, Shkurtën.

Në mesin e të keqtrajtuarve, brutalishtë, kanë qenë edhe Smajl Sinan Berisha nga Carravrani, tash Gurbardhi dhe Dan Jakupi nga Lladrovci, të cilët i kam gjetur në një kanal mes fshatit Jabllanicë dhe Kliqinë, në një gjendje të rëndë shëndetësore. I kam larguar nga aty dhe iu kam dhënë ndihmën e parë, e më pas i kam ndihmuar për në fshatrat e tyre. Rast ky që e kisha harruar, por jo edhe Smajli, i cili pas 26 vitesh më lajmërohet.

Me 17 nëntor 2018, jemi takuar në afersi të Friburgut të Zvicrrës. Ky ishte momenti më i lumtur i imi. Them kështu, ngase miqësia e mirë ngrihet mbi themelet e përbashkëta. Kjo do të thotë që miku yt ka të njëjtat parime morale e etike, si dhe interesa të përbashkëta kombëtare.

Ndërsa, takimi i dytë ndodhi në atdhe. Në mëngjesin e të premtës së 16 gushtit 2019, bashkë me vëllanë tim, Musën, u nisa për në fshatin Gurbardh të Malishevës. Shoqëruar nga bukuritë natyrore që na ofronte mëngjesi me diell, trokita në derën e shtëpisë së Haxhi Sinanit. Me vlerësim shprehje, shterngimi i fortë i duarve me Smajlin, Rexhepin dhe Ramizin, djalin e Smajlit, që rrezatonin nga buzëqeshja, shprehej qartë dëshira për të pritur miq oxhaku.

Image

Admiroj për forcën e karakterit të kësaj familje, që i bënë ende të buzëqeshin, të cilët dikur patën vuajtje të pa imagjinushme nga pushtuesit serb dhe, jo vetëm një herë. Aty ku thërriste zëri i atdheut, aty ishte familja e Sinan Berishës. Kjo familje, asnjë herë nuk përfillte ligjet e pushtuesit.

Ishte Smajli, që kërkonte të sakrifikonte nga jeta e tij, vetëm e vetëm që populli shqiptarë të jetë i lirë në trojet e veta. Tash, pas njëzet vitesh, Smajli, me shpirtin e tij të zjarrtë, shpreh dhimbje për kombin shqiptarë. E kuptojmë më së miri ne që e njohëm dhe e patëm afër, kur në log burrnije derdhej guximi. Shperthimet e Smajlit lexohen edhe sot në fytyrën e tij. Me ato lëvizje reflekton gjithë vrullet e brendshme, gjithë shqetësimet, që flet për një përputhje të plotë të vizionit të jashtëm me botën shpirtërore, veçori kjo që nuk e ndesh shpesh si sinqeritet dhe angazhim total për të vërtetën e sotme.

Në këtë konak takova edhe disa njerëz me vlera të mëdha atdhetare. Njerëz të dashur të mëndjes dhe zemrës sime. Fejzë Morinën, ish-ushtarë i UÇK-s, nga Gullbovci, mik i kësaj shtëpie, e takoj pas 20-të vitesh, Shaip Rudin, nga Panorci, i njohur si burrë me nderë në komunën e Malishevës dhe Ramiz Ilazin, nga Gurbardhi. Muhabeti dhe kënaqësia ndizej e ndizej shoqëruar nga të qeshurat, që mbushnin shpirtërat tonë.

Koha ishte e shkurtër dhe mua më duhej të shkoja në Blaç të Opojës së Prizrenit. Smajlit nuk i pëlqente kur e shiqoja orën. “Po, mos e shih orën, të lutem. Akrepat atë punë kanë, të sillen në rrethin e tyre”, më thoshte.

Dhe për fund; - Jam plotë mirënjohje për këtë ditë të veçantë, andaj, më dhembë që duhet tëlargohem. Gjithmonë u takofshim për të mira dhe na mbajtë Zoti me nderë e u paça sot e mot. Për të mirë gjithmonë bujarisë së këtij konaku, kësaj shtëpie.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat